Ministrat e jashtëm të NATO-s të premten do të diskutojnë për një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, që pritet të miratohet gjatë muajit korrik në Uashington.
Për shkak të paqartësisë rreth përkrahjes amerikane ndaj Ukrainës në të ardhmen në rast të zgjedhjes së zotit Donald Trump për president të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Stoltenberg ka propozuar që ndihma ushtarake për Kievin të jetë e përcaktuar për një afat më të gjatë kohor, krahas një zotimi shumëvjeçar financiar.
Por 32 shtetet anëtare të NATO-s kanë qëndrime të ndryshme përsa i përket këtij plani. Ministrat do të përpiqen të përafrojnë qëndrimet të enjten dhe të premten gjatë një takimi në Pragë.
Në vijim sjellim pikat kryesore të planit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg si dhe çështjet që duhet të zgjidhen para takimit të nivelit të lartë më 9-11 korrik, sipas zyrtarëve dhe diplomatëve.
Bashkërendimi i NATO-s
Sekretari Stoltenberg ka propozuar që NATO-ja të marrë përsipër bashkërendimin e ndihmës ushtarake ndërkombëtare për Ukrainën, duke i dhënë aleancës një rol më të drejtpërdrejtë në luftën kundër sulmit të Rusisë pa i zotuar forcat e saj në këtë konflikt.
NATO-ja do të merrte përsipër bashkërendimin e ndihmave të armëve dhe furnizimeve që tani bëhet përmes Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i përbërë nga rreth 50 shtete, i ashtuquajtur grupi i Ramshtajnit, sipas bazës ajrore amerikane në Gjermani, që ishte edhe vendtakimi i parë i tyre.
Aleanca po ashtu do të bashkërendonte stërvitjen e forcave ukrainase, një aspekt në të cilin Bashkimi Evropian dhe Britania janë shumë të angazhuara.
Ky hap konsiderohet si një përpjekje për të siguruar një nivel mbrojtjeje nga veprimet e mundshme të zotit Trump, duke vendosur bashkërendimin nën ombrellën e NATO-s dhe duke i dhënë personelit ushtarak të aleancës më shumë autonomi, me më pak ndërhyrje të drejtpërdrejt politike.
Por diplomatët e pranojnë se një hap i tillë do të ketë ndikim të kufizuar, meqë Shtetet e Bashkuara janë fuqia kryesore e NATO-s dhe po sigurojnë shumicën e armëve për Ukrainën. Nëse Uashington dëshiron ta ndërpresë ndihmën perëndimore për Ukrainën, ende mund ta bëjë një gjë të tillë.
NATO-ja gjithashtu duhet të gjejë zgjidhje për këmbënguljen e Kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili e ka bërë të qartë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në këtë përpjekje të re, me argumentin se një hap i tillë do ta sillte aleancën më afër një lufte katastrofike me Rusinë.
Anëtarë të tjerë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian kanë shprehur zemërimin e tyre me bllokimin e vazhdueshëm që Hungaria po i bën ndihmës për Ukrainën, për të cilën thonë se po i përshtatet interesave të Rusisë.
Edhe vetë emri i kësaj nisme të re të NATO-s po nxit kundërthënie. Gjermania kundërshton që të quhet “mision”, nga frika se krijon përshtypjen që NATO-ja po hynë në luftë me Rusinë.
NATO-ja gjithashtu duhet t’i japë përgjigje shqetësimeve ukrainase që duket vendosur bashkërendimin nën ombrellën e NATO-s mund t’i frikësojë vendet që janë jashtë aleancës e që nuk duan të identifikohen me të.
Zotimi Financiar
Sekretari Stoltenberg ka propozuar që aleatët të ndërmarrin një angazhim shumëvjeçar financiar për ndihmën ushtarake Ukrainës, në mënyrë që ky vend të mund të planifikojë më mirë dhe për t’i dërguar sinjal Kievit dhe Moskës se Perëndimi mbetet i angazhuar për një afat të gjatë.
Zyrtarët kanë përmendur një shumë prej 100 miliardë eurosh (108.13 miliardë dollarësh) për pesë vitet e ardhshme, ndonëse zoti Stoltenberg nuk ka përmendur ndonjë shifër publikisht.
Kjo pjesë e planit ka hasur në rezistencë dhe është pritur me skepticizëm nga disa aleatë, të cilët thonë se shtetet nuk mund të promotojnë shuma të tilla specifike paraprakisht, sidomos nëse zgjedhjet në të ardhmen ndryshojnë kursin ndaj Ukrainës.
Detajet tjera mbeten të paqarta, siç është shuma e përgjithshme dhe forma se si mund të llogariten kontributet nga secili vend.
Aspiratat e anëtarësimit
Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s vitit të kaluar në Vilnius, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tronditi udhëheqësit e NATO-s me një deklaratë të rreptë në rrjetet sociale kur u bë e qartë që Ukrainës nuk do t’i bëhej ftesë zyrtare për t’u anëtarësuar në aleancë.
Qëndrimi zyrtar i NATO-s është që Ukraina një ditë do të anëtarësohet në aleancë, por jo ndërsa është në gjendje lufte.
“E ardhmja e Ukrainës është në NATO,” deklaruan udhëheqësit e NATO-s në takimin e Vilniusit.
Që atëherë, një grup aleatësh kanë lidhur marrëveshje dypalëshe për t’i dhënë armë dhe përkrahje të formave tjera Ukrainës për të kompensuar mungesat derisa të bëhet anëtare e NATO-s, që është më pak se Neni 5 i aleancës për mbrojtjen, që nënkupton që sulmi ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithë anëtarëve të saj.
Por Ukraina dhe disa mbështetës të saj në Evropën Lindore që janë anëtare të NATO-s vazhdojnë të kërkojnë ftesë për anëtarësim apo të paktën një rrugë më të qartë drejt anëtarësimit. Zyrtarët e NATO-s po diskutojnë me njëri-tjetrin nëse duhet të përdorin një gjuhë tjetër për ftesën në Uashington.
“Anëtarësimi i Ukrainës vazhdon të mbesë një çështje e patrajtuar,” tha një burim ushtarak.
Ndërsa shtetet e Evropës Lindore po nxisin një anëtarësim të shpejt të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania po udhëheqin një grup shtetesh që po tregohen më të kujdesshme./VOA
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...