Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo tha se nuk do të japë dorëheqjen përballë akuzave të reja nga një ish ndihmëse e tij, e cila tha se mendonte që sjellja e guvernatorit ndaj saj ka qënë e papërshtatshme.
Zoti Cuomo tha se do të ishte “anti-demokratike” që ai të jepte dorëheqjen nën akuzat për ngacmim seksual, siç kanë kërkuar disa ligjvënës të shtetit, përfshirë kolegët e tij demokratë.
Dy zyrtarë të lartë demokratë në legjislaturën e Nju Jorkut e tërhoqën mbështetjen e tyre për guvernatorin Andrew Cuomo të dielën pas akuzave në rritje për ngacmim seksual dhe shtrembërimin e numrit të vdekjeve nga COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve.
Udhëheqësja e shumicës në Senatin e këtij shteti Andrea Stewart-Cousins u bë demokratja e parë e lartë që tha se guvernatori duhet të japë dorëheqjen. Kryetari i Asamblesë Carl Heastie nuk kërkoi që Cuomo të jepte dorëheqje, por tha në një deklaratë se “është koha që guvernatori të shqyrtojë me seriozitet nëse mund të përmbushë detyrat në funksion të nevojave të banorëve të Nju Jork-ut”.
Të shtunën, dy gra të tjera që kanë punuar për guvernatorin Cuomo e akuzuan atë publikisht për sjellje të papërshtatshme, pas akuzave të bëra nga gra të tjera javët e fundit.
“Çdo ditë ka një histori tjetër që tërheq vëmendjen nga kryerja e detyrës së qeverisë,” tha zonja Stewart-Cousins në një deklaratë. “Nju Jorku është ende në mesin e kësaj pandemie dhe ende po përballet me ndikimet shoqërore, shëndetësore dhe ekonomike të saj. Ne kemi nevojë për të qeverisur pa shpërqendrim të përditshëm. Guvernatori Cuomo duhet të japë dorëheqjen për të mirën e shtetit”, tha zonja Stewart-Cousins.
Thirrja e saj publike për dorëheqjen e guvernatorit erdhi menjëherë pas një konference shtypi të dielën ku zoti Cuomo tha se do të ishte “anti-demokratike” që ai të jepte dorëheqje.
“Në asnjë mënyrë nuk do të jap dorëheqjen,” u tha Cuomo gazetarëve.
“Ata nuk shkelin dot vullnetin e popullit, nuk shkelin dot zgjedhjet,” tha ai. “Unë u zgjodha nga njerëzit e shtetit të Nju Jorkut, nuk u zgjodha nga politikanët”.
Në një bisedë të shkurtër telefonike të dielën para konferencës për shtyp, guvernatori Cuomo i tha zonjës Stewart-Cousins se ai nuk do të jepte dorëheqje dhe se do të duhej të fillonin procedurat për shkarkimin e tij nëse donin ta hiqnin nga detyra, sipas një personi që ishte në dijeni të bisedës. Personi në fjalë foli për agjencinë Associated Press në kushte anonimiteti pasi thirrja ishte zhvilluar privatisht.
Zoti Cuomo tha se gjashtë muajt e ardhshëm do të përcaktojnë se sa me sukses del Nju Jorku nga pandemia e koronavirusit.
“Unë nuk do të shpërqendrohem sepse ka shumë punë për të bërë për njerëzit,” tha ai, duke vënë në dukje se shteti brenda tre javësh duhet të miratojë një buxhet për të administruar 15 milionë më shumë vaksina COVID-19.
Mbështetja për guvernatorin Cuomo ka rënë me shpejtësi ndërsa ai përballet me dy skandale, një për trajtimin e tij ndaj grave në vendin e punës, dhe një tjetër për refuzimin e administratës së tij prej disa muajsh për të publikuar statistika të plota për vdekjet me COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve.
Disa ligjvënës janë indinjuar nga njoftimet se administrata e guvernatorit Cuomo vonoi publikimin e disa të dhënave në lidhje me vdekjet e pacientëve në shtëpitë e të moshuarve, pjesërisht për shkak të shqetësimeve se ato mund të përdoreshin kundër tyre nga administrata e Presidentit Donald Trump.
Disa gra kanë thënë publikisht se janë ngacmuar seksualisht, ose të paktën janë bërë të ndihen të poshtëruara dhe në siklet. Prokurori i përgjithshëm i shtetit po heton akuzat. Guvernatori Cuomo u ka kërkuar njerëzve që të presin përfundimin e hetimit para se ta gjykojnë atë.
Zyrtarë tjerë që kanë bërë thirrje për dorëheqjen e guvernatorit Cuomo përfshijnë ligjvënësen Kathleen Rice, një demokrate nga Long Island./VoA/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...