Dëmtohet një cisternë nafte ruse nga një sulm me dronë në Ngushticën e Kërçit

13:42 | 5 Gusht 2023
E.K

Moska ka thënë se një cisternë nafte ruse është dëmtuar nga një sulm ukrainas me dronë gjatë natës së 4 gushtit në Ngushticën e Kërçit, pranë një ure që e lidh Krimenë e aneksuar nga Moska me Rusinë.

Agjencia e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit Detar (QKSHD) të ketë thënë se është dëmtuar motori i cisternës ruse SIG nga një sulm ukrainas.

Sipas QKSHD, është duke u punuar për ta rimorkiuar anijen, pasi ajo nuk ka mundur të lëvizë vetë pas sulmit.

Një anije ushtarake ruse duke lundruar pranë urës së Krimesë, më 17 korrik 2023.

Kanalet ruse në Telegram raportuan fillimisht më 5 gusht se shpërthimet ndodhën në Ngushticën e Kërçit, duke e dëmtuar një cisternë nafte dhe duke e bllokuar përkohësisht trafikun mbi urë.

Ukraina nuk ka komentuar ende rreth këtyre lajmeve, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak se i kishte furnizuar forcat ruse në Siri me karburant për aeroplanë.

Ky incident ndodhi një ditë pasi një anije e Marinës ruse u dëmtuan rëndë në portin Novorossiisk nga një sulm me dronë, për të cilin përgjegjësinë e mori Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SHSU), si dhe dy ditë para bisedimeve ndërkombëtare për luftën në Ukrainë, të caktuar për të nisur më 5 gusht në Arabinë Saudite.

Në sulmin e 4 gushtit, një dron detar ukrainas, që barte 450 kilogramë eksploziv TNT, e goditi bazën e Marinës ruse në Novorossiisk, duke i shkaktuar dëme të mëdha një anijeje luftarake të Rusisë që ishte ankoruar aty, thanë burime të SHSU për Radion Evropa e Lirë.

Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave ukrainase përmes detit.

Marrëveshja kishte për qëllim ta zbuste krizën globale të ushqimit duke i lejuar drithërat ukrainase të eksportoheshin në mënyrë të sigurt.

Në fushëbetejë, forcat ukrainase i kanë vazhduar ofensivat e tyre në pjesët e rajonit jugor të Zaporizhzhya, Berdiansk dhe Melitopol, sipas raportit të Shtabit të Përgjithshëm më 5 gusht, në të cilin thuhet se u zhvilluan 36 beteja në përgjithësi në 24 orët e fundit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha më 4 gusht se luftime “shumë mizore” po ndodhin në fushëbeteja.

Në Arabinë Saudite, Kievi dhe aleatët e saj shpresojnë se do të arrijnë marrëveshje për parime kyçe për mënyrën sesi t’i japin fund luftës ruse në Ukrainë, ka thënë një zyrtar i lartë ukrainas.

Këshilltarë të sigurisë kombëtare dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga rreth 40 vende të botës, përfshirë Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, por jo edhe Rusinë, do të mblidhen në këtë takim./rel

Të ngjashme