Zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) është një çështje përçarëse – dyshimet rreth procesit kanë luajtur një rol në referendumin e BREXIT-it në Britani dhe në zgjedhjet kombëtare në Francë, Austri dhe vende të tjera.
Tani BE po ecën drejt njërit nga zgjerimet më të diskutueshme deri më sot, teksa përcakton plane për t’i pranuar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një rajon i goditur nga lufta në vitet e 1990-ta dhe akoma vazhdon të ketë shumë mosmarrëveshje territoriale.
Strategjia e BE-së, e publikuar në muajin shkurt të këtij viti, vendosi vitin 2025 si një datë për pranimin e Serbisë dhe Malit të Zi – dy vendet që kanë përparuara në proces – si dhe për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Ky do të ishte zgjerimi më i madh i BE-së sa i përket numrit të shteteve që nga pranimi i madh i vitit 2004, ku u anëtarësuan 10 shtete kryesisht ish-komuniste. Pra, çfarë ndryshimi do t’i sjellin këto vende BE-së? Dhe çfarë përpjekje duhet të bëjnë vendet problematike të rajonit që të arrijnë standardet e pranimit në BE?
Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE
Ballkani Perëndimor, jo aq i madh
Popullsia e kombinuar e Ballkanit Perëndimor është rreth 18 milionë banorë. Kjo është më pak se 20 milionë banorë të Rumanisë që iu bashkuan BE-së në vitin 2007, së bashku me Bullgarinë.
Luftërat dhe varfëria kanë shkaktuar valë të mëdha emigrimi në vitet 1990 dhe 2000. Sot, sipas shifrave të Bankës Botërore, një në katër banorë të Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendlindjes.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë 18 milionë banorë, më pak se Rumania që hyri në BE në vitin 2007
As ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk janë të mëdha. Prodhimi vjetor i tyre është e barabartë me 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Bashkimit Evropian. Në nivelet e tanishme, pesë nga gjashtë vendet do të jenë midis tetë ekonomive më të vogla të Bashkimit Evropian. Përjashtim bënë Serbia, ekonomia më e madhe e rajonit, e cila ka PBB-në më të lartë se Kroacia dhe Lituania, të dyja anëtare të BE-së.
Një rrugë e gjatë për të bërë
Hendeku ndërmjet ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE-së ka shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm. Në përgjithësi, PBB-ja e rajonit për kokë banori është vetëm rreth një e treta e mesatares së 28 anëtarëve të BE-së.
Por mbeten ende shtatë vite deri në datën e caktuar për anëtarësim, andaj ka kohë për ta reduktuar këtë hendek. Shtatë vite përpara se t’i bashkoheshin bllokut, të ardhurat mesatare për frymë në Bullgari dhe Rumani, në krahasim me BE-në, ishin më të ulëta se çfarë i ka sot Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia.
Të ardhurat vjetore për frymë shtatë vite para anëtarësimit në BE
Sipas një postimi të publikuar nga Marek Dabroëski dhe Yana Myachenk, nga grupi i ekspertëve ekonomikë të Bruegel-it, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë shumë përparim për përafrimin e tyre me vendet e BE-së përpara se të ndodhte kriza financiare 2007-2008.
Ky përmirësim bëri ndryshime për disa nga popujt më të varfër në rajon. Në fillim të viteve 2000, afërsisht një në tre vetë në Ballkanin Perëndimor jetonin me më pak se 5 dollarë në ditë, por sipas Bankës Botërore në vitin 2008 ky raport ra në një në pesë banorë.
Të ardhurat për frymë e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor
Ky përparim e humbi vrullin me krizën financiare dhe ka vazhduar me ritëm të ulët gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të fundit.
Lidhje të forta me BE-në
Mesatarisht, 70 për qind e gjithë eksporteve të mallrave të Ballkanit Perëndimor shkojnë në BE, një shifër që është rritur në dhjetëvjeçarin e fundit. Përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se “lidhjet ekonomike janë aq të forta sa ato kanë qenë ndonjëherë”.
Eksportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE
Investimet nga kompanitë e BE-së kanë krijuar rreth 240 mijë vende pune në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2003. Kjo përbën rreth 60 për qind të gjithë vendeve të punës së krijuara nga investimet e huaja në rajon.
Investimet e Huaja Direkte në Ballkanin Perëndimor
Ballkani Perëndimit tashmë merr fonde nga BE. Për këtë vit janë planifikuar rreth 1.07 miliardë euro që do të jepen nëpërmjet fondeve të para-anëtarësimit, të cilat u shtohen 9 miliardë eurove të dhëna në djetë vitet e fundit.
Sa janë të vështira kushtet e pranimit?
Mogherini thekson se pranimi i Ballkanit Perëndimor është larg të qenit punë e kryer dhe se “procesi bazohet në merita dhe varet nga ritmi, suksesi i negociatave dhe reformave”. Deri tani, asnjë nga vendet nuk i ka plotësuar kriteret e pranimit.
Përparësia e madhe, sipas Komisionit Evropian, është forcimi i sundimit të ligjit. Raporti i shkurtit thotë se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor “tregojnë elemente të qarta të kapjes së shtetit, të lidhjeve me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës”. Për sa i përket perceptimit të korrupsionit, të gjitha vendet renditen të fundit në Evropë.
Perceptimi i korrupsionit, më i larti në Evropë
Raporti i BE-së shton se asnjë nga vendet “aktualisht nuk mund të quhet se ka një ekonomi tregu funksional”, por perspektiva e anëtarësimit ka ndihmuar të përparojnë. Banka Botërore arrin në përfundimin se mundësitë për të bërë biznes janë lehtësuar në të gjashta vendet në këtë dhjetëvjeçar të fundit, me Maqedoninë që ka shënuar rezultate më të larta në këtë drejtim.
Raporti i Të Bërit Biznes në Ballkanin Perëndimor
Mosmarrëveshjet gjeografike mbeten çështje të pazgjidhura, një trashëgimi e së kaluarës e shkatërruar nga lufta. “Ballkani Perëndimor ka shumë mosmarrëveshje territoriale dhe ato duhet zgjidhur para se të ndërmerret ndonjë hap konkret”, tha Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Evropian, gjatë takimit të përvitshëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Si përfundim, këto vende duhet të kenë dëshirë të bashkohen me BE-në. Siç thekson Komisioni, anëtarësimi kërkon “mirëkuptim politik dhe shoqëror, si dhe mbështetje në zemrat dhe mendjet e njerëzve”, diçka që nuk ka ndodhur gjithnjë në të shkuarën. /Financial Times
Raporti i KE: Ekonomia shqiptare vazhdon trendin e fortë të ...
Media rumune i quan gjeste të turpshme disa nga veprimet e f...
Ndërprerja e ndeshjes Rumani – Kosovë, Pacolli: Koret ...
Zelensky: Lufta do të përfundojë më shpejt me ardhjen e Trum...
Inspektorati i Punës kryen kontrolle në qendra të masazheve
Huliganët rumunë kanë hedhur gjësende të forta edhe policia ...