Një operacion i dëbimit në masë. Një ndalesë e re për myslimanët. Tarifa për të gjitha mallrat e importuara dhe “qytete të lira” të ndërtuara në tokë federale.
Pjesa më e madhe e fushatës presidenciale të vitit 2024 është mbizotëruar nga hetimet e panumërta ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe akuzat pasuese kundër tij. Por, me më pak se një vit deri në ditën e zgjedhjeve, Trump po dominon garën për nominimin e republikanëve dhe tashmë ka paraqitur një grup gjithëpërfshirës të synimeve të tij politike nëse fiton një mandat të dytë.
Idetë e tij, madje edhe çështjet në të cilat ai përqendrohet më së shumti, janë jashtëzakonisht të ndryshme nga propozimet e paraqitura nga presidenti Joe Biden. Nëse zbatohen, planet e Trumpit do të paraqisnin një ndryshim dramatik të Qeverisë, ndoshta me më shumë pasoja sesa mandati i tij i parë.
Presidenca e tij, veçanërisht në ditët e para, u përshkrua me kaos, grindje të brendshme dhe me një sërë urdhrash ekzekutivë të hartuar me nxitim, që shpejt u rrëzuan nga gjykatat.
Disa nga idetë e tij aktuale me gjasë do të përfundonin në gjykata apo do të hidheshin poshtë nga Kongresi. Por, fushata e Trumpit dhe grupet aleate po mbledhin politika dhe plane të detajuara.
Më poshtë mund të mësoni më shumë për agjendën e Trumpit:
Shkatërrimi i “kontrolluesve të shtetit”
Trump planifikon që dhjetëra mijëra shërbyesve civilë t’ua heqë mbrojtjet civile. Në këtë mënyrë, ata do të mund të largoheshin nga puna, përderisa Trump tenton që të “shkatërrojë plotësisht kontrolluesit e shtetit”.
Ai, po ashtu, synon të arrijë këtu duke lëshuar sërish urdhrin ekzekutiv të vitit 2020 të njohur si “Schedule F”. Kjo do t’i lejonte atij të riklasifikonte masat e punonjësve, me një fokus të veçantë, siç ka thënë ai, ndaj “burokratëve të korruptuar që e kanë shndërruar në armë sistemin tonë të drejtësisë” dhe “aktorët e korruptuar të aparatit tonë të sigurisë kombëtare dhe të inteligjencës”.
Duke pasur parasysh zemërimin e tij ndaj Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe prokurorëve federalë që po udhëheqin çështjet penale ndaj tij, Trump me gjasë do të shënjestronte njerëz të lidhur me këto raste, si shenjë hakmarrjeje.
Përtej largimeve nga puna, ai dëshiron që t’i shtypë zyrtarët e Qeverisë, prej nga rrjedhin informacionet deri te gazetarët. Ai, gjithashtu, dëshiron që ta bëjë të obligueshme që zyrtarët federalë t’i nënshtrohen një testi të ri për shërbim civil.
Trump u zotua që të ndalë “menjëherë pushtimin në kufirin tonë jugor” dhe t’i japë fund imigrimit të paligjshëm.
Si pjesë e këtij plani, ai tha se menjëherë do të udhëzonte departamentin e Imigrimit dhe të Doganave të SHBA-së të ndërmerrnin operacionin më të madh të dëbimit në historinë amerikane. Ai operacion do të shënjestronte personat që jetojnë ilegalisht në SHBA, por shprehin “mbështetje për xhihadistët” dhe do të hiqte vizat për studentët, të cilët kanë qëndrime antiamerikane dhe antisemitiste.
Në përpjekje për të siguruar kufirin SHBA-Meksikë, Trump tha se ai do të dislokonte mijëra trupa, që aktualisht janë të stacionuara jashtë vendit, dhe agjentë federalë, përfshirë edhe të FBI-së dhe të Administratës kundër Drogës (DEA) të cilët do të punonin si zyrtarë të imigrimit.
Ai deklaroi se dëshiron të ndërtojë më shumë në murin përgjatë kufirit.
Trump dëshiron të rivendosë ndalesën për udhëtime, që fillimisht shënjestronte shtatë shtete me shumicë myslimane. Por, ish-presidenti dëshiron që kjo ndalesë të zgjerohet në mënyrë që “të mbahen jashtë shtetit terroristët radikalë islamikë”.
Në dritë të sulmit të Hamasit – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit, ai është zotuar se do të vendosë “kontrollet për ideologjitë” ndaj imigrantëve. Qëllimi i tij: ndalimi “i të çmendurve të rrezikshëm, fanatikëve, maniakëve dhe urrejtësve”, por edhe i atyre që mbështesin “terroristët radikalë islamikë dhe ekstremistët”.
Për të penguar emigrantët ai tha se duhet t’i jepet fund praktikës së marrjes së shtetësisë për shkak të lindjes së tyre në SHBA dhe kjo, sipas tij, do të bëhej përmes një urdhri ekzekutiv që do të bazohej në një interpretim – të patestuar në gjykatat amerikane – të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane.
Urdhri do të pengonte agjencitë federale që në mënyrë automatike të jepnin shtetësi për fëmijët e personave që qëndrojnë ilegalisht në SHBA. Një gjë e tillë do të kërkonte që të paktën një prind të ishte shtetas amerikan ose banor i ligjshëm në SHBA në mënyrë që fëmija e tij të mund të merrte pasaportën amerikane, numrin e sigurimit social dhe përfitime të tjera.
Trumpi deklaroi se do të vendosë një sistem të ri të tarifave, ndoshta 100 për qind, ndaj shumicës së mallrave të huaja. Ndëshkimet do të rriteshin nëse partnerët tregtarë do të manipulonin me çmimet e tyre ose në rast të praktikave të padrejta tregtare.
Ai dëshiron që Kongresi të miratojë “Aktin Trump të Tregtisë Reciproke”, që parasheh t’i japë presidentit autoritetin që të vendosë një tarifë reciproke ndaj çdo vendi që vendos një të tillë ndaj SHBA-së.
Shumica e agjendës së tij në fushën e tregtisë përqendrohet në Kinë. Trump ka propozuar një plan katërvjeçar për të hequr gradualisht importet kineze të mallrave bazike, përfshirë ato elektronike, çelikun dhe produktet farmaceutike. Ai dëshiron të ndalojë që kompanitë kineze të marrin në pronësi infrastrukturën jetike amerikane në sektorë të tillë sikurse energjia, teknologjia dhe bujqësia. Trump tha se do t’i detyrojë pronarët kinezë që të shesin çdo pronë “që rrezikon sigurinë kombëtare të Amerikës”.
Trump pretendon se edhe para se të inaugurohet, ai do të zgjidhë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës. Kjo përfshin, sipas tij, dhënien fund të “dërgesës së pafundme të thesarit amerikan në Ukrainë” dhe do t’u kërkojë aleatëve evropianë t’ia rimbursojnë SHBA-së koston e rindërtimit të stoqeve.
Është e paqartë nëse ai do të insistonte që Rusia të tërhiqet nga territori që ka pushtuar në Ukrainë në luftën që Moska nisi në shkurt të vitit 2022.
Trump ka thënë se ai do të mbështesë Izraelin në luftën kundër Hamasit dhe do të mbështesë Izraelin në përpjekjet për të “shkatërruar” këtë grup terrorist. Ai ka deklaruar se do të vazhdojë të “rivlerësojë rrënjësisht” qëllimin dhe misionin e NATO-s.
Qëllimi i Trumpit, siç tha ai, është që SHBA-ja të ketë koston më të ulët të energjisë dhe rrymës se çdo shtet tjetër në botë, përfshirë Kinën.
Ai theksoi se do të intensifikojë shpimet në tokat publike për naftë dhe do të ofrojë lehtësira tatimore për prodhuesit e naftës, gazit dhe qymyrit. Trump shprehu planin që të hiqet dorë nga përpjekjet e administratës Biden për inkurajimin e përdorimit të makinave elektrike dhe të politikës për kufizimet e ndotjes që kërkojnë që në SHBA 53 për qind e makinave të reja që shihen të jenë elektrike deri në vitin 2030.
Sërish, ai tha se do të largohej nga Marrëveshja për Klimën e Parisit dhe do të hiqte dorë nga politikat e Bidenit për energji të pastër.
Trump u zotua se nëse zgjidhet president do të shuajë Departamentin e Edukimit, sepse ai dëshiron të ketë ndikim të madh në shkollat lokale dhe kolegjet.
Ai, po ashtu, tha se dëshiron të ketë ndikim edhe në kurrikulat shkollore, duke u zotuar se do të luftojë për “edukim patriotik”. Nën administratën e tij, tha Trump, shkollat do t’iu mësonin “nxënësve që të duan shtetin e tyre, të mos e urrejnë shtetin e tyre” dhe të promovojnë “familjen bërthamë”, përfshirë “rolet e nënave dhe baballarëve” dhe “gjërat që i dallojnë gratë nga burrat”.
Për t’i mbrojtur nxënësit, ai theksoi se do të mbështesë idenë që shkollat lokale të lejohen që t’i trajnojnë mësuesit për përdorimin e armëve të zjarrit dhe që ata të lejohen të mbajnë armë. Po ashtu, ai premtoi financimin e shkollave për të punësuar veteranë, policë në pension dhe persona të tjerë të trajnuar për përdorimin e armëve në rolin e rojeve të shkollave.
Sa u përket të pastrehëve, Trump tha se do t’i detyrojë qytetet që t’i largojnë të pastrehët dhe të ndërtohen qytete me tenda në parcela të tokave të lira.
Ndërkaq, sa i përket sigurisë së publikut, Trump edhe një herë do të tentojë të dërgojë Gardën Kombëtare në qytetet sikurse Çikago që po përballen me dhunë. Ai tha se do të përdorë fondet e Qeverisë dhe autoritetet gjyqësore për të forcuar njësitë lokale të zbatimit të ligjit./rel
Rrahmani: Jemi duke përpiluar planin e qeverisjes për zgjedh...
Veliaj thirrje studentëve: Rezervoni online dhomën e konvikt...
Mbi 3.000 të vrarë në Liban gjatë 1 viti lufte mes Izraelit ...
Bislimi: Shkalla e papunësisë ka rënë nga 23.8% në 10.8%
E kapën me forcë Sarën për ta hedhur në pishinë – Del klipi ...
“Ndryshimi po vjen”, Abdixhiku ia rikujton Kurti...