Mangësitë me pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit; mungesa e mediave të pavarura; dhe korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, në organet e zbatimit të ligjit dhe në institucionet lokale, vazhduan të ishin problemet kryesore në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, të botuar të hënën.
DASH nënvizon se nuk ka pasur ndryshime të konsiderueshme në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2023. Në raport thuhet se qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut.
Lidhur me korrupsionin, Departamenti i Shtetit vë në dukje se në përgjithësi qeveria e Shqipërisë e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe që ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste të tjera qeveritare ose shtetërore, megjithatë thotë se pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri.
“Korrupsioni ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private, megjithëse autoritetet bënë përparim gjatë vitit në luftën kundër korrupsionit dhe drejt dhënies fund të mosndëshkimit”, thuhet në raport.
DASH- përmend arrestimet e nivelit të lartë nga SPAK-u dhe dënimet për raste korrupsioni, përfshirë dënimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarit të tij të Përgjithshëm Alqi Bllako.
“Në korrik SPAK-u lëshoi një urdhër-arresti ndërkombëtar për ish-zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave (dhe deputet i Partisë Socialiste) Arben Ahmetaj. Ai u largua nga vendi pasi parlamenti pranoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Ahmetajt që ai të mund të arrestohej me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie”, thuhet në raport.
Në raport përmendet gjithashtu rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Në tetor, SPAK njoftoi se po hetonte zyrtarisht ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv lidhur me një marrëveshje toke nga e cila dhëndri i tij përfitoi rreth 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës, urdhëroi Berishën të paraqitej rregullisht në policinë gjyqësore dhe i ndaloi daljen nga vendi”, thotë DASH-i.
Po ashtu Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit njoftoi se deri në muajin gusht kishte referuar gjashtë çështje të reja për ndjekje penale, ku përfshihej një deputet, një prokuror, tre drejtorë në agjencitë qeveritare dhe një administrator në një kompani qeveritare. Akuzat përfshinin refuzimin e deklarimit të pasurisë, fshehjen e pasurisë ose falsifikimin e deklaratave të pasurisë; Pastrim parash; dhe evazion fiskal.
Duke folur për korrupsionin në policor, raporti thotë se vazhdoi të ishte problem, sidomos mes oficerëve të policisë së vijës së parë.
Pavarësia e gjyqësorit
“Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.
DASH shton më tej se vazhdoi zbatimi i procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurororët, në mënyrë që të përjashtoheshin nga sistemi ata që kishin pasuri të pashpjegueshme, ose lidhje me krimin e organizuar.
“Avokati i Popullit vlerësoi se gjyqësori kishte bërë përparim drejt krijimit të një sistemi më të pavarur, por shtoi se nevojiteshin më shumë burime”, thotë raporti.
Sipas raportit sistemi gjyqësor po bëhet më i pavarur falë procesit të vetingut dhe veprimeve të SPAK-ut, megjithatë vihet në dukje se qytetarët janë ankuar për mungesë transparence në hetime, zvarritje të konsiderueshme të proceseve dhe vendime të padrejta gjyqësore.
Departamenti i Shtetit thotë se megjithëse kushtetuta dhe ligji parashikojnë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe publik, dhe se gjyqësori në përgjithësi e zbatoi këtë të drejtë…
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit vuri në dukje se çështjet e prapambetura të grumbulluara, vendet vakante në gjyqësor dhe mungesa sistematike e efikasitetit, minuan besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në raport.
Shumica e ankesave nga qytetarët kishte të bënte me mungesën e përgjigjes nga organet qeveritare ndaj shqetësimeve të tyre, shkeljet e procesit të rregullt ligjor, gjykimet dhe dënimet e padrejta.
Në raport përmenden shqetësimet për proceset gjyqësore administrative lidhur me padinë e ngritur nga Fondacioni Gulistan për mbylljen e shkollës së mesme të vajzave “Mehmet Akif Ersoy” dhe kopshtit të fëmijëve “Zubeyde Hanim” në vitin 2022.
DASH thotë se Komiteti Shqiptar i Helsinkit vërejti se “palët nuk u trajtuan në mënyrë të barabartë gjatë gjykimit” dhe se kishte pikëpyetje në lidhje me paanshmërinë e gjyqtarëve.
Parregullsitë në zgjedhjet e fundit
DASH i referohet raportit të ODIHR-it, sipas së cilit zgjedhjet vendore të 14 majit, “në përgjithësi ishin të administruara mirë, konkurruese dhe paqësore”, por se ato u shoqëruan edhe me probleme, përfshirë
“Raporti gjithashtu vuri në dukje keqpërdorimin e burimeve administrative në nivel qendror dhe lokal, ankesat për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, si edhe njoftime për blerje votash”, thotë Departamenti i Shtetit.
DASH vazhdon më tej se “rregullat për mbulimin mediatik të fushatës favorizuan fuqishëm partitë kryesore” dhe se përdorimi i vazhdueshëm nga media i materialeve të fushatës të përgatitura nga partitë në emisionet e lajmeve “minoi një pasqyrim gjithëpërfshirës dhe objektiv të fushatës”.
“Raporti përfundimtar i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet e majit identifikoi raste të keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, pretendime për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, si dhe akuza për blerje votash”, thuhet në raport.
Po ashtu DASH i referohet gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, si sipas së cilave ky Komitet kishte vërejtur “frikësim të votuesve, parti politike që vëzhgonin aktivitetet e votuesve” dhe mungesën e pasqyrimit nga media të fushatës së partive të vogla.
Shqetësime për gjendjen e medias
Raporti shpreh shqetësimin për gjendjen e medias duke vënë në dukje se “organizatat e pavarura të medias dhe gazetarët profesionistë pohuan se qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente”.
“Pati njoftime të besueshme se përfaqësues të lartë të mediave përdorën mediat e tyre për të bërë shantazh ndaj bizneseve duke i kërcënuar me mbulim negativ mediatik. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve, kufizuan pavarësinë e medias së shkruar dhe gazetarët njoftohet se praktikuan autocensurë”, thuhet në raport.
Departamenti i Shtetit thotë se mungesa e kontratave të rregullta të punës, reduktoi pavarësinë e gazetarëve dhe kontribuoi tek njëanshmëria e raportimit.
DASH përmend vonesat në pagesat për gazetarët në shumë media, “përfshirë të paktën tetë stacione televizive, në disa raste deri në pesë muaj”, duke iu referuan Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Sipas raportit, problemet financiare detyruan disa gazetarë të mbështeteshin më shumë në burimet e jashtme të të ardhurave, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe integritetin e raportimit të tyre.
Megjithëse qytetarët ishin të lirë të kritikonin qeverinë hapur, përfshirë në mediat tradicionale dhe ato sociale, DASH vë në dukje shqetësimet se “kritika e hapur ndaj qeverisë mund të kishte pasoja negative”.
“Instituti Shqiptar i Studimeve Politike raportoi se individët që kritikuan publikisht qeverinë dhe politikanët kryesorë u përballën me fushata shpifëse nga mbështetësit e qeverisë dhe udhëheqësit politikë”, thotë raporti.
Po sipas raportit, politikanët përdorën mediat e njohura për të përhapur lajme të rreme në lidhje me rivalët dhe kritikët e tyre dhe se interesa politike dhe të biznesit, u bënë presion gazetarëve.
Në raport përmenden disa raste të dhunës dhe frikësimit kundër gazetarëve, përfshirë rastin e Elvis Hilës i televizionit Report TV dhe gruaja së tij që u sulmuan në Lezhë, pasi Hila publikoi një raport, sipas së cilit njëri prej autorëve të sulmit.
Raporti gjithashtu radhit sulmin me arnë zjarri ndaj televizionit Top Channel, ku humbi jetën një roje sigurie.
Organizata të ndryshme sipas raportit, kanë pohuar se në dy vitet e fundit n”dryshimet e pronësisë tek televizionet rezultuan në mbulim më të favorshëm të qeverisë”.
Po ashtu DASH thotë se pasi televizioni ABC News ndryshoi pronësinë, pati raportime se programet e drejtuara nga gazetarë kritikë ndaj qeverisë u mbyllën dhe ata gazetarë u larguan nga stacioni.
Një shembull tjetër është televizioni publik, Radio Televizioni Shqiptar ku në raport thuhet se pas ndryshimit të drejtuesve të lartë, disa njoftime mediash thanë se u bënë shkarkime të pajustifikuara.
Në raport thuhet gjithashtu se sipas njoftimeve, menaxherët e lartë i medias private Syri.net, monitoruan komunikimet e gazetarëve dhe redaktorëve në mënyrë elektronike për t’u siguruar që ata respektpnin prirjet politike të pronarëve.
Unioni i Gaztarëve shprehu gjithashtu shqetësimin për shtimin e padive ndaj gazetarëve.
Deri në tetor kishte patur 12 raste për shpifje kundër gazetarëve./VOA
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...