Tashmë që presidenti Joe Biden dhe ish presidenti Donald Trump e kanë pothuajse të sigurt emërimin si kandidatë zyrtarë të partive të tyre për zgjedhjet e nëntorit, shumë njerëz i kthejnë sytë nga historia e Shteteve të Bashkuara. Herën e fundit që të njëjtët persona janë përballur dy herë për presidencën, ka ndodhur në vitin 1956 dhe në të gjithë historinë amerikane kjo ka ndodhur shumë rrallë.
Një përsëritje e zgjedhjeve të vitit 2020 është përgatitur në Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti dhe pararendësi i tij e kanë pothuajse të sigurt marrjen e emërimit si kandidatë zyrtarë për president të partive të tyre.
“Tashmë që presidenti Biden dhe ish presidenti Donald Trump e kanë pothuajse të sigurt emërimin nga Partia Demokrate dhe Republikane, shumë njerëz po kthejnë sytë nga historia amerikane për të parë nëse ka shumë shembuj të ngjashëm me këtë, por nuk janë shumë”, thotë profesori i shkencave politike Cal Jillson.
Një ripërballje e tillë ka ndodhur për herë të fundit në vitin 1956, kur presidenti republikan Dwight D. Eisenhower mundi sërish të njëjtin kundërshtar demokrat të katër viteve më parë, Adlai Stevenson. Ai fitoi madje herën e dytë me një diferencë edhe më të madhe.
“E mundi dy herë pasi ishte Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe publiku e dashuronte. ‘Më pëlqen Ike’, ishte një parullë shumë e famshme e fushatës elektorale dhe kështu Eisenhower fitoi dy herë me lehtësi ndaj Adlai Stevensonit. Por në fund të procesit, Stevenson ishte gjerësisht i respektuar… Rasti i tanishëm mund të jetë më pak frymëzues. Por do të shohim si do të zhvillohen gjërat në tetë muajt në vazhdim, tashmë që i kemi të qartë kandidatët…”, thotë profesor Jillson.
Grover Cleveland është i vetmi president në historikun e Shteteve të Bashkuara që shërbeu për dy mandate jo të njëpasnjëshme. Ai u bë presidenti i 22-të dhe 24-t i Shteteve të Bashkuara. Zoti Cleveland fitoi zgjedhjet në vitin 1884 dhe 1892, duke arritur atë çfarë synon të arrijë ish presidenti Trump, rimarrjen e Shtëpisë së Bardhë nga rivali që e mundi.
“Ekziston shembulli i viteve 1880 dhe fillimet e viteve 1890 kur dy emra jo shumë të mirënjohur për ne sot, Grover Cleveland dhe Benjamin Harrison, patën një lloj ripërballjeje. Në të gjithë historinë amerikane janë gjithsej gjashtë herë të tjera kur të njëjtët persona janë përballur dy herë për presidencën. Pra, kjo është shumë e rrallë”, thotë profesor Jillson.
Në përballjet e mëhershme pati emra të mirënjohur si John Adams dhe Thomas Jefferson, që morën pjesë në garat e para elektorale që pasuan për të zgjedhur drejtuesin e vendit pas presidentit të parë amerikan, Uashingtonit.
“Mund ta imagjinoni se nëse e keni shijuar njëherë Shtëpinë e Bardhë, ose nëse iu afruat shumë, është një shije që nuk do ta harronit kurrë, një dëshirë që nuk largohet ndonjëherë. Prandaj do të përpiqeshit sërish, shpesh dy herë apo edhe më shumë. Pra mund të mendoni për njerëz si Thomas Jefferson-i, që hartoi Deklaratën e Pavarësisë, i adhuruar në kohën e tij, konkuroi për presidencën që në vitin 1796, por fitoi vetëm në vitin 1800. Dhe më pas pa fqinjët e tij ta fitojnë presidencën, James Madison dhe James Monroe”, thotë profesor Jillson.
John Quincy Adams dhe Andrew Jackson është një tjetër rast ripërballjeje për presidencën. Ata u përballën fillimisht në vitin 1824, kur fitoi John Quincy Adams dhe për herë të dytë në vitin 1828, kur zoti Jackson fitoi ndaj presidentit në detyrë./VOA
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Kumbaro: Shqipëria synon turizëm elitar me gjithë sfidat
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Kurti sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë s...
Konjufca sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonis...