Nënpresidentja Kamala Harris ripohoi mbështetjen e saj për Izraelin gjatë fjalimit në kuvendin demokrat ku pranoi zyrtarisht të emërimin si kandidate për presidente e Shteteve të Bashkuara. Ajo la të kuptohet se nëse zgjidhet, administrata e saj nuk do të devijojë nga politika që ka ndjekur Presidenti Biden lidhur me luftën në Gazë. Siç njofton nga Çikagoja korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, delegatët pro-palestinezë thonë se do të vazhdojnë të kërkojnë kushtëzimin e ndihmave ushtarake amerikane për Izraelin.
Protestuesit pro-palestinezë u përpoqën shumë por nuk arritën të ndryshonin mbështetjen e Nënpresidentes Kamala Harris për Izraelin. Ajo theksoi mbështetjen e saj për Izraelin gjatë fjalimit për pranimin e kandidaturës së partisë, ndërsa ripohoi të drejtat e palestinezëve.
“Presidenti Biden dhe unë po punojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gazë të marrin fund dhe populli palestinez të mund të realizojë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje”, tha Nënpresidentja Harris.
Thirrjet për embargo armësh ndaj Izraelit ranë në vesh të shurdhër. Platforma e rënë dakord nga demokratët riafirmon mbështetjen për Izraelin, një marrëveshje armëpushimi për lirimin e pengjeve dhe një zgjidhje me dy shtete.
Zonja Harris ka qenë më e zëshme për mbrojtjen e jetëve palestineze. Por ndihmësit e saj aktualë dhe të mëparshëm thonë se politika e saj ndaj Izraelit nuk ka gjasa të ndryshojë nga ajo e Presidentit Biden.
Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Halie Soifer, drejtuese e Këshillit Demokratik Hebre të Amerikës.
“Kam qenë këshilltarja e saj për sigurinë kombëtare në Senat. E di që ajo është një mbështetëse e vendosur e marrëdhënieve SHBA-Izrael, sepse është në interesin e sigurisë tonë kombëtare”.
Politika e jashtme përcaktohet nga shumë më tepër sesa opinioni publik, edhe pse sondazhet tregojnë se një numër në rritje amerikanësh duan që udhëheqësit e tyre të pakësojnë mbështetjen për Izraelin.
270 delegatë në kuvend i kërkuan zonjës Harris që ta kushtëzojë ndihmën për Izraelin, nëse ajo i fiton zgjedhjet. Kjo përpjekje po drejtohet nga 30 delegatë të pavendosur, ose më pak se 1%. Zonja Harris mori emërimin nga shumica dërrmuese. Delegatët e pavendosur thonë se nuk janë dekurajuar.
Zëri i Amerikës bisedoi me delegaten e pavendosur nga Havai, Inga Gibson.
“Kam zbuluar se shumë njerëz na mbështesin për këtë çështje, por ata nuk e dinë si të përfshihen. Ndihem sikur tashmë kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm”.
Gaza është një çështje ku demokratët kanë mospajtime. Delegatët pro-palestinezë ishin të pakënaqur që drejtuesve të tyre iu dha mundësia vetëm për të folur në takimet dytësore, ndryshe nga prindërit e një pengu amerikan të marrë nga Hamasi, të cilët iu drejtuan kuvendit.
Delegatët pro-izraelit thonë se çështja nuk duhet të krijojë ndarje brenda partisë. Andrew Lachman është delegat nga Kalifornia.
“Të gjithë jemi të shqetësuar për civilët në Gazë, por gjithashtu jemi të shqetësuar për sigurinë e popullit izraelit”.
Studiuesit e lëvizjeve sociale thonë se duhet kohë dhe punë për t’i tjetërsuar protestat në axhendë. Zëri i Amerikës bisedoi me sociologen Elisabeth Clemens të Universitetit të Çikagos.
“Përmes krijimit të koalicioneve, negociatave dhe kompromisit dhe gjetjes së një rruge përpara që pothuajse nuk arrin kurrë deri në atë pikë që shpresojnë protestuesit, por megjithatë është një ndryshim i rëndësishëm”.
Zëdhënësja e pavendosur e Lëvizjes Kombëtare, Lyla Elabed, thotë se ata janë të vendosur.
“Strategjia jonë nuk është që ta braktisim Partinë Demokrate, por ta revolucionarizojmë atë dhe të dëgjojmë bazën e saj”.
Pragmatizmi është çelësi, thotë Prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison, i cili është mysliman dhe simpatizant i kauzës palestineze.
“Duhet të fitosh që të kesh pushtet. Po shtohet mbështetja për zonjën Harris. Shanset për sukses janë më të larta”.
Megjithëse asnjë nga kërkesat e tyre nuk u plotësua, delegatët pro-palestinezë thonë se janë të vendosur në kauzën e tyre./VOA/
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...