Për konservatorët dhe për liberalët do të jetë me rëndësi përzgjedhja që do të bëjë presidenti Donald Trump për personin që do të zëvendësojë Gjykatësen Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq javën e kaluar pas 27 vitesh në Gjykatën e Lartë.
Presidenti Trump ka premtuar të emërojë të shtunën një juriste konservatore, që do të pasojë zonjën Ginsburg, anëtaren më liberale të Gjykatës së Lartë. Kushdo që do të emërohet nga Presidenti Trump, do të konsolidojë në 6 me 3 shumicën konservatore dhe do të luajë një rol përcaktues në vendimet që do të ndikojnë në jetën e miliona amerikanëve.
Disa nga këto çështje janë: fati i Ligjit për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm, io njohur si “Obamacare”, miratuar gjatë administratës së ish presidentit Obama, i cili ofron siguracion shëndetësor për miliona njerëz, çështja e emigracionit, e drejta për abort, si dhe masat mbrojtëse ekonomike dhe sociale për komunitetin LGBTQ.
Gjatë viteve të fundit, Gjykata e Lartë i ka bllokuar përpjekjet kundër ligjit “Obamacare” dhe të drejtave të abortit, si dhe ka zgjeruar të drejtat e personave LGBTQ.
Por, këto rezultate të përshëndetura nga forcat liberale u arritën me votime shumë të ngushta. Me caktimin pothuajse të sigurtë të një konservatori të gjashtë në gjykatën prej nëntë anëtarësh, balanca do të zhvendoset më tej drejt forcave konservatore.
Këto çështje ka të ngjarë të dominojnë në seancat e pritshme të konfirmimit në Senat. Por kandidatja e mundshme – qoftë gjykatësja federale Amy Coney Barrett e Gjykatës së Apelit për qarkun e 7-të në Çikago, gjykatësja Barbara Lagoa e Gjykatës së Apelit të qarkut 11 në Atlanta, gjykatësja Allison Jones Rushing e Gjykatës së Apelit për qarkun e 4-të në Richmond, Virginia, ose ndonjë kandidate tjetër – ka të ngjarë të mos pranojnë t’i bëjnë të ditura pikëpamjet e tyre rreth këtyre çështjeve gjatë seancave të konfirmimit.
“Nëse pyetet për ligjin e kujdesit shëndetësor apo për atë të abortit, dhe çështje të tjera, kandidatja thjesht do të thotë, ‘unë nuk mund të diskutoj raste të cilat mund të më duhet t’i gjykoj në të ardhmen’,” thotë Saikrishna Prakash, profesor i drejtësisë në Universitetin e Virxhinias që e njeh profesionalisht zonjën Barrett.
Le të hedhim një vështrim mbi tre nga çështjet që mund të mbizotërojnë në diskutimin mbi zgjedhjen e anëtarit të ardhshëm të Gjykatës së Lartë:
“Obamacare”
Dhjetë vjet pas miratimit të tij, amerikanët mbeten të ndarë në lidhje me Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, i njohur si “Obamacare”, me pak më shumë se 50% që e mbështesin atë sipas anketave. Ndërsa programi i miratuar me rezultat të ngushtë nga Kongresi në mars 2010 lejon 20 milionë amerikanë të pasiguruar, të blejnë sigurime shëndetësore të subvencionuara, konservatorët i kanë kundërshtuar prej kohësh dispozitat e detyrueshme dhe thonë se sistemi nuk është i qëndrueshëm financiarisht.
Që nga konceptimi i tij dhe fillimi i vështirë, Obamacare është ndeshur me sfida të përsëritura ligjore, përfshirë dy që e çuan deri në Gjykatën e Lartë. Më 10 nëntor, një javë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, Gjykata e Lartë do të dëgjojë argumenta verbale në sfidën e tretë të rëndësishme – kjo e fundit e sjellë nga 20 shtete, të drejtuara nga shteti Texas.
Shtetet pretendojnë se pasi Kongresi në vitin 2017 eliminoi gjobat për individët që nuk kishin siguracion, detyrimi individual për të blerë siguracion u bë antikushtetues dhe ata duan që gjykata ta shfuqizojë të gjithë ligjin.
Gjatë dy çështjeve të kaluara që mbërritën në Gjykatën e Lartë, zonja Ginsburg dhe tre gjyqtarët e tjerë liberalë u bashkuan me Kryetarin e Gjykatës, John Roberts, vetë me pikëpamje konservatore, për ta ruajtur ligjin.
“Por këtë radhë do të jetë ndryshe”, tha në një deklaratë Russ Feingold, një ish-senator demokrat nga Wisconsin dhe tani president i Shoqatës Kushtetuese Amerikane me prirje të majta. “Këtë herë Gjykatësja Ginsburg nuk do të jetë në panel”.
Por nuk është e sigurt nëse një gjykatëse e re konservatore do të votojë për shfuqizimin e plotë të “Obamacare”, edhe nëse ajo arrin në përfundimin se detyrimi individual për të blerë siguracion është jokushtetues.
Zoti Roberts dhe dy kolegët e tij konservatorë në Gjykatën e Lartë pajtohen me një doktrinë që thotë se edhe nëse një pjesë e një ligji është me të meta, pjesa tjetër duhet të ruhet në masën më të mundshme. Për më tepër, administrata Trump dhe udhëheqësit republikanë të kongresit ende nuk kanë rënë dakord për një sistem zëvendësues të kujdesit shëndetësor.
E drejta për abort
Pak çështje janë më përçarëse sesa të drejtat e abortit. Mbështetësit e shohin atë si një të drejtë riprodhuese; konservatorët fetarë thonë se aborti është i barabartë me vrasje.
Që kur Gjykata e Lartë legalizoi abortin në 1973 me një vendim historik të njohur si “Roe kundër Wade”, konservatorët kanë kërkuar ta dobësojnë ose ta përmbysin atë.
Por Gjykata e Lartë ka mbështetur me kalimin e viteve precedentin, me gjykatësin në pension Anthony Kennedy, një emërim republikan, që hodhi votën vendimtare. Këtë vit, zoti Roberts, vetë një kundërshtar i abortit, u bashkua me krahun liberal për të rrëzuar një ligj të ri të Luizianës që do të kishte kufizuar rreptësisht mundësinë e aborteve, duke përmendur precedentin në një rast të mëparshëm.
Tani me perspektivën e një konservatori të gjashtë në gjykatë dhe disa çështje abortesh nëpër gjykata, aktivistët konservatorë kundër abortit shohin mundësinë për fitore të mëdha. Presidenti Trump tashmë ka shtuar dy konservatorë në Gjykatën e Lartë – Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh – që janë pothuajse të sigurt se do të dalin në krah të forcave anti-abort.
“Gjykatësja e tretë do të na japë aftësinë për të përmbysur ligjin me një shumicë 6-3”, tha Kristan Hawkins, presidente e “Studentëve për Jetën”, në një video të qarkulluar pas vdekjes së zonjës Ginsburg.
Të drejtat e personave LGBTQ
Në vitet e fundit, me Kongresin Amerikan të bllokuar dhe në pamundësi veprimi, Gjykata e Lartë ka marrë një varg vendimesh historike që zgjerojnë të drejtat e personave LGBTQ, që kulmuan me vendimin për të legalizuar martesat e së njëjtës gjini në 2015.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, gjykata ka favorizuar gjithnjë e më shumë grupe fetare në mosmarrëveshjet që vendosin lirinë fetare kundër të drejtave LGBTQ. Në vitin 2018, gjykatësit vendosën në favor të një pastiçieri në Kolorado që refuzoi për arsye fetare të përgatiste një tortë martese për një çift homoseksual.
Një sprovë tjetër do të vijë në nëntor kur gjykata të marrë një çështje që përfshin një organizatë bamirëse katolike që nuk lejon çiftet e të njëjtit seks të jenë prindër kujdestarë.
Që kur gjykatësi Anthony Kennedy, kampioni më i madh i komunitetit LGBTQ në gjykatë, dha dorëheqjen dy vjet më parë, shumë aktivistë të të drejtave LGBTQ kishin frikë se një emërim tjetër konservator mund të rrezikonte liritë dhe të drejtat e tyre.
“Rrezikohet shumë për komunitetin LGBTQ në këtë luftë”, tha në një deklaratë ‘Lamda Legal’, një organizatë kombëtare për të drejtat ligjore, duke theksuar historikun kundër të drejtave civile të tre kandidatëve kryesorë për të zëvendësuar gjykatësen Ginsburg.
Por zoti Prakash i Universitetit të Virxhinias, vuri në dukje se ishte zoti Gorsuch, i emëruari i parë i Presidentit Trump në Gjykatën e Lartë, i cili shkruajti vendimin historik të votuar 6-3 këtë vit që zgjeroi mbrojtjen kundër diskriminimit në vendin e punës për punëtorët LGBTQ në çështjen Bostock kundër Bashkisë Clayton, Georgia.
“Edhe nëse ajo (zonja Barrett) nuk do të ishte dakord me (çështjen) Bostock, nuk ka rëndësi”, tha zoti Prakash, duke iu referuar çështjes rreth diskriminimit në vendin e punës LGBTQ./VOA
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...