Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se Senati duhet ta shpallë fajtor ish-Presidentin Donald Trump dhe t’i heqë mundësinë për të konkurruar apo për t’u emëruar në post publik, pasi ai vuri në rrezik jetët e anëtarëve të Kongresit kur nxiti një turmë protestuesish të sulmonin “si predhë artilerie” Kapitolin muajin e kaluar. Avokatët e ish-presidentit hedhin poshtë akuzat për nxitje dhune dhe e cilësojnë si jo-kushtetues gjyqin e pritshëm në Senat. Të dyja palët dorëzuan argumentet ligjore të martën në përgatitje për gjyqin që fillon javën e ardhshme.
Argumentet ofrojnë një parathënie të pretendimeve që do të paraqesë secila palë në gjyqin kundër zotit Trump. Ato tregojnë se si demokratët do të përpiqen të tregojnë se faji për sulmin në Kapitol bie mbi ish-Presidentin Trump dhe se sjellja e tij ishte aq e dënueshme, sa që meriton skualifikimin e tij për ndonjë post qeveritar në të ardhmen.
Argumentet e Demokratëve
Kur paraqitën argumentet ligjore, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve dhanë të martën shpjegime të hollësishme përse ish-presidenti duhet shpallur fajtor dhe të mos lejohet në post qeveritar në të ardhmen. Dosja e akuzave, thonë demokratët mbështet me prova argumentin se pretendimet e pabaza të ish-presidentit lidhur me zgjedhjet çuan në trazirat vdekjeprurëse të 6 janarit që kërcënuan themelet e demokracisë amerikane.
Demokratët thonë se dosja e tyre ofron prova që lidhin pretendimet e pabaza të ish-Presidentit Trump për manipulime në zgjedhje me trazirat e dhunshme të 6 janarit në Kapitol. Ata argumentojnë se presidenti duhet shpallur fajtor kur të zhvillohet gjyqi që fillon javën e ardhshme. Në përshkrimin e ngjarjeve, dosja përfshin terma për të përcjellë gjendjen emocionale të ligjvënësve “të tmerruar të mbyllur në sallë”, të cilët u bënin “telefonata familjarëve nga frika se nuk do të dilnin gjallë”.
“Sjellja e tij ka kërcënuar jetët e çdo anëtari të Kongresit, ka kërcënuar tranzicionin paqësor të pushtetit dhe ka kompromentuar sigurinë tonë kombëtare,” shkruajnë ligjvënësit që do të kryejnë funksionet e prokurorëve në procesin gjyqësor. “Pikërisht kjo lloj shkeljeje kushtetuese meriton skualifikimin nga poste qeveritare”.
“Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një rast kur zgjedhjet që do të pasojnë do të na mbrojnë nga shkeljet në të ardhmen. Presidenti Trump sulmoi vetë procesin zgjedhor dhe ky proces duhet mbrojtur prej tij dhe prej kujtdo që përpiqet ta imitojë zotin Trump,” shkruajnë demokratët.
Demokratët përdorin në argumentet e tyre fraza nga fjalimet e kolegëve republikanë që kritikuan sjelljen e ish-presidentit. Ndër ta, ligjvënësja nga Uajoming, Liz Cheney, e cila votoi për ngritjen e akuzave kundër zotit Trump, duke thënë se nuk ka pasur kurrë “një tradhti më të madhe” nga një president, si dhe komentet e udhëheqësit të republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i cili tha se zoti Trump “i provokoi” protestuesit.
“E vetmja rrugë e ndershme në atë pikë ishte që Presidenti Trump të pranonte rezultatin e zgjedhjeve; të pranonte humbjen. Por ai thirri turmën në Uashington, i ndezi dhe i nisi si predhë artilerie nëpër bulevardin Pensilvania,” shkruanin demokratët në dosjen e tyre me 77 faqe.
Argumentet e Avokatëve të ish-Presidentit Trump
Avokatët e Presidentit Trump u përgjigjën me dokumentet e tyre ku hedhin poshtë akuzat se ai nxiti dhunë. Ata i kundërvihen argumentit të demokratëve se duke vënë në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve, presidenti ndezi mbështetësit e tij “të luftojnë si dreqi”. Gjithsesi, vazhdojnë avokatët e presidentit, gjyqi është jo-kushtetues sepse Donald Trumpi nuk është më president.
Ata shtojnë se fjalimi i zotit Trump mbrohet nga Amendamenti i Parë që sanksionon lirinë e fjalës.
