Google ADS

Çernobili, sot 36 vjet më parë, tragjedia mund të ripërsëritet, rrezikohet edhe Ballkani

11:37 | 29 Prill 2022
Artan Maliqi

Shpërthimi në centralin bërthamor të Çernobilit 36 vjet më parë konsiderohet si tragjedia më e madhe bërthamore në historinë e njerëzimit, jo vetëm për shkak të numrit të të vdekurve, por edhe pasojat e rënda që la më pas.

Edhe pas më shumë se tre dekadash, zona përreth qytetit të Pripyatit nuk banohet më dhe qyteti fantazëm është “pushtuar” nga kafshët dhe bimësia, raporton abcnews.al.

Megjithatë, shkencëtarët i tremben rikthimit të problemit të Çernobilit pasi nuk është bërë një pastrim i materialit radioaktiv që gjendej në reaktorin nr.4 të centralit.

Fillimisht, autoritetet sovjetike e mbuluan reaktorin me beton me qëllim që të mos lejohej kontaminimi i mëtejshëm i zonës me material radioaktiv, por me kalimin e viteve ajo mbulesë u dobësua duke bërë që një grup shtetesh të financonin ndërtimin e në mbulese tjetër më të sigurt në vitin 2010.

Por, edhe pse ka sipër dy mbulesa, problem me reaktorin mbetet pasi futja e ujit nga shirat mund të rindezë reaksionin kimik mes materialeve radioaktive që gjenden të “varrosura” dhe kjo do t’i rikthente ato në një rrezik për kontaminimin e zonave të gjëra.

Tani që në zonë u zhvilluan luftime të ashpra mes ushtrisë ukrainase dhe ruse, rreziku është edhe më i madh. Madje, pati raportime se gjatë momenteve të luftës sistemi ftohës i reaktorëve nuk funksionoi tërësisht.

“I ngjan thëngjillave në mangal. Vjen një moment dhe ata rindizën nëse fryn pak erë”, shprehet Neil Hyatt, profesor i materialeve kimike në Universitetini e Sheffieldit.

Kur shpërtheu Çernobili, u prek pjesa më e madhe e Europës, përfshi edhe Shqipërinë. Një rikthim i këtij problemi, qoftë edhe në përmasa më të vogla përbën sërish një rrezik për Ballkanin dhe vendin tonë. /abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme