Kur ka kaluar më pak se një javë që kur talebanët hynë në Kabul, vendet e ndryshme kanë nisur të marrin në konsideratë pyetjen e mprehtë: kur dhe nëse duhet ta njohin grupin islamik si forcë qeverisëse legjitime e Afganistanit.
Si një grup i shpallur si terrorist nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që nga viti 1999, talebanët kanë qenë të padëshiruar për më shumë se dy dekada.
Kur talebanët dolën nga hiri i luftës së dështuar gati 10-vjeçare të Bashkimit Sovjetik në Afganistan dhe u ngjitën në pushtet, në mesin e viteve 1990, vetëm tre vende e njohën zyrtarisht kontrollin e tyre mbi vendin, Pakistani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërsa disa vende tashmë po diskutojnë rreth rreziqeve dhe përfitimeve që sjell njohja e këtij grupimi, ka pak gjasa që ata të nxitojnë për të marrë një vendim të tillë dhe mund të presin vendet e tjera përpara se të vendosin vetë.
Këtë javë Departamenti Amerikan i Shtetit vuri në dukje se “nuk ka pasur një transferim zyrtar të pushtetit” në Afganistan dhe ka shmangur përgjigjen ndaj pyetjes se kë njeh SHBA si forcë qeverisëse të vendit.
Vende si Rusia dhe Kina po shtojnë vëmendjen tek vakumi i krijuar mbi sigurinë rajonale për shkak të tërheqjes së SHBA-së e ka më shumë gjasa që t’i njohin talebanët, si një mënyrë për të zgjeruar ndikimin e tyre.
“Ndërsa anëtarët perëndimorë të Këshillit të Sigurimit po përqëndrohen në çështje si të drejtat e grave, Rusia është më e interesuar në sigurinë rajonale dhe tregtinë e drogës“, tha Drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave pranë OKB-së, Richard Gowan.
“Kina dhe Rusia kanë arsye të forta për të qenë pragmatiste në trajtimin e talebanëve, duke pasur parasysh shqetësimet e tyre të drejpërdrejta rajonale“.
“Nuk ka arsye për panik”, tha ambasadori rus në OKB, Vasili Nebenzia, gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit më 16 gusht, një ditë pasi talebanët pushtuan Kabulin. Ai tha se ambasada e Moskës në Kabul do të vazhdojë të funksionojë si zakonisht.
“Sa i përket hapave të mëtejshëm zyrtarë në lidhje me talebanët, ne do t’i përcaktojmë ato duke u nisur nga zhvillimet konkrete dhe veprimet specifike të talebanëve“, tha i dërguari i Rusisë në OKB.
Kohët e fundit Kina priti nëntë udhëheqës talebanë në qytetin verior të Tianjinit dhe të enjten i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “inkurajojë dhe t’i orientojë” talebanët në një drejtim pozitiv, në vend që të ushtrojë më shumë presion.
Pakistani, i cili ka qenë prej kohësh një strehë e sigurt për grupin, tha se po bënte “përpjekje aktive” për të nxitur një zgjidhje gjithëpërfshirëse politike në Afganistan.
Disa kombe perëndimore gjithashtu mund të ndërmarrin një qasje në grup lidhur me çështjen e njohjes. Javën e ardhshme, përfaqësues të Grupit të Shtatëshes, do të takohen për të diskutuar rreth këtyre zhvillimeve. Udhëheqësit mund të bien dakord për një listë kriteresh që talebanët do të duhet të zbatojnë përpara se ata të shqyrtojnë mundësinë e njohjes së tyre diplomatike./VoA/
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik