Departamenti Amerikan i Shtetit tha se rezoluta e miratuar së fundmi në Kongres për të njohur gjenocidin ndaj armenëve nuk pasqyron politikën e administratës së presidentit Donald Trump.
Në një deklaratë të shkurtër të martën, Departamenti i Shtetit tha se qëndrimi i administratës Trump për këtë çështje është i pandryshuar.
Senati votoi njëzëri javën e kaluar për të njohur si gjenocid vrasjen masive të më shumë se 1 milion armenëve nga turqit osmanë një shekull më parë. Dhoma e Përfaqësuesve kishte miratuar më parë një projekt-ligj të ngjashëm me gjithë protestat e ashpra të aleatit të NATO-s, Turqisë.
“Pozicioni i administratës nuk ka ndryshuar”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus në një deklaratë të shkurtër me vetëm dy fjali. “Pikëpamjet tona pasqyrohen në deklaratën përfundimtare të presidentit për këtë çështje prillin e kaluar”.
Më 24 Prill, presidenti Donald Trump përkujtoi Ditën e Kujtimit të Armenëve me një deklaratë që nderonte “kujtimin e atyre që vuajtën në një nga mizoritë më të këqija masive të shekullit të 20-të”.
Në përputhje me politikën tashmë të njohur amerikane, deklarata nuk përdorte termin “gjenocid”.
Rezoluta e Senatit pasoi një votim të një komisioni të Senatit për të vendosur sanksione ndaj Turqisë pas ofensivës së saj në Siri dhe blerjes së sistemit raketor rus S-400.
Synimi i Kongresit ishte të nxiste presidentin Trump të merrte një linjë më të ashpër ndaj presidentit turk Reccep Tayyip Erdogan.
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...