Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët po shpejton procesin për fillimin e procedurës së shkarkimit të presidentit Donald Trump.
Ata pritet që të hënën [11 janar] të paraqesin legjislacionin nëpërmjet të cilit do të kërkohet ngritja zyrtarisht e akuzave për shkarkimin e Trumpit.
Presidentit Trump çdo ditë e më shumë po i ngushtohet rrethi, pasi disa republikanë të lartë janë distancuar nga ai, dhe Twitter ka hequr përgjithmonë llogarinë e tij në këtë rrjet social, për shkak të rolit të tij në nxitjen e një sulmi vdekjeprurës të një turme kundër Kongresit, të mërkurën.
“Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve do të prezantojnë artikujt zyrtarë të procedurës së shkarkimit më 11 janar”, tha ligjvënësi Ted Lieu në Twitter.
Demokrati nga Kalifornia, i cili ndihmoi në hartimin e akuzave, tha më 9 janar se artikujt kishin marrë përkrahjen e 180 ligjvënësve, shumica dërmuese e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kërcënoi më 8 janar se Kongresi do të veprojnë nëse zëvendëspresidenti, Mike Pence dhe kabineti nuk zbatojnë amendamentin e 25-të të Kushtetutës, për të hequr Trumpin ose nëse presidenti refuzon të japë dorëheqjen.
“Nëse presidenti nuk e lë detyrën menjëherë dhe me dëshirë, Kongresi do të veprojë”, tha Pelosi në një deklaratë, pas një takimi të demokratëve që zgjati rreth tre orë.
Largimi i Trumpit nga detyra do të ishte jashtëzakonisht e vështirë, pasi mandati i tij përfundon shumë shpejt. Edhe nëse Kongresi lëviz përpara me akuzat e shkarkimit, javën e ardhshme, të 100 senatorët do të duhet të bien dakord të rikthehen nga pushimi para 19 janarit, për të mbajtur gjyqin.
Udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell dërgoi një qarkore për senatorët e tij republikanë më 9 janar, duke sugjeruar se çdo gjyq nuk do të fillonte derisa Trump të dilte nga zyra më 20 janar. Një vendim për shkarkim i Senatit kërkon dy të tretat e votave.
Demokratët do të kontrollojnë Senatin e ri me një shumicë të pakët 50-50 dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris ka të drejtën e votës.
Nëse zhvillohet procedura në Kongres, dhe Trump shkarkohet, atëherë atij do t’i ndalohet të kandidojë përsëri për president. Ai ka dhënë sinjale se mund të kandidojë sërish. Një draft i dokumentit të akuzave për shkarkim të përgatitur nga demokratët akuzojnë presidentin për “nxitje të kryengritjes” për inkurajimin e mbështetësve të tij për të sulmuar me dhunë Kongresin. Artikujt gjithashtu akuzojnë Trumpin për pengimin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale.
Ndërkohë, një përplasje mes republikanëve ka shkuar në favor të procesit të shkarkimit të Trumpit, i cili është braktisur nga disa ndihmës dhe dy anëtarë të Kabinetit këtë javë, për sulmit të mbështetësve të tij ndaj Kongresit. Izolimi u thellua pasi Twitter ndaloi përgjithmonë llogarinë e Trumpit “për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës”.
Vendimi i pashembullt nga Twitter, më 8 janar, privon zyrtarin më të lartë të zgjedhur në Shtetet e Bashkuara nga një rrjet social, për t’iu drejtuar drejtpërdrejt 88.7 milionë ndjekësve të tij.
Senatori republikan, Pat Toomey i Pensilvanisë i tha Fox News më 9 janar se Trump kishte “kryer vepra” por nuk pranoi të angazhohej për të votuar në favor të largimit të Trumpit. Senatori, Ben Sasse nga Nebraska, një kritik i shpeshtë i Trumpit, i tha CBS News se ai “patjetër do të konsideronte” shkarkimin e Trumpit, sepse presidenti “nuk e përfilli betimin e tij”. Senatorja kryesore republikane, Lisa Murkowski, nga Alaska i tha Anchorage Daily News se Trump thjesht “duhet të shkarkohet”.
Aleatët e Trumpit, përfshirë senatorin, Lindsey Graham dhe udhëheqësin e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, u kanë kërkuar demokratëve të mos vazhdojnë me procedurën e shkarkimit për të shmangur një “ndarje të mëtejshme”.
“Nëse kryetarja Pelosi nis këtë çështje në ditët e fundit të presidencës së Trumpit, do të bëjë më shumë dëm sesa dobi”, tha Graham në Twitter.
“Presidenti ka edhe 12 ditë në detyrë dhe një proces shkarkimi ndaj tij vetëm sa do ta ndajë vendin tonë më shumë. Ne duhet të punojmë së bashku për të ulur temperaturën dhe bashkuar vendin, për të zgjidhur sfidat e Amerikës”, tha McCarthy në një deklaratë më 8 janar.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, tha se Trump nuk është “i aftë të shërbejë” si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara, por tha se i takon Kongresit të vendosë për këtë çështje.
Sidoqoftë, Biden la të kuptohej se ai mund të mos preferonte një proces potencialisht të çrregullt dhe përçarës të shkarkimit, pasi ai përqendrohet në unitet për të trajtuar pandeminë COVID-19 dhe një ekonomi të goditur, që do të ketë nevojë për mbështetjen e republikanëve.
“Është e rëndësishme ta heqësh atë nga zyra. Mënyra më e shpejtë për të ndodhur kjo është kur të betohemi më 20 janar”, u tha Biden gazetarëve.
Zhvillimet e shpejta rreth procesit të shkarkimit të tij, erdhën pasi Trump më 6 janar nxiti mijëra ndjekës për të marshuar në Kongres, në kohën kur ligjvënësit ishin mbledhur për të certifikuar fitoren e Bidenit në zgjedhje.
Trump për javë të tëra bëri pretendime të pabazuara se zgjedhjet ishin vjedhur.
Mbështetësit e tij hyn me dhunë në Kongres, duke detyruar evakuimin e ligjvënësve të të dyja dhomave. Nga trazirat vdiqën pesë persona, përfshirë një polic.
Krahas thirrjeve në rritje për largimin e tij nga detyra, Trump dënoi dhunën vdekjeprurëse në Kongres dhe sinjalizoi se ai kishte hequr dorë nga shpresa për të qëndruar në pushtet. Në një video të publikuar më 7 janar, presidenti republikan në ikje bëri thirrje për pajtim dhe premtoi një tranzicion të qetë dhe të rregullt të pushtetit në administratën e Biden.
Trump adresoi gjithashtu dhunën që rezultoi në vdekjen e katër protestuesve dhe një oficeri policie, duke e quajtur atë një “sulm të neveritshëm” që ndot vendin e demokracisë amerikane dhe e la atë “të zemëruar”.
Edhe pse Trump tha se nuk do të merrte pjesë në inaugurimin e Bidenit, zëvendëspresidenti Mike Pence ka thënë se ai do të marrë pjesë në ceremoni. /REL/
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona
Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora