Deklarata interesante që Trump dha kur shkoi sot për të votuar

22:50 | 24 Tetor 2020
Arditë Shkodra

Presidenti Donald Trump votoi të shtunën në shtetin e Floridas, ndërsa rivali i tij demokat ishte në Pensilvania në një aktivitet fushate.

Presidenti Trump ndryshoi vitin e kaluar regjistrimin nga Nju Jorku në Florida, duke e bërë banesën e tij verore në Florida adresën e tij kryesore gjë që bën të mundur që ai tani të votojë në Florida.

“Ishte votim krejt i sigurtë. Çdo gjë ishte perfekt,” tha presidenti në komente për gazetarët kur po largohej nga biblioteka e qytetit Palm Beach, e cila po përdoret si qendër votimi. “Ishte nder që votova”.

Kur u pyet për kë kishte votuar, presidenti u përgjigj “Për njërin që quhet Trump”.

Presidenti e vazhdoi ditën me një aktivitet fushate në Lamberton të Karolinës së Veriut. Ai ka gjithashtu plane për fushatë në Sërkëllvill të Ohajos dhe Uokesha të Uiskonsinit.

Ish-nënpresidenti Joe Biden, ndërkaq, zhvilloi aktivitet fushate ku pjesëmarrësit qëndruan në makinat e tyre, të parkuara në një qytezë në periferi të Filadelfias, një komunë ku zonja Clinton fitoi me një diferencë të ngushtë në 2016.

Fushata e kandidatit demokrat po përpiqet të zgjerojë mbështetjen edhe në Florida ku ish-presidenti Obama po zhvillon aktivitete në Majami në mbështetje të zotit Biden.

Mbi 52 milionë amerikanë kanë votuar deri tani. 100 milionë të tjerë pritet të hedhin votën para se të shpallet fituesi i zgjedhjeve presidenciale 2020.

Të ngjashme