Google ADS

Çfarë ka në dorë NATO në zgjidhjen e konfliktit Greqi-Turqi?

11:38 | 17 Shtator 2020
Trina Galanxhi

Tensionet në Mesdheun Lindor midis Greqisë dhe Turqisë, dy anëtare të NATO-s, po rriten në mënyrë të rrezikshme. Por a mundet aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, të bëjë diçka për ta de-përshkallëzuar krizën? Disa nga ekspertët më të njohur të fushës, tentojnë t’i japin një përgjigje kësaj pyetje.

Elizabet Brou, anëtare e Institutit Mbretëror mbi Shërbimet e Mbrojtjes dhe Studimet e Sigurisë:

Kur Greqia dhe Turqia u anëtarësuan në NATO në vitin 1952, ato e bënë këtë gjë bazuar në supozimin se anëtarësimi i të dyja vendeve në aleancë, do të zbuste sjelljen e tyre ndaj njëri-tjetrit. Edhe Kina u ftua t’i bashkohej Organizatës Botërore të Tregtisë në vitin 2001 me të njëjtën premisë.

Por siç e tregon çdo këshilltar i marrëdhënieve mbi çiftet në konflikt, ju nuk mund të ndryshoni dot personalitetin e dikujt. Për këtë arsye, NATO e sheh sot veten me 2 shtete anëtare që janë zyrtarisht aleate, por që dyshimi i të cilëve ndaj njëri-tjetrin nuk është zhdukur asnjëherë.

Po si të ndërmjetësohet midis dy anëtarëve pa marrë anë? NATO duket e paralizuar. Por në realitet, nuk është kështu. Sigurisht, 2 shtete anëtare që grinden me njëri-tjetrin ndikojnë në një aleancë, por NATO po vazhdon të jetë ende e fortë në misionin e saj kryesor:mbrojtjen e integritetit territorial të vendeve të saj anëtare nga kërcënimet e shumta territoriale të vendeve të tjera dhe aktorët jo-shtetërorë.

NATO mund të kërkojë më shumë pjesëmarrje nga Greqia dhe Turqia në misionet e saj. Për shembull, asnjë nga këto 2 vende nuk kontribuon në mbrojtjen e shteteve baltike dhe Polonisë. Dhe solidariteti është reciprok.

Fransua Heisburg, këshilltar në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike:

Synimi i NATO-s si organizatë është të sigurojë mbrojtjen kolektive të anëtarëve të saj në bazë të Traktatit themeltar të Uashingtonit. Ajo nuk u krijua për të gjykuar mosmarrëveshjet midis anëtarëve. Prandaj nuk është befasi që NATO është paralizuar mbi konfliktin aktual Greqi-Turqi.

Edhe në vitin 1974, kur Greqia dhe Turqia ishin në kulmin e luftës për Qipron, nuk ishte NATO ajo që parandaloi luftimet, por përfshirja e anëtares më të fuqishme, SHBA-së. Në

atë kohë, Shtetet e Bashkuara u angazhuan fort për të shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë, dhe në thelb arritën një armëpushim me forcat turke që ndodheshin në Qipro.

Në vitin 2020, Shtetet e Bashkuara po mbajnë qëllimisht një profil shumë më të ulët, dhe po operojnë pa një sens të qartë drejtimi. Kjo vlen si për krizën greko-turke, ashtu edhe për krizën më të gjerë shumëplanëshe në Mesdheun Lindor, e cila përfshin lojtarë të shumtë lokalë dhe të jashtëm.

Ajo që po shohim është një shembull rajonal i asaj që ndodh në një botë multipolare, në mungesë të udhëheqjes së vendosur amerikane. Dhe ky nuk është një moment kalimtar, i lidhur me sjelljen tekanjoze të presidentit Donald Trump. Momenti përcaktues ishte refuzimi i ish-presidentit amerikan Barak Obama për të mbrojtur “vijën e tij të kuqe” në Siri në gushtin e vitit 2013.

Eleni Panajota, studiuese në Fondacionin Helenik për Politikën Evropiane dhe atë të Jashtme:

NATO është paralizuar nga mungesa e udhëheqjes së saj, dhe jo nga “konflikti Greqi-Turqi”, që po nxitet nga një Turqi gjithnjë e më agresive dhe antagoniste, e prirur të bëjë rrëmujë duke hapur sherre mbi kufijtë detarë dhe lejet e shpimit nënujore.

Ndërsa vlerësohet si një anëtare strategjikisht e rëndësishme e NATO-s, Turqia po përpiqet sistematikisht të shkruajë një rregullore të re, duke shfuqizuar haptas rregullat që supozohet të respektojë. Blerja e sistemeve ruse të mbrojtjes nga raketat S-400, ishte një shkelje e madhe e rregullave të mbrojtjes ajrore të NATO-s, por gjithsesi e toleruar.

Dhe padyshim, toleranca krijon më tej njëanshmëri dhe nxit për sjellje më agresive. Ndaj, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka një detyrë të vështirë përpara. NATO vepron përmes konsensusit, me një asimetri të mirë-dokumentuar të fuqisë midis aleancës së 30 kombeve.

Por nën Erdoganin, Turqia po eksporton autoritarizmin e brendshëm dhe po shpërfill hapur rregullat në skenën ndërkombëtare. Me këtë rrugë që po ndjek, ajo po minon mbrojtjen kolektive dhe vlerat liberale të NATO-s. Sa më shumë që Stoltenberg të ruajë një fasadë të neutralitetit, dhe të fshehë pamundësinë aktuale të NATO-s për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës, aq më shumë ai po i bën një dëm të madh organizatës së cilës duhej të shërbejë.

Për të shmangur një “aksident” të mundshëm, paraliza e aleancës duhet t’i hapë rrugë gjenerimit të një kornize pragmatike dhe të besueshme të de-përshkallëzimit, duke shfrytëzuar potencialisht edhe situatën e përkeqësuar ekonomike të Turqisë.

Xhejmi Shi, profesor i strategjisë dhe sigurisë në Universitetin Eksteter, Britani:

Puna e përditshme e NATO-s – konsultat, stërvitjet dhe operacionet – po vazhdojnë normalisht. Për më tepër, NATO ka një histori të gjatë të trajtimit të mosmarrëveshjeve greko-turke në Egje, qoftë lidhur me pretendimet territoriale, shkeljet e hapësirës ajrore, stërvitjet detare dhe kohët e fundit monitorimin e emigrimit të paligjshëm nga Turqia në Greqi.

Prandaj, prisni më shumë diplomaci të fuqishme të zhvilluar në prapaskenë. Është pikërisht anëtarësimi i Turqisë në NATO, ai që ofron një kornizë për menaxhimin e mosmarrëveshjeve greko-turke. Nëse Turqia ikën nga NATO, ajo do të humbasë ndikimin e saj mbi Perëndimin, sidomos për sa i përket mbështetjes për shumë probleme të sigurisë në rajon.

Megjithatë Turqia është shumë e rëndësishme për t’u izoluar. Prandaj, ashtu siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, aleatët kryesorë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, duhet të mbështesin Stoltenbergun dhe të ulin Athinën dhe Ankaranë në tryezën e bisedimeve, siç ka propozuar Turqia.

Në fund do të duhet të gjendet një zgjidhje, që u jep të gjitha palëve qasje të barabartë në rezervat e naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor, në këmbim të heqjes dorë nga aktivitetet ushtarake provokative. Por le ta shohim NATO-n si çelësin e zgjidhjes, dhe jo “viktimën e pafat”.

Sinan Ylgen, bashkëpunëtor i think-tankut “Carnegie Europe”:

NATO vërtet mund të ketë një rol në zbutjen e konfliktit në lidhje me Mesdheun Lindor. Së pari, ajo mund të shfrytëzojë pozicionin e saj unik si një platformë politike që përfshin palët kryesore të mosmarrëveshjes. Gjithashtu, duke pasur parasysh pasojat potencialisht katastrofike për integritetin e aleancës të një përshkallëzimi të mundshëm ushtarak të konfliktit, NATO duhet t’i japë përparësi kësaj aftësie.

Stoltenberg ka një rol si një ndërmjetës i besueshëm i negociatave. Por çështja mund të vendoset në agjendën zyrtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut, organit kryesor të vendimmarrjes së NATO-s, për të lejuar një shkëmbim të pjekur të pikëpamjeve midis Turqisë, Greqisë dhe Francës.

Së dyti, NATO mund të jetë më aktive në vendosjen dhe mbikëqyrjen e masave teknike të sh-tensionimit të situatës në Mesdheun Lindor. Një nga shembujt është incidenti i fundit detar midis një fregate turke dhe asaj greke. NATO mund të udhëheqë krijimin e mekanizmave që do të parandalonin përsëritjen e këtyre lloj incidentesh, të cilat mund të çojnë në një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të padëshiruar. / “Carnegie Europe” – Bota.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme