Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mund të vendosin në samitin e kësaj jave nëse do të nisin bisedimet zyrtare me Ukrainën për anëtarësimin e saj në bllokun evropian, një hap i rëndësishëm për këtë vend që po përballet me luftë.
Brukseli ia ka ofruar Kievit statusin e vendit kandidat për anëtarësim, katër muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, duke nxitur autoritetet ukrainase që të kryejnë reforma në sektorët kyçë, të përcaktuar nga Komisioni Evropian.
Në vlerësimin e 8 nëntorit, Komisioni Evropian e ka lavdëruar përparimin e Ukrainës, dhe u ka rekomanduar liderëve të BE-së, nisjen e negociatave, mirëpo ka treguar edhe shumë reforma tjera që duhet kryer, për ta shtruar rrugën për anëtarësim.
Prioritetet afatshkurta
Komisioni ka raportuar muajin e kaluar që Ukraina i ka përmbushur katër prej shtatë rekomandimeve, duke përfshirë punësimin e zyrtarëve kundër-korrupsionit, përgatitjen e gjyqësorit për reforma të mëdha dhe përputhjen e legjislacionit të mediave me standarde të BE-së.
Shumica e rekomandimeve lidhen me sundim të ligjit, me qëllim të çrrënjosjes së trashëgimisë sovjetike të keqmenaxhimit.
Komisioni, i cili ka sugjeruar që tri kushtet e mbetura të përmbushen derisa të nisin zyrtarisht bisedimet, ka thënë se do ta vlerësojë përparimin e Ukrainës sërish në muajin mars.
Deri në të premten e kaluar, ligjvënësit kanë punuar për të miratuar çdo legjislacion të kërkuar – përfshirë zgjerimin e Byrosë Kombëtare kundër-Korrupsionit.
Leonid Litra, prej Institutit Qendra Evropa e Re, me bazë në Kiev, ka thënë se përparimi i shpejtë i Ukrainës është bërë për ta mbajtur Kievin në “anën e sigurt”, duke mos lënë hapësira për bllokim të rrugës evropiane.
Hungaria, në veçanti, e ka kritikuar trajtimin që u ka bërë Kievi hungarezëve etnikë në perëndim të shtetit, dhe lideri i saj Viktor Orban, ka kërkuar që BE-ja të shmangë secilin vendim që lidhet me rrugën e Ukrainës drejt BE-së, në takimet që do t’i zhvillojnë liderët më 14 dhe 15 dhjetor.
Pavarësisht, mbështetjes së Komisionit, secili vendim kërkon mbështetje unanime prej të gjithë liderëve të BE-së.
Rrugë e gjatë
Përmbushja e detyrave në periudhë të shkurtër, është vetëm njëra prej ndryshimeve në politika që ka rekomanduar Komisioni Evropian për Ukrainën, dhe atë në disa sektorë, prej administratës publike e deri te siguria ushqimore, deri në fund të vitit 2024.
Në fushën e luftimit të korrupsionit, zyrtarët duhet të vërtetojnë se puna po bëhet “në mënyrë sistematike”, ashtu që të garantohet pavarësia e hetuesve dhe prokurorëve të specializuar.
Autoritetet duhet ta intensifikojnë edhe shtypjen e kontrabandës së paligjshme dhe të punojnë në rimëkëmbje të aseteve – sidomos një plan veprimi për të reformuar fushën e zbatimit të ligjit.
Në aspektin ekonomik, zyrtarët presin që në tregun e punës të integrohen ukrainasit e zhvendosur, dhe që investitorët e huaj të përgatiten për ta rindërtuar Ukrainën.
Katarina Mathernova, ambasadore e BE-së në Ukrainë, ka folur troç për sfidat përpara.
“Kam lajme për ju: mësohuni me këtë situatë”, ka thënë ajo, në një konferencë për media në Kiev, muajin e kaluar, duke iu referuar kërkesave që duhet t’i përmbushë Kievi.
“Proces i zgjerimit është proces rraskapitës”.
Karta të rrezikshme
Në këtë proces ka edhe sfida politike, pasi Hungaria vazhdon të jetë kritikja më e madhe për anëtarësimin e Ukrainës në bllokun evropian.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se do të mund të jetë i nevojshëm edhe një samit tjetër vitin e ardhshëm, nëse Orbani vazhdon të jetë kundër bisedimeve dhe ofrimit të ndihmës financiare shtesë për Ukrainën.
Ndërkohë, dritarja e Kievit në këtë drejtim është shumë e vogël, vlerësojnë disa ekspertë.
Një diplomat në Kiev, duke folur në kushtet anonimiteti, ka thënë se do të jetë kyçe që Ukraina të bëjë përparim të shpejtë për të ndihmuar në mbajtjen gjallë të entuziazmit brenda BE-së.
Litra, nga Qendra Evropa e Re, ka thënë se synimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, tregojnë se procesi nuk është i lidhur gjithmonë me meritën, dhe varet prej politikave të brendshme brenda bllokut evropian.
“Faktikisht, na duhet t’i bëjmë gjithë yjet bashkë”./rel/
Finlanda raporton dëmtime në kabllon e energjisë nënujore me...
Shoferi humb kontrollin, shtatë të lënduar në New York
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Parashikimi i motit në Shqipëri
Giro d’Italia në Shqipëri/ Rama: Lajmi është publikuar në 70...
Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë