Danimarka me mjete ligjore do ta parandalojë djegien e Kuranit

07:04 | 31 Korrik 2023
E.H

Qeveria daneze do të përpiqet të gjejë mjete ligjore që do t’u mundësojnë autoriteteve të parandalojnë djegien e kopjeve të Kuranit para ambasadave të vendeve të tjera në Danimarkë.

Kështu tha ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, i cili dënoi djegien e Librit të Shentë të myslimanëve, raporton aljazeera.

“Djegiet janë akte thellësisht fyese dhe të pamatura të kryera nga pak individë. Këta pak individë nuk përfaqësojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria daneze”, tha ai.

“Prandaj qeveria daneze do të shqyrtojë mundësinë e ndërhyrjes në situata të veçanta ku, për shembull, ofendohen vende, kultura dhe fe të tjera dhe ku kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme negative për Danimarkën, jo më pak në lidhje me sigurinë”, deklaroi ministri.

Danimarka dhe Suedia janë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare javët e fundit pas protestave ku është dëmtuar ose djegur Kur’ani.

Në një deklaratë të veçantë të dielën, kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se kishte qenë në kontakt të ngushtë me homologen daneze, Mette Frederiksen dhe se një proces i ngjashëm tashmë ishte duke u zhvilluar në Suedi. /Telegrafi/

Të ngjashme