Ish-nënpresidenti Joe Biden renditet në krye të listës së konkurrentëve demokratë për zgjedhjet presidenciale, siç rezulton nga një anketë e re e zhvilluar pas përfshirjes së tij në garë. Zoti Biden është hedhur menjëherë në kritika ndaj Presidentit Trump, njofton Zëri i Amerikës.
Ish-nënpresidenti Joe Biden gjeti një pritje të ngrohtë në tubimin e tij të parë për fushatë të hënën në Pitsburg. Ai e bëri krejt të qartë se do të përqëndrohet tek ato që i quan politika përçarëse të Presidentit Trump:
“Duhet t’ua bëjmë të qartë se kush jemi. Ne demokratët dhe të pavarurit që kemi të njëjtat pikëpamje, duhet të zgjedhim shpresën në vend të frikës, bashkimin në vend të përçarjes dhe ndoshta, ajo që është edhe më e rëndësishme, të zgjedhim të vërtetën mbi gënjeshtrën”.
Përkrahësit e zotit Biden kishin dalë që herët për të marrë pjesë në tubim:
“Mendoj se Joe Biden është një politikan me eksperiencë dhe se është njeri i mirë dhe i ndershëm. Këto kanë më shumë rëndësi për mua,” thotë një përkrahëse e zotit Biden.
Edhe Presidenti Trump ka dalë në fushatë këto ditë. Në një tubim në Uashington, ai u hodh në sulm ndaj Partisë Demokrate:
“Tani demokratët janë bërë partia e taksave të larta, krimit në nivele të larta, kufijve të hapur, abortit në muaj të avancuar, trillimeve dhe fantazive. Partia Republikane është partia e të gjithë amerikanëve. Vërtetë ashtu. Dhe partia e mendimit logjik”.
Presidenti Trump e ka sulmuar zotin Biden përmes Twitterit, duke vënë në dukje moshën e avancuar, megjithëse të dy ata janë në të 70-tat.
“Unë jam i ri, energjik. Shoh Joe-n. Nuk di ç’të them për të,” thotë presidenti.
Zoti Biden aktualisht kryeson në grupin e njëzet pretendentëve demokratë, pasuar nga Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders.
Zoti Sanders është një ndër pretendentët demokratë që flasin për nevojën për ndryshime rrënjësore:
“Nuk kemi për detyrë vetëm të fitojmë garën për Shtëpinë e Bardhë, por të transformojmë ekonominë dhe qeverinë e këtij vendi,” tha zoti Sanders.
Deri tani, rivalët demokratë nuk duket se ia kanë frikën zotit Biden, megjithëse ai kryeson në garë, thotë analisti Matt Dallek
“Është një grup shumë i madh konkurrentësh. Është ende herët që të presim nga anketat të parashikojnë çfarë nënkupton epërsia e zotit Biden, përveç faktit se atë e njohin njerëzit dhe ka prej tyre që kanë kujtime të mira”.
Demokratët kanë alternativa të ndryshme në këtë grup konkurrentësh, përfshirë gra dhe pakica. Por ata duan një kandidat të fortë që do të jetë në gjendje të mundë Presidentin Trump në zgjedhje, thotë eksperti Bill Sweeney:
“Kemi grupin më të larmishëm të pretendentëve që ka pasur ndonjëherë ky vend. Pra zgjedhësit demokratë kanë plot alternativa. Një tjetër pyetje që do t’i bëjnë vetes zgjedhësit demokratë kur të bëhen votimet brenda partisë do të jetë: Kush është ai që është në gjendje të mundë Donald Trumpin?”
Deri tani, shumë votues demokratë që e bëjnë këtë pyetje duket se preferojnë zotin Biden. Sipas analistëve, kjo është arsyeja që i ka dhënë atij epërsi në anketa.
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...