“Kjo hedh poshtë pretendimin se Presidenti Trump vuri në rrezik sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe institucionet qeveritare,” shkruajnë avokatët e ish-presidentit në një dokument me 14 faqe. Kushtetuta specifikon se nëse një individ shpallet fajtor ndaj akuzave që çojnë në largim nga posti zyrtar, ato e skualifikojnë individin edhe nga poste në të ardhmen.
Republikanët kanë sinjalizuar se pritet që ish-presidenti të lirohet nga akuzat, duke shtuar se Kongresi duhet të shohë përpara, si dhe duke vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e gjyqit, pasi zoti Trump nuk është më president. Në një votë-provë në Senat javën e kaluar, 45 republikanë, përfshirë zotin McConnell, votuan për të mos hapur procesin gjyqësor si rezultat i pikëpyetjeve për kushtetutshmërinë.
Rastet Pararendëse dhe Interpretimi i Kushtetutës
Megjithëse në të kaluarën nuk ka pasur raste kur një president është gjykuar pas mbylljes së mandatit, demokratët thonë se ekziston një rast pararendës – procesi gjyqësor i vitit 1876 kur sekretari i luftës dha dorëheqjen me shpresën se do t’i shpëtonte gjyqit për ta shkarkuar nga posti, por procesi gjyqësor u zhvillua pas dorëheqjes së tij.
Demokratët shkruajnë në argumentet e tyre se hartuesit e Kushtetutës nuk do të donin ta linin vendin pa mbrojtje përballë “tradhtisë së një presidenti në ditët e fundit të mandatit, duke i lënë shteg të abuzojë autoritetin, të shkelë betimin dhe të nxisë një rebelim kundër Kongresit dhe institucioneve tona zgjedhore,” thjesht për faktin se nuk është më në post. Themeluesit e kombit do të tmerroheshin nëse krijojmë këtë precedent,” thuhej në dokumentin e demokratëve.
“Nuk ka përjashtime për muajin janar, as për procese për shkarkim nga posti, as për mbrojtje të tjera kushtetuese,” shkruanin demokratët. “Një president duhet të përgjigjet për sjelljen e tij nga dita e parë deri tek dita e fundit në detyrë”.
Ata nënvizojnë se akuzat kundër zotit Trump u ngritën ndërkohë që ai ishte ende president, gjë që i hapi rrugën procesit gjyqësor në Senat. Po ashtu, ka precedentë të gjykimit të ish-zyrtarëve.
“Zoti Trump është personalisht përgjegjës për sulmin e dhunshëm në Kapitol,” shkruajnë ata. “Ndaj tij u ngritën akuzat kur ishte ende president. Argumentet për gjykimin e tij pasi është larguar nga posti janë më të forta se në të gjitha rastet pararendëse”.
Dosja e demokratëve flet edhe për përpjekje nga ana e ish-Presidentit Trump për të minuar demokracinë që në verën e 2020, kur fillimisht nuk pranonte të deklaronte se do të njihte rezultatin e zgjedhjeve dhe pastaj gjatë procesit zgjedhor kur bëri disa përpjekje pa sukses për të përmbysur rezultatin përmes gjykatave. Kur këto përpjekje dështuan, shkruajnë në dosjen e tyre demokratët, “ai zgjodhi metoda të papërshtatshme, abuzime për të mbajtur pushtetin,” në veçanti duke filluar një fushatë presioni ndaj zyrtarëve zgjedhorë në shtete të ndryshme, ndaj Departamentit të Drejtësisë dhe Kongresit.
Demokratët përmendin përpjekjet e ish-presidentit për të bindur sekretarin e shtetit në Xhorxhia dhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm William Barr të ndryshonin qëndrim. Më pas zoti Trump u bë i fiksuar pas datës 6 janar. Ata theksojnë se shumë nga përkrahësit e ish-presidentit ishin të nxitur për dhunë, përfshirë organizatën “Proud Boys”, të cilëve presidenti në shtator u tha “sprapsuni, prisni”.
“Duke pasur parasysh të gjitha këto, nuk është për t’u çuditur që turma e mbledhur më 6 janar kishte në përbërje shumë persona të armatosur, të revoltuar dhe të rrezikshëm, të gatshëm dhe në pritje që Presidenti Trump t’u thoshte se duhej vërtetë ‘të luftonin’ për të shpëtuar Amerikën nga një komplot i imagjinuar,” shkruanin demokratët./VoA/
NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse
Përgjigjja e shkencëtarëve: Si ndikon menjëherë në shëndet k...
Lela nuk ndjehet mirë pas Prime, çka i ndodhi?
Belgjika vazhdon të mbetet pa qeveri që nga qershori
Gjermania përpilon listën e bunkerëve që mund të ofrojnë str...
Moti në Shqipëri, temperaturat arrijnë deri në -2 gradë