Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka pezulluarprocesin e certifikimit të tubacionit të gazit natyror, të njohur si Rrjedha Veriore 2, pasi që Rusia i ka njohur si të pavarura rajonet e kontrolluara nga separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.
Gazsjellësi nënujor e dërgon drejtpërdrejt gazin rus në Evropë nëpërmjet Gjermanisë dhe është i kompletuar, por ende nuk funksionon.
Së voni, ky projekt është bërë objektiv kryesor i qeverive perëndimore që përpiqen të ushtrojnë ndikim mbi Rusinë, për ta penguar atë nga lëvizjet e mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.
lexo edhe:
Presidenti ukrainas: Sanksionet duhet të përfshijnë mbylljen e Nord Stream 2
Çfarë është gazsjellësi Rrjedha Veriore 2?
Është një tubacion gazi natyror, i gjatë 1,230 kilometra, nën Detin Baltik, që shkon nga Rusia drejt bregut baltik të Gjermanisë.
Ai shkon paralel me tubacionin e mëparshëm “Rrjedha Veriore” dhe parashihet se do të dyfishojë kapacitetin e tij, në 110 miliardë metra kubë gaz në vit.
Kjo do të thotë se kompania ruse e gazit “Gazprom” mund të dërgojë gaz në sistemin e tubacioneve të Evropës pa përdorur tubacionet ekzistuese që kalojnë përmes Ukrainës dhe Polonisë.
Tubacioni i ri është i mbushur me gaz, por është në pritje të miratimit nga Gjermania dhe Komisioni Evropian.
Si po e bllokon gazsjellësin kancelari gjerman?
Rregullatori gjerman i shërbimeve publike po shqyrtonte gazsjellësin nëse ishte në përputhshmëri me rregulloret evropiane për konkurrencën e ndershme. Pra, është proces i miratimit që kancelari Scholz tha se po e pezullonte.
lexo edhe:
Gjermanisë iu kërkua të dorëzonte një raport se si tubacioni do të ndikonte në sigurinë e energjisë dhe Scholz tha se raporti po tërhiqej.
Pse Scholz po e ndërmerr këtë veprim tani?
Scholz, i cili mori drejtimin e Gjermanisë në dhjetor të vitit të kaluar, e mbështeti projektin sa ishte ministër i Financave në kohën e ish-kancelares Angela Merkel. Po ashtu partia e tij, Partia Social Demokrate, e mbështeti projektin. Derisa Rusia grumbulloi trupa pranë kufirit të Ukrainës, Scholz shmangu referimin në mënyrë specifike për “Rrjedhën Veriore 2”, edhe pse zyrtarët amerikanë thanë se projekti nuk do të shkonte përpara nëse Rusia pushton Ukrainën.
Por, Scholz paralajmëroi se Rusia do të përballet me “pasoja të rënda” dhe se sanksionet duhet të jenë gati para kohe. Gjermania, më herët, kishte rënë dakord me SHBA-në për të vepruar kundër “Rrjedhës Veriore 2”, nëse Rusia përdor gazin si armë ose sulmon Ukrainën.
Kancelari tha të martën se Rusia, duke njohur pavarësinë e zonave të kontrolluara nga separatistët në Ukrainë, bëri “shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar” dhe se është e nevojshme “t’i dërgohet një sinjal i qartë Moskës se veprimet e tilla nuk do të mbeten pa pasoja”.
Pse Rusia e do gazsjellësin?
Gjiganti rus i gazit “Gazprom” thotë se do të plotësojë nevojën në rritje të Evropës për gaz natyror dhe se do të plotësojë tubacionet ekzistuese përmes Bjellorusisë dhe Ukrainës.
“Rrjedha Veriore 2” do të ofronte një alternativë ndaj sistemit të vjetër të Ukrainës, që “Gazprom” thotë se ka nevojë për rinovim, dhe kosto më të ulëta, pasi do të kursente nga tarifat e tranzitit të paguara në Ukrainë.
Evropa është një treg kyç për “Gazprom”-in, shitjet e të cilit mbështesin buxhetin e Qeverisë ruse.
Evropa ka nevojë për gaz, sepse po zëvendëson qymyrin dhe impiantet bërthamore, përpara se të materializojë mjaftueshëm burime të rinovueshme të energjisë, si era dhe dielli.
Pse SHBA është kundër “Rrjedhës Veriore 2”?
Shtëpia e Bardhë ishte në “konsultime të ngushta me Gjermaninë” dhe mirëpriti njoftimin e saj, shkroi në Twitter sekretarja amerikane për media, Jen Psaki. Ajo shtoi se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, do t’i pasojë masat gjermane me masat e saj që do të ndërmerren gjatë ditës së martë.
SHBA-ja dhe aleatët evropianë të NATO-s e kanë kundërshtuar projektin edhe para ardhjes në pushtet të administratës së Bidenit, në vitin 2021, duke thënë se ky projekt rrit varësinë e Evropës nga gazi rus dhe i jep Rusisë mundësinë për ta përdorur gazin si armë gjeopolitike.
Evropa e importon pjesën më të madhe të gazit të saj dhe merr afërsisht 40% të furnizimeve nga Rusia.
Gazsjellësi, i cili u zhvillua nën drejtimin e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, ka qenë një problem shqetësues në marrëdhëniet SHBA-Gjermani.
Biden hoqi dorë nga sanksionet kundër operatorit të tubacionit kur ai ishte pothuajse i përfunduar, në këmbim të një marrëveshjeje nga Gjermania për të ndërmarrë veprime kundër Rusisë, nëse ajo e përdor gazin si armë ose sulmon Ukrainën.
Në Kongresin amerikan, republikanët dhe demokratët – me një marrëveshje të rrallë – kanë kundërshtuar gazsjellësin “Rrjedha Veriore 2”.
A do të ngrihen evropianët me ndaljen e gazsjellësit?
Jo. Edhe përpara veprimit të Scholzit, rregullatorët e bënë të qartë se procesi i miratimit nuk mund të përfundojë në gjysmën e parë të vitit. Kjo do të thotë se gazsjellësi nuk do të ndihmonte në plotësimin e nevojave për ngrohje dhe energji elektrike këtë dimër, edhe pse kontinenti evropian përballet me mungesa.
Kufizimet e gazit gjatë dimrit vazhduan t’i rrisin shqetësimet rreth varësisë nga gazi rus. Rusia u tërhoq nga shitjet afatshkurtra të gazit – edhe pse përmbushi kontratat afatgjata me klientët evropianë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se mungesa e gazit shpërfaq nevojën për të miratuar shpejt gazsjellësin “Rrjedha Veriore 2”.
A mund ta ndalë Rusia gazin në Evropë?
Derisa Evropa ka nevojë për gazin rus, “Gazprom”-i ka gjithashtu nevojë për tregun evropian. Kjo ndërvarësi është arsyeja përse shumë mendojnë se Rusia nuk do t’i ndërpresë furnizimet në Evropë, edhe nëse konflikti në Ukrainë përshkallëzohet më tej. Zyrtarët rusë po ashtu kanë thënë se nuk e kanë ndërmend ta bëjnë këtë.
Kriza e Ukrainës, në kulmin e kërkesës së gazit, u ka dhënë qeverive evropiane më shumë arsye për të gjetur gazin e tyre diku tjetër. /REL/
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...