Dënim me vdekje për sulmuesin e 11 personave në Pitsburg

20:23 | 2 Gusht 2023
KRG

Një juri federale në Shtetet e Bashkuara e ka dënuar me vdekje sulmuesin që vrau 11 persona në Pitsburg në qershor të vitit 2018.

Vendimi duhej të votohej unanimisht nga 12 anëtarët e jurisë në mënyrë që të mund të shqiptohej. Prokurorët kanë kërkuar që juria të votojë në favor të dënimit me vdekje.

E njëjta juri e gjeti fajtor Robert Bowers, për 63 akuza të lidhura me sulmin në sinagogën “Pema e Jetës”.

Ky konsiderohet si sulmi më i rëndë antisemitik në historinë amerikane.

Juria federale erdhi te ky vendim pas dy ditësh diskutime.

Bowers vrau 11 besimtarë gjatë sulmit. Viktimat ishin nga mosha 54 deri në 97 vjeç. Shtatë persona të tjerë u plagosën, përfshirë pesë policë të cilët dolën menjëherë në vendim e ngjarjes.

Shumica e familjarëve të viktimave të këtij sulmi kanë mbështetur dënimin me vdekje ndaj sulmuesit.

Rabini Jeffrey Myers, që i ka mbijetuar sulmit, mirëpriti vendimin.

“Tani që gjykimi është pothuajse drejt fundit dhe juria ka rekomanduar dënimin me vdekje, unë shpresoj që tani ne mund të fillojmë të shërohemi dhe të lëvizim përpara”, tha ai.

Pas rekomandimit të jurisë, gjykatësi i lëndës, Robert Colville, pritet ta bëjë të plotfuqishëm vendimin.

Në fjalën mbyllëse, prokurorët argumentuar se shqiptimi i dënimit me vdekje është i nevojshëm, pasi Bowers 50 vjeç, shofer kamioni, vazhdon të ushqejë urrejtje ndaj hebrenjve dhe nuk ka shfaqur pendesë për veprimet e tij.

Mbrojtja e Browers ka argumentuar se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe këto probleme kanë bërë që ai të ketë mendime delirante për hebrenjtë.

Në vendimin e së mërkurës, juria në mënyrë unanime tha se ekipi mbrojtës ka dështuar të dëshmojë se sulmuesi vuan nga ndonjë sëmundje mendore ose ka kryer krimet “nën një gjendje të rënduar mendore apo emocionale”./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme