Dalin përgjimet e Ministrit të Jashtëm Britanik

10:00 | 8 Qershor 2018
A. B.

Boris Johnson paralajmëroi gjatë një darke private se “Brexit” mund të ngatërrohet shumë keq, ndërsa Departamentin e Thesarit e cilësoi si zemrën e fushatës për të qëndruar në Bashkimin Evropian.

Në komentet e regjistruara të ministrit të Jashtëm britanik, ai dëgjohet të thotë gjithashtu se po admironte gjithnjë e më shumë Donald Trumpin.

Miq të Boris Johnsonit u shprehën të zhgënjyer që komentet e tij, por edhe të të tjerëve gjatë një darke private, ishin regjistruar.

Pavarësisht kësaj, mediet kanë mundur të sigurojnë regjistrimin, ku Johnson thotë se kryeministrja Theresa May do të nisë një fazë, ku Britania do të jetë shumë më agresive ndaj Brukselit,transmeton CNN

“Duhet të përballemi me faktin se gjërat mund të ngatërrohen keq. Por, dua që askush të mos trembet. Gjithçka do të shkojë mirë në fund”, dëgjohet të thotë ministri i Jashtëm britanik.

Ai shton se “Brexit” është i pakthyeshëm, por ekziston rreziku që të mos jetë ai që dëshiron Britania.

Kryediplomati britanik foli edhe për presidentin amerikan Donald Trump, të cilin tha se e admiron gjithnjë e më shumë.

“Jam i bindur se ka plan brenda çmendurisë së tij. Imagjinoni Trumpin të bënte një ‘Brexit’. Do të sillej ashpër dhe do të shpërthente kaosi, por mund të arrinim diku”, dëgjohet të thotë ministri i Jashtëm britanik Johnson. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme