Debati për kufizimin e armëmbajtjes në SHBA

01:35 | 19 Gusht 2022
Trina Galanxhi

Pas një numri incidentesh me armë, Shtetet e Bashkuara po përpallen me mesazhe kontradiktore për çështjen e rregullimit të armëve. Gjykata e Lartë rrëzoi disa ligje shtetërore që kufizonin armëmbajtjen, ndërsa Kongresi miratoi një ligj që zgjeronte kontrollet e shëndetit mendor për blerësit e rinj të armëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti shkoi në qytetin e Bristolit, në Tenesi, për të mësuar se cilat rregulla mund të mbështeten nga pronarët e armëve.

Rrobat e saj ende janë aty ku i la para një viti. Dhoma e saj e gjumit duket njësoj. Por ajo nuk është këtu.

“Sa herë që prek diçka për ta lëvizur mendoj, pse po e bëj këtë, a duhet ta bëj…”

Gabrielle, vajza 17-vjeçare e Jesse Kennedy-t, u vra nga njerku i saj. Ai vrau edhe nënën e saj, ish-gruan e zotit Kennedy, përpara se të vriste veten.

Jesse Kennedy, një ish-oficer policie, zotëron armë dhe nuk e mbështet nxjerrjen e tyre jashtë ligjit.

“Unë besoj fort se mënyra e vetme për të ndalur një person të armatosur me synime të këqija është një person tjetër i armatosur me synime të mira”, thotë ai.

Por ai mendon se disa njerëzve duhet t’u ndalohet blerja e armëve, përfshirë personin që vrau vajzën e tij.

“Unë nuk mendoj se ka një kontroll të mjaftueshëm të biografisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një armë zjarri të atij kalibri”, thotë ai.

Mads Harpsoe erdhi në Tenesi për të bërë atë që nuk mund ta bënte në vendin e tij. Ai po gjuan me një armë automatike AR-15, që është e paligjshme në Danimarkë.

Një armë e ngjashme u përdor në vrasjen e vajzës dhe ish-gruas së zotit Kennedy dhe në shumë incidente të tjera me armë, duke përfshirë sulmin në një shkollë në Uvalde të Teksasit, ku u vranë 21 vetë.

Entuziastët e armëve, si Mads Harpsoe pëlqejnë shkathtësinë dhe fuqinë e armës.

Në korrik, Danimarka përjetoi sulmin e parë me armë, në shtatë vjet, një dukuri e rrallë që Mads Harpsoe thotë se është rezultat i ligjeve të ashpra të vendit të tij kundër armëmbajtjes. Por ai sugjeron që Shtetet e Bashkuara ta bëjnë të detyrueshëm stërvitjen për sigurinë e armëve për çdo blerës të tyre.

“Unë mendoj se ato janë në rregull. Por sigurisht që ka disa shqetësime për përdorimin e armëve. Por për argëtim, gjueti dhe gjëra të tjera, mendoj se janë në rregull”, thotë ai.

Gjatë gjithë jetës së tij, Travis McCracken ka patur armë. Ai është kundër ligjeve që, sipas tij, po rrisin çmimet e municioneve dhe beson se mbajtja e armëve në publik e bënë jetën më të sigurt.

“Për mendimin tim, arma është një mjet sigurie. Kjo paralajmëron njerëzit e tjerë se mund thumbohen nëse fusin gishtin në folenë e bletës”, thotë ai.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ra dakord dhe tha se është e drejta e secilit amerikan të mbajë armë për vetëmbrojtje.

Dy ditë më vonë, Presidenti Biden nënshkroi një ligj për armët, duke zgjeruar kontrollet e shëndetit mendor për blerësit nën moshën 21 vjeç. Ligji gjithashtu forcon masat kundër abuzuesve që blejnë armë.

Nuk është e qartë nëse të ashtuquajturat ligje paralajmëruese do të kishin shpëtuar familjarët e zotit Kennedy.

“Duhet të ketë një përgjigje që do të ketë më shumë kuptim sesa ato që kemi tani”, thotë ai.

Si pronar armësh, ai mbështet disa ndryshime.

“Duhet të ketë disa ndryshime sepse ajo që po bëjmë tani nuk po funksionon”, thotë zoti Kennedy./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme