Google ADS

Dalje e ulët e votuesve në zgjedhjet presidenciale në Afganistan

22:01 | 29 Shtator 2019
Arbresh.info

Në Afganistan ka nisur numërimi i votave të zgjedhjeve presidenciale, të cilat u mbajtën më 28 shtator, e që u përshkuan me parregullsi dhe disa sulme.

Një anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Afganistan, tha se dalja në këto zgjedhje ishte e ulët, ku pak më shumë se 2 milionë persona votuan apo 20 për qind e trupit votues, prej 9,57 milionë banorëve me të drejtë vote.

Zyrtarët zgjedhorë afganë thanë se qytetarët kanë votuar në 4,905 qendra të votimit. Mbi 500 qendra të votimit u mbyllën, për shkak të kërcënimeve nga sulmet e militantëve.

Pesëmbëdhjetë kandidatë kanë garuar për president, por dy prej tyre konsiderohen favorit, Ashraf Khani dhe Abudullah Abdullah.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk fiton shumicën e votave, raundi i balotazhit do të mbahet më 23 nëntor.

Rezultatet preliminare pritet të publikohen më 19 tetor, ndërkaq rezultatet përfundimtare pritet të dalin më 7 nëntor.

Gjatë votimit ndodhën disa sulme. Në Kandahar u raportua për një shpërthim në një xhami që po përdorej si qendër votimi. Nga ky shpërthim u plagosën 15 persona. Ka pasur edhe raportime për hedhje të raketave edhe në vende të tjera në mbarë vendin. Po ashtu, shpërthime ka pasur afër qendrave të votimit në Kabul, Ghazni dhe Jalalabad.

Rreth 72 mijë pjesëtarë të sigurisë u shpërndanë në mbarë vendin, për të siguruar një proces të qetë zgjedhor, pas paralajmërimeve nga militantët talibanë se do të kryejnë sulme.

Ndërkaq, në provincën Kunduz, militantët talibanë sulmuan forcat e sigurisë afgane, në dy lokacione jashtë qytetit.

Sipas zyrtarëve, nga këto sulme u vranë pesë zyrtarë policorë dhe 37 civilë u plagosën shkruan REL

“Armiku (talibanët) kanë kryer 68 sulme në qendrat e votimit në mbarë vendin”, tha ministri në detyrë i mbrojtjes, Asadullah Khalid.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme