Debat i ashpër në OKB rreth sulmit amerikan në Siri

20:34 | 7 Prill 2017
Arbresh.info

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është duke u zhvilluar debat i ashpër lidhur me sulmet amerikane në Siri. Derisa përfaqësues të Britanisë së Madhe dhe Francës kanë mbështetur aksionin e ndërmarrë nga presidenti Donald Trump, pala ruse nuk ka kursyer kritika të ashpra në adresë të Uashingtonit zyrtar.

Ambasadori britanik, Methju Rajkroft, ka thënë se vendi i tij mbështet në tërësi aksionin e SHBA-ve, e cila siç u shpreh ai, është përgjigje adekuate ndaj krimit të tmerrshëm të luftës, por se tash është koha që të kalohet në procesin politik.

Edhe ambasadori francez Fransoa Delatr përshëndeti sulmin, por shfaqi shpresën për nisjen e serishme të negociatave politike.

Rusia, aleatja kryesore e Sirisë, ka akuzuar SHBA-të për “shkelje të drejtave ndërkombëtare” për shkak të sulmit raketor në bazën siriane.

Përfaqësuesi i këtij shteti, Vladimir Safronkov tha se SHBA-të kanë sulmuar një shtet sovran dhe se kjo sipas tij paraqet shkelje flagrante e të drejtave ndërkombëtare dhe akt agresioni.

Ndryshe, sulmi amerikan ishte si kundërpërgjigje ndaj sulmit të mëhershëm të forcave të Bashar al Asadit, të cilat thuhet se kanë përdorur gaz helmues duke shkaktuar vdekjen e 86 personave, në mesin e tyre pothuajse 30 fëmijë. Analizat e gjakut tregojnë se viktimat ishin të ekspozuara sarinës, gazit të fortë neuro-toksik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme