“Cigare për lakra”: Banorët e izoluar në Kinë këmbejnë ushqimet

10:46 | 4 Janar 2022
Përparim Bublaku

Disa banorë të provincës kineze, Xi’an kanë nisur të këmbejnë ushqime, pas izolimit që u është bërë me qëllim të luftimit të pandemisë së koronavirusit.

Në disa postime në rrjetet sociale, banorët janë parë duke ofruar edhe pajisje teknologjike në këmbim të ushqimit.

Rreth 13 milionë banorë janë mbyllur nëpër shtëpi prej 23 dhjetorit, dhe sipas rregullave, ata nuk guxojnë as të dalin jashtë shtëpive për të blerë ushqim.

Në ditët e fundit ata kanë shprehur shumë ankesa nëpër rrjetet sociale.

Autoritetet kanë thënë se kanë furnizuar banorët me ushqime, mirëpo disa kanë thënë se furnizimet e tyre po harxhohen dhe nuk kanë marrë ende ndihmë.

Në platformat si Weibo, njerëzit janë parë duke këmbyer cigare për disa lakra, detergjent në këmbim të mollave dhe produkte higjienike në këmbim të perimeve.

“Njerëzit janë duke këmbyer ushqime dhe gjëra tjera brenda ndërtesës së njëjtë, sepse nuk kanë më ushqim të mjaftueshëm nëpër shtëpi”, ka thënë një banor me mbiemrin Wang për Radion Azia e Lirë.

Ky medium ka raportuar edhe se një tjetër burrë ka dëshiruar të tregtojë telefonin e tij me një sasi orizi.

“Qytetarët e pashpresë kanë arritur në epokën e këmbimit – patatet janë duke u këmbyer për copëza pambuku”, ka thënë një përdorues i platformës Weibo, ndërkohë që një tjetër e ka përshkruar situatën si “kthim në kohë primitive”.

Disa kanë qenë edhe optimistë dhe kanë përshëndetur fqinjët e tyre për vullnetin e mirë që të ndajnë furnizimet.

Qyteti Xi’an është kthyer në epiqendër të shpërthimit të ri të pandemisë në Kinë, prandaj autoritetet lokale janë duke zbatuar masa të ashpra, të cilat janë kritikuar në faqe online.

Ndër incidentet e fundit që është raportuar, ka qenë edhe ai për banorët e ndërtesës Mingde 8 Yingli, të cilëve u është thënë më 1 janar – pas mesnatës – se duhet të largohen nga banesat e tyre dhe të shkojnë në qendra të karantinës.

Banorët janë shokuar edhe nga disa postime të paverifikuara, të cilat janë bërë virale më 3 janar.

Një banor i qytetit Xi’an ka pretenduar se babai i tij ka vdekur, si pasojë e sulmit në zemër, mirëpo ai nuk është pranuar në spital, për shkak të situatës me pandeminë.

Spitali nuk ka komentuar ende diçka të tillë.

Ky është shpërthimi më i rëndë i pandemisë në Kinë tash e disa muaj, ndërkohë që ky shtet zbaton strategjinë e zero rasteve me koronavirus.

Të martën, autoritetet kanë vënë një tjetër qytet në izolim të plotë, pas identifikimit të tri rasteve të infektimit, pa simptoma.

Rreth 1.1 milion banorë në Yuzhou – qytet rreth 500 kilometra larg Xi’anit – do të duhet të qëndrojnë tani vetëm brenda shtëpive të tyre.

Prej të hënës në mbrëmje, pothuajse të gjitha makinave u është ndaluar lëvizja në qytet dhe të gjitha dyqanet dhe bizneset – përveç atyre e ushqime – do të duhet të mbyllen.

Masat e ashpra janë duke u zbatuar pak kohë para se të festohet Viti i Ri Hënor në Kinë dhe para mbajtjes së Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat do të zhvillohen muajin e ardhshëm në Pekin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme