Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy e quajti historik vendimin e Danimarkës dhe Holandës për të furnizuar Kievin me avionë luftarakë amerikanë F-16.
Ai tha se përforcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës do të ndihmojë luftën për mbrojtjen e vlerave perëndimore të lirisë dhe demokracisë, kundër tiranisë dhe u shpreh i bindur se vendi i tij do të fitojë.
Presidenti ukrainas,Volodymyr Zelenskyy falënderoi Danimarkën për mbështetjen ushtarake të Ukrainës, në një fjalim në parlamentin danez në Kopenhagë, një ditë pas vendimit të Danimarkës dhe Holandës për furnizimin e Kievin me avionët luftarakë të prodhuar nga Shtetet e Bashkuara, F-16.
“Jeni vendi i një populli me zemër të madhe para së cilës Rusia duket e vogël. Jemi mirënjohës për mbështetjen tuaj të fuqishme, mbështetjen e një vendi të madh. Sepse, një vend të madh e bëjnë njerëzit e mëdhenj, me vlera të përbashkëta”, tha zoti Zelenskyy.
Nga ana e saj, Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e siguroi zotin Zelenskyy se populli danez qëndron pas Ukrainës.
“Sepse ne e dimë se lufta juaj është lufta jonë dhe e dimë se nuk kanë rëndësi vetëm fjalët, por veprat në terren”, tha zonja Frederiksen.
Avionët e parë pritet të dhurohen pranë Vitit të Ri. Gjithsej, Danimarka do të dërgojë 19 avionë F-16.
Zoti Zelenskyy tha se ky është një vendim historik për të gjithë rajonin, që do të ndihmojë luftën e Ukrainës për të mbrojtur vlerat perëndimore.
“Të gjithë fqinjët e Rusisë janë nën kërcënim nëse Ukraina dorëzohet, e drejta ndërkombëtare nuk do të jetojë, të gjitha demokracitë në botë do të vihen në shënjestër, qoftë me raketa, mercenarë apo me plane destabilizuese. Por Ukraina do të mbizotërojë”, tha zoti Zelenskyy.
Nga fillimi i sulmit rus, Kievi ka ushtruar trysni ndaj aleatëve të tij perëndimorë për furnizim me avionët luftarakë F-16.
Forcat ukrainase ende përdorin avionë luftarakë të epokës sovjetike të viteve 1970-1980.
Ekspertët thonë se është një humbje e madhe fakti që Ukraina po zhvillon kundërofensivën e saj ndaj pozicioneve ruse pa mbështetje ajrore.
Rusia dënoi vendimin e Danimartës dhe Holandës, duke thënë se kjo lëvizje do të përshkallëzojë konfliktit./voa/