Në Danimarkë, grupet e të drejtave të njeriut po paralajmërojnë me këmbëngulje kundër planeve të qeverisë daneze për ta ashpërsuar edhe më tej legjislacionin ekzistues dhe të diskutueshëm mbi të ashtuquajturat “geto”.
Projektligji i paraqitur në mes të marsit përqendrohet në të ashtuquajturat “shoqëri paralele”. Qeveria daneze e përdor këtë term për lagje të banuara, të cilat ajo beson se nuk janë integruar sa duhet në shoqërinë daneze. Ligji i ri synon të zvogëlojë përqindjen e banorëve “jo perëndimorë” në lagjet në disavantazh në 30 përqind gjatë dhjetë viteve të ardhshme dhe të zhvendosë familjet e prekura në pjesë të tjera të vendit.
Paralajmërimet më të forta
Edhe sot, përqindja e banorëve “jo perëndimorë” në lagjet në disavantazh nuk duhet të kalojë 50 përqind. Këtë e parashikon “Ligji për getot” i miratuar në vitin 2018. Rregullorja zbatohet për lagjet me më shumë se 1000 banorë, struktura e popullsisë të të cilave matet në bazë të katër kritereve: papunësisë, të ardhurave, arsimit dhe kriminalitetit.
Data e votimit në parlament nuk është caktuar ende, por gjasat që të gjendet një shumicë për projektligjin janë të mëdha. Avokatët e të drejtave të njeriut kanë njoftuar rezistencë nëse projekti pranohet siç është planifikuar.
“Shqetësimi ynë është që përkatësia etnike do të jetë më në fokus se më parë,” shpjegon Nanna Margrethe Kusaa, eksperte në Institutin Danez për të Drejtat e Njeriut. “Ne jemi shumë të shqetësuar, sepse kur bëhet fjalë për përkatësinë etnike, paralajmërimet janë maksimale.”
Zyra e Komisioneres së OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet kishte paralajmëruar që vitin e kaluar për pasojat e një ndryshimi të tillë në ligj: “Popullsia jo e bardhë dhe jo evropiane e Danimarkës është veçanërisht e prekur nga masat kundër të ashtuquajturve banorë “jo perëndimorë” thuhet në një deklaratë.
Shkelje e ndalimit të diskriminimit?
Sipas Margrethe Kusaas, në Danimarkë pritet të nisin tre procese gjyqësore kundër “ligjeve të getos”. “Ne jemi të mendimit se këto raste ka shumë të ngjarë të jenë diskriminim që shkel ligjin kombëtar dhe evropian”, thotë ekspertja.
Ministria e Brendshme daneze e hedh poshtë pretendimin. Kategoria “jo perëndimore” sipas saj është në përputhje me termat e përdorur nga Zyra Statistikore Daneze. Sipas këtij standardi, veç shteteve të BE, vendet e mëposhtme i përkasin grupit të vendeve perëndimore: Britania e Madhe, Andorra, Islanda, Lihtenshtajni, Monako, Norvegjia, Zvicra, Vatikani, Kanada, SHBA, Zelanda e Re dhe Australia.
“Të gjitha vendet e tjera konsiderohen shtete jo perëndimore,” tha ministrja e brendshme daneze në një deklaratë për DW. “Dallimi midis vendeve perëndimore dhe atyre jo perëndimore nuk ka asnjë lidhje me sistemin politik, fenë, kulturën ose ekonominë e një vendi.”
Kritikët, megjithatë, argumentojnë se ky lloj projektligji do të stigmatizonte danezët emigrantë, veçanërisht myslimanët dhe njerëzit me ngjyrë. Kështu e quajnë veten njerëzit që nuk perceptohen si të bardhë dhe perëndimorë dhe që kanë përjetuar racizëm.
Mos i minimizoni problemet
Ish-deputetja Özlem Cekic, e cila ishte një nga gratë e para muslimane që hyri në parlamentin danez, e përshkroi projektligjin e fundit si “kundërproduktiv”. “Unë jam dakord me qeverinë, që në disa lagje ka probleme të mëdha”, i tha kurdja DW. Por këto nuk janë aq të mëdha sa që njerëzit duhet të zhvendosen nga zonat e tyre të banimit.
Sipas Cekicit, projektligji drejtohet përgjithësisht kundër grupeve të margjinalizuara të popullsisë. “Nuk ka të bëjë vetëm me myslimanët ose emigrantët, por edhe me klasën punëtore. Shumë banorë të lagjeve në disavantazh nuk kanë mjete të sigurta jetese.”
Kopenhaga e vijës së ashpër
Danimarka është një nga vendet në Evropë me ligjet më të ashpra të imigracionit dhe azilit. Në ndryshim nga shtetet e tjera të BE, megjithatë, ky kurs në vend mbështetet nga të gjitha partitë kryesore në të majtë dhe të djathtë.
Ndryshimi politik i kursit filloi në vitin 2015, nën kryetarem e atëhershëm të Socialdemokratëve Danezë, Mette Frederiksen, e cila e drejtoi vendin si kryeministre, që nga viti 2019.
“Udhëheqja e partisë vendosi që socialdemokratët të ndjekin një linjë të ashpër ndaj imigracionit dhe kjo është pikërisht ajo që bënë ata,” thotë Rune Stubager, politolog në Universitetin Aarhus.
Sipas Stubager, socialdemokratët danezë ndoshta do të mbledhin pikë edhe me projektligjin e ri – edhe sikur drejtësia daneze ta shohë kriterin “jo perëndimor” si një shkelje të së drejtës kombëtare dhe evropiane.
Dhe edhe nëse informacioni i Zyrës daneze të Statistikave flet një gjuhë tjetër: sipas tij, vetëm 5.3 përqind e emigrantëve “jo perëndimorë” jetuan në të ashtuquajturat zona problematike vitin e kaluar.
Për ish-deputeten Özlem Cekic, ky kurs politik është i rrezikshëm. “Fëmijët nga lagjet në disavantazh ndihen si danezë,” thotë ajo. “Ata kanë lindur në Danimarkë, kanë një pasaportë daneze, flasin danisht dhe shkojnë në shkollë këtu”.
Megjithatë, atyre u duhet të vazhdojnë të dëgjojnë: “Ti nuk je danez, sepse je musliman. Si mund të prisni që këta fëmijë të jenë besnikë ndaj shtetit, kur ai nuk i pranon ashtu siç janë?”/dw/
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...