Çmimet e naftës, shqetësim për Shtëpinë e Bardhë

00:41 | 12 Tetor 2021
Trina Galanxhi

Shtëpia e Bardhë vazhdon t’u bëjë thirrje vendet prodhuese të naftës që të “bëjnë më shumë” për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike globale, tha një zyrtar të hënën, pasi çmimet e naftës së papërpunuar arritën pikën më të lartë në disa vite.

Zyrtari tha se administrata po monitoron nga afër koston e naftës dhe benzinës dhe është “duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të adresuar praktikat anti-konkurruese në tregun amerikan dhe atë global të energjisë për të siguruar besueshmëri dhe qëndrueshmëri të tregut të energjisë”.

Sipas zyrtarit, Shtëpia e Bardhë e ka ngritur shqetësimin me disa vende anëtare të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, të njohur si OPEC dhe aleatët e tyre.

Çmimi i naftës së papërpunuar është në një nivel që nuk është parë që nga viti 2018, ndërsa çmimet e naftës së papërpunuar në SHBA arritën nivelet më të larta që nuk ishin parë që nga viti 2014 për shkak të një kombinimi faktorësh. Kërkesa për naftë në mbarë botën është rritur më shpejt nga sa ishte parashikuar dhe çmimet e larta të gazit natyror po bëjnë që disa vende të prodhojnë energjinë nga nafta.

Ndërkohë, OPEC-u ka mbajtur të njëjtin nivel të furnizimit që nga fillimi i pandemisë. Në një moment, ai ndërpreu më shumë se 10 milionë fuçi të furnizimit ditor nga tregu për shkak të kërkesës së ulët. Që nga korriku, OPEC-u ra dakord të rrisë prodhimin me 400,000 fuçi në ditë për të eleminuar gradualisht shkurtimet prej 5.8 milionë fuçi në ditë gjatë kulmit të pandemisë.

Grupi prodhues, i drejtuar nga Arabia Saudite, ka qenë i vëmendshëm ndaj shpërthimeve të valëve të koronavirusit që dëmtojnë kërkesën dhe ndaj financave të vendeve anëtare, të cilët përfitojnë nga çmimet më të larta.

Prodhimi i naftës në SHBA, i cili arriti kulmin pranë 13 milionë fuçish në ditë në fund të vitit 2019, mbetet shumë nën atë nivel edhe pse kërkesa ditore e karburantit është rikthyer në nivelet para-pandemisë./Voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme