Një shpërthim i papritur, nganjëherë i dhunshëm, i protestave antisemitike në rajonin kryesisht mysliman të Rusisë, Kaukazin Verior, i ka vënë në pah rreziqet e brendshme që vijnë nga përpjekjet e presidentit autoritar, Vladimir Putin, për ta shfrytëzuar politikisht luftën mes Izraelit dhe grupit ekstremist palestinez, Hamas.
Më 29 tetor, një grup prej më shumë se 1.000 njerëzish u futën vrullshëm në aeroportin e kryeqytetit të rajonit të Dagestanit, Makaçkala, duke brohoritur epitete antisemitike dhe duke tentuar të mos i lejonin të futeshin në qytet udhëtarët që kishin mbërritur me aeroplan nga Izraeli.
Më shumë se 200 njerëz u lënduan gjatë kësaj trazire, dhjetëra u arrestuan dhe aeroporti u mbyll.
Autoritetet lokale u bënë thirrje “banorëve të republikës të mos bien pre e provokimeve të grupeve destruktive dhe të mos krijojnë panik në shoqëri”.
Ngjarjet në aeroport ishin më tronditëset në mesin e një sërë incidentesh antisemitike në Kaukazin e dhunshëm Verior në ditët e fundit, shumica e të cilave u nxitën nga thashethemet se refugjatët hebre po mirëpriteshin në këtë rajon.
Më 28 tetor, një turmë e ashpër u mblodh pranë një hoteli në qytetin e Dagestanit, Kasaviurt, pasi kanale të ndryshme në Telegram raportuan se një person “që po i ngjante një qytetari izraelit në pamjen e jashtme” po qëndronte atje. Policia i qetësoi gjakrat duke i lejuar përfaqësuesit të futeshin në hotel dhe ta shihnin me sytë e tyre se asnjë qytetar izraelit nuk ishte i pranishëm.
Më vonë, hoteli e postoi një njoftim ku thoshte se qytetarët izraelitë dhe hebrenjtë nuk lejohen të futen apo qëndrojnë në hotel.
Të nesërmen, vandalët e ndezën një zjarr në një zonë ndërtimore të një qendre kulturore hebraike në Nalçik, kryeqytetin e rajonit Kabardino-Balkaria. Megjithëse askush nuk u lëndua, vandalët shkruan “Vdekje Hebrenjve” në muret e ndërtesës. Një peticion online kundër ndërtimit të qendrës hebraike i mblodhi gati 20 mijë nënshkrime para se të largohej për shkak të “racizmit”.
Si përgjigje ndaj trazirave në aeroportin e Makaçkalës, zëdhënësi i Putinit njoftoi për një takim me një grup të madh qeveritar, legjislativ dhe zyrtarë të sigurisë në Moskë.
Tema e bisedimeve: “Përpjekjet e Perëndimit për t’i përdorur ngjarjet në Lindjen e Mesme për të shkaktuar ndarje në shoqërinë ruse”.
Prej se Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor, Moska ka tentuar publikisht ta ruajë baraspeshën me qëllim për ta shfrytëzuar shpërqendrimi botëror nga pushtimi i Ukrainës, si dhe për t’i kënaqur shtetet arabe dhe Jugun Global por pa i dëmtuar marrëdhëniet me Izraelin dhe aleatin kryesor të Rusisë në rajon, Iranin, njëkohësisht, thonë analistët.
Rusia ende nuk i ka dënuar veprimet e Hamasit në jug të Izraelit, e ka pritur një delegacion të Hamasit në Moskë javën e kaluar, dhe i ka fajësuar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin për këtë konflikt.
Propagandistët pro-Kremlinit në televizionin shtetëror dhe në rrjetet sociale kanë pretenduar, pa ndonjë dëshmi, se Hamasi ishte armatosur kryesisht nga ndihmat ushtarake të Perëndimit që ishin vjedhur nga zyrtarët e korruptuar ukrainas.
“Liderët e Rusisë duhet t’i jenë mirënjohës [Hamasit]”, shkroi komentuesi politik ukrainas, Vitaliy Portinkov në një shkrim për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.
“Vëmendja është shpërqendruar nga lufta në Ukrainë, dhe kongresistët amerikanë po argumentojnë se a t’i fusin në një pako ndihmat për të dy vendet e sulmuara. Procesi i paqes mes Arabisë Saudite dhe Izraelit ka marrë fund. Çmimet botërore të naftës janë rritur në vend se të vazhdonin të binin. Hendeku mes Perëndimit dhe Jugut Global është zgjeruar dhe do të vazhdojë të zgjerohet përderisa konflikti në Gazë vazhdon. E gjithë kjo ia lehtëson Moskës luftën në Ukrainë”, shkroi ai.
Oleg Stepanov, ish-koordinator i Moskës për liderin e burgosur opozitar, Aleksei Navalny, tha se Putini po i vë “interesat e veta politike para njerëzisë dhe moralit” dhe se “po kërkon të përfitojë vetë” nga lufta Izrael-Hamas.
Por, sulmi në aeroport dëshmoi se qasja e Kremlinit ndaj luftës Izrael-Hamas sjell “rreziqe dhe cenueshmëri” të mëdha për Rusinë brenda dhe jashtë vendit, shkroi në rrjetin social X më 30 tetor Hanna Notte, analiste me bazë në Berlin për Qendrën James Martin dhe eksperte për politikat ruse në Lindjen e Mesme.
On balance, I still believe #Russia stands to gain more than to lose from a protracted conflict in #IsraelGaza.
But there are risks & vulnerabilities, as became clear yesterday, when an antisemitic mob stormed the #Makhachkala airport in Dagestan, looking for Jews.
A 🧵
— Hanna Notte (@HannaNotte) October 30, 2023
“Putini po e korr atë qe e mbolli” pasi Rusia “e kritikoi ashpër palën palestineze në dy javët e fundit”, shkroi Notte. “Duke i ushqyer ndjesitë globale pro-palestineze për narrativet e tij për luftën (luftën ‘anti-koloniale’) me Perëndimin, shteti rus i ka nxitur forcat e brendshme të cilat mund të bëhen problematike”.
“Makth për Kremlinin”
Derisa diplomacia zyrtare e Rusisë ka tentuar ta luajë një rol të një paqebërësi neutral në luftën e Gazës, televizioni shtetëror rus dhe rrjetet sociale pro-Kremlinit kanë qenë goxha kundër Izraelit, duke bërë trysni të rrezikshme në Kaukazin e varfër Verior, tha Serhiy Danylov, zëvendësdrejtor i Shoqatës Ukrainase të Studimeve për Lindjen e Mesme në Kiev.
“Propaganda shtetërore ka nxitur urrejtje ndaj Izraelit dhe izraelitëve”, tha Danylov për Current Time, televizionin në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës. “Propagandistët e kanë bërë të qartë se ata ia mbajnë anën palestinezëve, dhe jo vetëm palestinezëve, por Hamasit.”
“Tensionet shoqërore në Kaukazin Verior janë më të larta se në rajonet e tjera ruse. Garat mes klaneve dhe grupeve etnike janë më të mëdha në Kaukazin Verior. Dhe kjo nuk ka të bëjë me islamin. Kjo ka të bëjë me tensionet dhe telashet të cilat janë unike për Kaukazin Verior”, shtoi ai.
Në një shkrim më 30 tetor në Spectator, Mark Galeotti, autor dhe analist i politikave ruse, shkroi se liderët lokalë në Kaukazin Verior “janë duke tentuar ta ruajnë baraspeshën duke synuar ta shmangin “lëndimin e ndjesisë myslimane lokale” dhe “duke bërë gjithçka për të nxitur më shumë dhunë ndëretnike”.
Tani, duket se Kremlini po i merr seriozisht trazirat e kohëve të fundit, së paku në sipërfaqe, duke i mbuluar gjerësisht trazirat në aeroport në televizionin shtetëror, duke e urdhëruar shefin e Komisionit Hetues, Aleksandr Bastrykin, ta hetojë rastin personalisht, dhe duke e caktuar një takim të nivelit të lartë me Putinin.
Duke qenë se myslimanët e përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë ruse dhe përfaqësohen në mesin e trupave ruse që luftojnë në Ukrainë, Moska ka arsyeje të jetë e shqetësuar, shkroi Galeotti.
“Në një kohë kur forcat e armatosura ruse janë të përkushtuara në Ukrainë, dhe stabiliteti i Çeçenisë është në dyshim duke i parë thashethemet se kryekomandanti lokal Ramzan Kadyrov është me shëndet të dobët, çdo gjë që rrezikon të sjellë telashe më të mëdha në rajon është makth për Kremlinin”, shkroi ai.
Kadyrov është lider i Çeçenisë i emëruar nga Kremlini, në të cilin Putini është mbështetur për 15 vjet për ta mbajtur nën kontroll rajonin, që ishte zonë e dy luftërave separatiste pas epokës sovjetike, madje duke i injoruar dëshmitë për abuzime të mëdha me të drejtat e njeriut nën sundimin e tij.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, TASS, policia i ka siguruar sinagogat në qytetet kryesore të rajonit.
Komentatori politik rus, Andrei Gusia, argumentoi se “situata në Dagestan nuk ndodhi brenda natës”.
“Ata është dashur ta mbanin një tubim të autorizuar, të organizuar nga autoritetet”, tha Gusia për Radion Evropa e Lirë. “Një mundësi e tillë paqësore nuk është më e mundur. Mundësia e vetme e mbetur janë masat e rrepta”./rel
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...