CIA njoftoi të enjten se do të krijojë një grup pune të nivelit të lartë për Kinën, në kuadrin e përpjekjeve më të gjera të qeverisë amerikane për t’iu kundërvënë ndikimit të Pekinit.
Grupi i punës do të jetë një nga rreth dymbëdhjetë qendrat me mision të caktuar që menaxhon CIA dhe që do të zhvillojë takime të përjavshme në nivel drejtues për të orientuar strategjinë e agjencisë ndaj Kinës. CIA gjithashtu njoftoi se do të shtojë përpjekjet për të punësuar më shumë folës të gjuhës kineze, si dhe do të krijojë një tjetër qendër që do të përqëndrohet tek teknologjitë e reja dhe çështjet globale, si ndryshimet klimatike dhe shëndeti publik.
Administrata e Presidentit Joe Biden ka denoncuar atë që e shikon si agresion kinez për një sërë çështjesh të sigurisë dhe ekonomisë, ndërsa po kërkon të arrijë dakortësi për çështje si ndryshimet klimatike dhe armatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Zyrtarët më të lartë të administratës kanë sinjalizuar herë pas here për një zhvendosje të burimeve drejt një konkurence me Kinën, ndërsa do të ruajnë fokusin ndaj terrorizmit.
Kina përbën një sfidë veçanërisht të vështirë për komunitetin amerikan të zbulimit për shkak të izolimit të udhëheqjes së Partisë Komuniste, përmasave të ushtrisë së saj dhe shërbimeve të sigurisë, si dhe zhvillimin e teknologjive të avancuara që mund t’i kundërvihen operacioneve të zbulimit. Në një deklaratë të enjten, Drejtori i CIA-s, William Burns, e quan qeverinë kineze “kërcënimin më të rëndësishëm gjeopolitik me të cilin përballemi në shekullin e 21-të”.
“Përgjatë gjithë historisë tonë, CIA është treguar e gatshme të përballet me të gjitha sfidat që janë shfaqur”, thotë zoti Burns. “Dhe tashmë në përballjen me testin më të vështirë gjeopolitik në një epokë të re rivaliteti të fuqive të mëdha, CIA do të jetë në ballë të këtyre përpjekjeve”.
Në kuadrin e një riorganizimi, CIA do të shkrijë qendrat e përqëndruara tek Irani dhe Koreja e Veriut me grupet ekzistuese të punës që mbulojnë rajonin përkatës për secilin vend. Të dyja këto qendra me mision të caktuar për këto dy vende u krijuan gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump.
CIA do të përpiqet gjithashtu të trajtojë aspektin e vonesave në punësimet e reja, për shkak të procesit shpesh të zgjatur të kontrollit të historikut të kandidatëve dhe dhënien e çertifikatave të sigurisë, me synimin për të zvogëluar periudhën e duhur në një mesatare prej gjashtë muajsh.
Gjithashtu, agjensia do të emërojë për herë të parë një zyrtar drejtues për teknologjinë, në kuadrin e një përpjekjeje më të gjerë për të zbatuar metoda të avancuara kompjuterike.
Uashingtoni e ka akuzuar publikisht Pekinin se nuk ka bashkëpunuar në kuadrin e përpjekjeve për të kuptuar origjinën e COVID-19ës, si dhe se ka ndihmuar hakerët që sulmojnë infrastrukturën jetësore të Shteteve të Bashkuara. Nga ana e saj, Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po fajëson në mënyrë të gabuar Pekinin, dhe ka vënë në dukje dështime të mëparshme të zbulimit apo kolapsin e qeverisë në Afganistan, e cila gëzonte mbështetjen amerikane.
Dy vendet përfaqësojnë gjithashtu dy ekonomitë më të mëdha të botës, si dhe dy fuqitë më të rëndësishme ushtarake dhe politike. Marrëdhënia është tensionuar për shkak të fluturimeve të avionëve ushtarakë kinezë pranë ishullit të vetëqeverisur Tajvan, i cili ka gëzuar prej kohësh mbështetjen amerikane dhe të cilin Pekini e konsideron si pjesë të territorit të tij. Një zyrtar amerikan tha të mërkurën se Presidenti Biden dhe ai kinez Xi Jinping pritet të zhvillojnë një takim virtual deri në fund të këtij viti.
Zhvendosja amerikane drejt një konkurrence të llojit mes “fuqive të mëdha” vjen pas rënies së Kabulit në duart e talebanëve, ndërsa ushtria amerikane ishte duke përfunduar tërheqjen e saj nga Afganistani.
Tërheqja rezultoi me humbje të burimeve të rëndësishme të zbulimit në Afganistan.
Zyrtarët e zbulimit kanë vlerësuar se al-Kaida vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me talebanët dhe se mund të rifitojë kapacitetet për të goditur Shtetet e Bashkuara, ndoshta edhe brenda një ose dy viteve.
Senatori demokrat Mark Warner, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Senatit, shprehu në një deklaratë gatishmërinë për të bashkëpunuar me CIA-n “për t’u siguruar që ndryshimet organizative t’u përgjigjen sfidave me të cilat përballemi”.
“Mjedisi i kërcënimeve strategjike ka vazhduar të ndryshojë, dhe komuniteti i zbulimit duhet të përshtatet për të përballuar mjedisin e ri”, tha Senatori Warner.
Senatori republikan Marco Rubio, i cili kryeson republikanët në këtë komision, mirëpriti njoftimin për krijimin e grupit të ri të punës për Kinën.
“Kërcënimi nga Partia Komuniste Kineze është i vërtetë dhe në rritje”, tha Senatori Rubio në një deklaratë. “Çdo pjesë e qeverisë tonë duhet të reflektojë këtë konkurencë mes dy fuqive në mesazh, strukturë dhe veprimtari”.
Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se i ka bërë thirrje prej vitesh CIA-s të “riorientojë prioritetet dhe burimet e saj” drejt konkurentëve globalë si Kina. Ai e lavdëroi krijimin e grupit të punës për Kinën si një hap pozitiv.
“Me modelin autokratik që po përpiqet ta eksportojë në mënyrë agresive dhe me kapacitetin teknologjik që po avancon me shpejtësi, Kina përfaqëson një sfidë domethënëse për Shtetet e Bashkuara dhe për të ardhmen e vlerave demokratike”, tha Ligjvënësi Schiff në një deklaratë./VoA/
Gjesti përshëndet familjen e tij, ka një premtim për ta
Therja me thikë në Lipjan, lëndohen katër persona – policia ...
Balluku: Shehaj politikë për të mbrojtur bizneset personale,...
Arrestohen tre zyrtarë të Federatës se Karatesë, dyshohet se...
Shkatoi telashe në bordin e një anije, 35 vjeçari vdes pasi ...
AUV shton kontrollin e mandarinës, pa dallim origjinën e tyr...