Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili gjatë kësaj jave i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin për destabilizim të Ballkanit përmes zgjerimit të NATO-s, ka shfrytëzuar vizitën në Serbi, në mënyrë që për shkak të tensioneve në marrëdhëniet transatlantike dhe politikës jokonsistente të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, ka fuqizuar ndikimin e Rusisë në rajon, thotë Judy Dempsey nga Qendra Carnegie e Evropës në intervistën për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë: Pse erdhi deri te kjo retorikë agresive e befasishme nga ana e Moskës dhe sidomos Putinit?
Judy Dempsey: Mendoj se kjo ka ndodhur për shumë arsye. Një prej tyre është se marrëdhëniet transatlantike janë përplot me tensione në këtë moment, por edhe presidenti Trump thotë se SHBA-ja në një moment do të tërhiqet nga NATO-ja. Kjo, në mënyrë të qartë shkon në favor të Rusisë.
Rusia gjithmonë ka dëshiruar që ta dobësojë aleancën perëndimore të NATO-s, gjithmonë ka dashur që ta dobësojë lidhjen transatlantike dhe Putini ka shkuar në Serbi për këtë shkak.
Së dyti, kurrë nuk e dini se çfarë mendon presidenti Aleksandar Vuçiq. Për Financial Times, para disa vitesh ka folur për kursin pro-evropian dhe kështu me radhë. Më pastaj, e shtron tepihun e kuq për presidentin Putin. Kjo do të thotë që Serbia po luan lojë të dyfishtë.
Çështja e tretë është që, natyrisht, Putini është atje me shefin e Gazpromit, Aleksandar Miler, për shkak se ata po e shohin ndikimin në rritje të Kinës.
Në një mënyrë, Ballkani Perëndimor po shndërrohet në fushë të lojës për Kinën dhe Rusinë, në njërën anë, ndërkaq që Bashkimi Evropian po përpiqet që të mbajë nën kontroll atë që po ndodh në Bosnjë e Hercegovinë dhe me vonesë në Maqedoni, si dhe e mbajnë nën vrojtim Malin e Zi, i cili sapo ka marrë një kredi të madhe nga Kina, ndonëse tashmë është pjesë e NATO-s.
Rajoni është mjaft i hapur për një numër të madh ndikimesh.
Radio Evropa e Lirë: Duket që Moska nuk po heq dorë nga Mali i Zi dhe Putini thotë që vendimi për pranimin e tij në NATO ka krijuar tensione. Lavrovi thotë që marrëveshja për ndryshimin e emrit të Maqedonisë nuk është legjitime, edhe pse nuk ka asgjë kundër që dy shtetet të bisedojnë. Pra, ajo nuk po heq dorë as nga ato vende?
Judy Dempsey: Keni të drejtë. Ata nuk po heqin dorë. Mali i Zi është në NATO, por thënë sinqerisht, Mali i Zi do të mund t’i rregullojë gjërat në kuptimin e korrupsionit dhe mungesës së udhëheqjes së mirë me vendin dhe të marrëdhënieve të tij me Kinën.
Bashkimi Evropian, gjithashtu do të mund të bënte më shumë që ta forcojë Malin e Zi dhe kjo është çështja e parë.
Kemi parë se çfarë ndodhi në Athinë, ku kryeministri Tsipras i ka mbijetuar votëbesimit, ndërkaq që Qeveria maqedonase po e shtyn këtë ndryshim të emrit. Ai ndryshim i emrit në fakt e ndryshon të gjithë lojën në qoftë se gjithë kjo kalon.
Kjo e shqetëson Rusinë, por Bashkimi Evropian duhet të shfrytëzojë këtë, të veprojë shpejt dhe të përmirësohet në këtë pikë, në mënyrë që të hapë sa më shpejtë bisedimet me Maqedoninë.
Bashkimi Evropian, për një kohë shumë të gjatë, ka pasur politikë jokonsistente ndaj Ballkanit Perëndimor, përderisa Rusia dhe Kina kanë hyrë pa kurrfarë parakushtesh.
Radio Evropa e Lirë: Putini tash ka një aleat mjaft të fortë dhe besnik në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës, i cili thotë që nuk ka gjasa që Bosnjë e Hercegovina të lëvizë në drejtim të NATO-s. Putini deri më tash duket se i ka bërë gjërat, në mënyrë paksa pasive, duke i mbajtur nën kontroll, por a prisni një rol pak më aktiv të Rusisë në Bosnjë e Hercegovinë në muajt apo vitet e ardhshme?
Judy Dempsey: Unë po shpresoj që Bashkimi Evropian të ketë një rol më aktiv në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi. BE-ja ka qenë tërësisht e pakoordinuar duke u marrë me jo funksionalitetin e Bosnjë e Hercegovinës, thuajse nuk ka pasur mjaft kohë që të merret me të. Dobësia e BE-së në Bosnjë e Hercegovinë është në atë se qëndron pranë elitave, në vend se t’i drejtohet shoqërisë së gjerë civile, grupeve të gjera të aktivistëve e jo që vetëm të bashkëpunojë me elitat e vjetra dhe të lodhura.
Në njëfarë mënyre, BE-ja ka qenë mjaft jo kreative dhe intelektualist, siç do ta thosha këtë në mënyrë diplomatike, ka qenë goxha dembele në Bosnjë e Hercegovinë.
Gjëja më interesante është se BE-ja dëshiron të jetë një lojtar global, por si mund të jetë lojtar global në qoftë se nuk mund ta rregullojë as oborrin e pasmë të saj?!
Radio Evropa e Lirë: Në këtë situatë i kemi zgjedhjet në Evropë, të cilat do të mund të dobësonin ritmin edhe ashtu të dobësuar në çështjen e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor. Në një situatë të tillë a mund të presim pozicionim më agresiv të Rusisë ndaj Ballkanit?
Judy Dempsey: Rusia nuk duhet të bëjë shumë, një vizitë këtu, një vizitë atje, pak para këtu e pak para atje. Kjo nuk është çështje e agresionit, por është çështje se si do të reagojë Bashkimi Evropian.
Nuk ka dyshim që zgjedhjet në Parlamentin Evropian, zgjedhja e Komisionit Evropian, ajo që po ndodhë në Gjermani dhe stabiliteti i presidentit Emmanual Macron në Francë, të gjitha këto janë gjëra që tërheqin vëmendjen, e të mos e përmendi më fjalën BREXIT.
Por, kjo është fqinjësia jonë dhe ta lëmë të hapur ndaj ndikimeve të llojeve të ndryshme malinje, është tepër e rrezikshme, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij, por gjithashtu është e rrezikshme edhe për Bashkimin Evropian.
Gjermania ka tentuar që të vendosë politikën ballkanike së bashku me Britaninë e Madhe, por kjo ka qenë, siç thuhet, gjysmë e pjekur dhe nuk është zbatuar në asnjë mënyrë praktike. Ky është dëm i madh.
Edhe një gjë, vizita e Putinit është një rrëfim i madh mediatik për Rusinë dhe për një pjesë të mediave në Serbi, por mos harroni atë se çfarë po ndodh në terren në Serbi, me demonstratat e mëdha. Ato janë vërtet të mëdha dhe mendoj që nuk do të pushojnë.
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...