Google ADS

Departamenti amerikan i Drejtësisë paralajmëron shtetet mbi kontrollet pas-zgjedhore

01:53 | 29 Korrik 2021
A. B.

Departamenti amerikan i Drejtësisë po paralajmëron shtetet që po kryejnë ose po konsiderojnë të kryejnë kontrolle të zgjedhjeve të vitit 2020 (apo rinumërimin e fletëve të votimit) se mund të jenë duke përdorur procedura që shkelin ligjin për mbrojtjen federale kundër kërcënimit të votuesve dhe ligje të tjera.

Paralajmërimi vjen ndërsa republikanët e shtetit të Arizonës vazhdojnë një rishikim të debatueshëm të numërimit të votave në qarkun më të madh të shtetit ndërsa zyrtarët republikanë në katër shtete të tjera të rëndësishme ku ish-Presidenti Donald Trump humbi ndaj Presidentit Joe Biden, po ndjekin përpjekje të ngjashme.

“Rishikimet zgjedhore janë jashtëzakonisht të rralla,” tha Departamenti i Drejtësisë në udhëzimin e ri të publikuar të mërkurën mbi rinumërimin e votave pas zgjedhjeve. “Por Departamenti është i shqetësuar se disa juridiksione që po i kryejnë ato, mund të përdorin, ose propozojnë të përdorin, procedura që rrezikojnë shkeljen e Ligjit për të Drejtat Civile”.

Rishikimet pas-zgjedhore të fletëve të votimit kanë qenë prej kohësh pjesë e administratës zgjedhore dhe mbikëqyren nga zyrtarët e zgjedhjeve. Por rishikimet e zgjedhjeve të vitit 2020 që po tërheqin vëmendjen e Departamentit të Drejtësisë janë jozyrtare dhe po nxiten nga aleatët republikanë të Trumpit të cilët pretendojnë se zgjedhjet u shoqëruan nga manipulime të zgjeruara, që i kushtuan Trumpit rizgjedhjen e tij.

Sipas Qendrës Brennan përveç Arizonës, republikanët në katër shtete të tjera ku Trumpi humbi – Xhorxhia, Miçigani, Pensilvania dhe Uiskonsëni – kanë kërkuar të rishikojnë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

“Arsyeja që ne po lëshojmë këtë udhëzim është t’u themi juridiksioneve në përgjithësi se ne jemi të shqetësuar se nëse ata do të kryejnë këto rishikime, të ashtuquajturat auditime të zgjedhjeve të kaluara, ato duhet të jenë në përputhje me ligjin federal. Duam t’i paralajmërojmë se nuk mund t’i kryejnë këto rishikime në një mënyrë që do të frikësonte votuesit, “tha një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë. Në dokumentin e tij udhëzues, departamenti parashtron dy shqetësime në lidhje me rishikimet paszgjedhore. E para ka të bëjë me ruajtjen e të dhënave zgjedhore. Sipas ligjit federal, zyrtarëve të zgjedhjeve u kërkohet të mbajnë regjistrat e votimit për 22 muaj pas zgjedhjeve.

“Kjo do të thotë që juridiksionet duhet të jenë të kujdesshëm për të mos lejuar që ato fletëvotime të prishen, të humbasin apo të shkatërrohen gjatë kontrollit,” tha zyrtari i Departamentit të Drejtësisë gjatë një konference për shtyp me gazetarët. Zyrtari foli në kushte anonimiteti.

Shqetësimi i dytë i Departamentit të Drejtësisë lidhet me frikësimin e votuesve. Sipas Aktit për të Drejtat e Votimit të vitit 1965, është e paligjshme të frikësosh votuesit ose ata që synojnë të votojnë. Shembuj të frikësimit të votuesve të përmendur në dokumentin udhëzues përfshijnë heqjen e targave të makinave të individëve pjesëmarrës në takimet e regjistrimit të votuesve.

“Nëse një juridiksion do të kryejë një nga këto rishikime, duhet ta bëjë atë në një mënyrë që nuk do të frikësonte votuesit dhe nuk do t’i pengonte ata të votojnë në zgjedhjet e ardhshme,” tha zyrtari.

Udhëzimi vjen pas një paralajmërimi që Departamenti i Drejtësisë u dha republikanëve të shtetit të Arizonës në lidhje me rishikimin e tyre pas zgjedhjeve.

Në një letër drejtuar një zyrtari të lartë republikan, Zëvendës Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme Pamela Karlan ngriti pyetje në lidhje me planet e auditorëve të punësuar nga partia republikane për të shkuar derë më derë “për të konfirmuar nëse votuesit e vlefshëm jetonin vërtet në adresën e deklaruar”. Fushata e planifikuar “ngre shqetësime në lidhje me frikësimin e mundshëm të votuesve” në shkelje të ligjit federal, thuhej në letër.

Si përgjigje, republikanët hoqën dorë nga fushata e planifikuar për verifikimin e votuesve. Ndërsa Departamenti i Drejtësisë nuk ka dërguar letra të ngjashme për shtetet e tjera, “ne po vëzhgojmë nga afër atë që po ndodh”, tha zyrtari.

Në Pensilvani, një shtet ku Trumpi humbi me më shumë se 80,000 vota, ligjvënësi i shtetit Doug Mastriano nisi këtë muaj atë që ai e quajti një “hetim mjeko-ligjor” të zgjedhjeve të vitit 2020, duke kërkuar informacion nga tre qarqe. Demokratët kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e rishikimit.//VOA

Të ngjashme