Industria bërthamore amerikane po prodhon më pak energji elektrike ndërsa reaktorët e vjetëruar dalin jashtë përdorimit. Por, sipas shoqatës tregtare të kësaj industrie, operatorët e centraleve bërthamore shpresojnë aktualisht që të dyfishojnë prodhimin e energjisë gjatë tre dekadave të ardhshme.
Rritja masive, e parashikuar nga firmat, varet nga funksionaliteti i një lloji të ri reaktori bërthamor që është shumë më i vogël se reaktorët e zakonshëm. Disa firma amerikane po zhvillojnë reaktorë të përparuar, që mund të futen në përdorim deri në fund të dekadës, nëse teknologjia ka sukses dhe miratohet nga rregullatorët federalë.
Sipas shoqatës firmat që janë pjesë e projektit të Institutit të Energjisë Bërthamore, mund të shtojnë 90 gigavat orë energji bërthamore në rrjetin amerikan, me pjesën më të madhe që do të futet në punë deri në vitin 2050. Kjo përkthehet në rreth 300 reaktorë të rinj të vegjël modularë, thotë Maria Korsnick, presidente dhe shefe ekzekutive e institutit.
“Kemi risitë, kemi aftësinë, kemi zgjuarsinë amerikane”, tha ajo. “Nuk ka asnjë arsye të mos jemi në gjendje t’i sjellim këto produkte në treg.”
Kapaciteti i prodhimit të energjisë bërthamore amerikane arriti kulmin në 102 gigavat orë në vitin 2012, kur sipas Administratës amerikane të Informacionit të Energjisë kishte në funksionim 104 reaktorë bërthamorë. 92 reaktorët aktualë në shfrytëzimm kanë një kapacitet prej pothuajse 95 gigavatësh në orë.
Gjatë vitit 2021 prodhimi i tyre arriti në 778 milionë megavat në orë, që ishte 1.5% më pak se një vit më parë dhe përbënte 19% të energjisë elektrike në vend, tha administrata e informacionit. Kjo është e mjaftueshme për të furnizuar me energji më shumë se 70 milionë shtëpi.
Ndërtimi i centraleve të mëdha bërthamore konvencionale është i kushtueshëm dhe kërkon kohë. Një projekt në Xhorxhia – i vetmi central bërthamor në ndërtim në Shtetet e Bashkuara – tani parashikohet t’u kushtojë pronarëve të tij më shumë se 30 miliardë dollarë.
Kur morën miratimin në vitin 2012, reaktorët e rinj bërthamorë që do të ndërtoheshin në dekada u vlerësuan se kushtonin rreth 14 miliardë dollarë.
Zonja Korsnick foli të martën për mundësinë e dyfishimit të prodhimit të energjisë bërthamore gjatë një fjalimi para udhëheqësve të industrisë dhe politikëbërësve në Uashington, në konferencën e Asamblesë së Energjisë Bërthamore, NEI, duke u thënë atyre se “industria dhe planeti ndodhet në një udhëkryq”, dhe se përgjigja ndaj krizës klimatike është e lidhur thellësisht me rrjetin elektrik, ekonominë dhe sigurinë energjetike.
Të pranishmit mirëpritën premtimin mbi mundësinë për shtimin e prodhimit me 90 gigavat orë energji elektrike.
Ndihmës Sekretarja për Energjinë Bërthamore Kathryn Huff foli mbi përparësitë amerikane lidhur me energjinë bërthamore dhe synimet për një ekonomi me sa më pak ndotje Ajo tha se mënyra e vetme për të trajtuar krizën klimatike është bashkëpunimi.
Kompania më e madhe publike amerikane e energjisë, “Tennessee Valley Authority”, nisi në shkurt një program për të zhvilluar dhe financuar reaktorë bërthamorë të rinj të vegjël modularë si pjesë e strategjisë së saj për të pakësuar në mënyrë dramatike emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serë.
Administrata e Presidentit Biden e ka përqafuar energjinë bërthamore për të ndihmuar në pakësimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë. Ajo ndërmori në prill një nismë prej 6 miliardë dollarësh për të shpëtuar centralet bërthamore në rrezik mbylljeje, duke theksuar nevojën për të vazhduar prodhimin e energjinë bërthamore si një burim energjie pa karbon që ndihmon në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Shumica e centraleve bërthamore amerikane u ndërtuan midis viteve 1970 dhe 1990 dhe kanë një kosto të lartë mirëmbajtje.
Departamenti Amerikan i Energjisë tha në prill, kur kërkoi 1.7 miliardë dollarë në buxhetin e vitit fiskal 2023 për Zyrën e Energjisë Bërthamore se ishte një nga shifrat më të larta ndonjëherë për energjinë bërthamore. Departamenti po investon në reaktorë me teknologji të përparuar.
Një sondazh nga agjencia e lajmeve Associated Press lidhur me politikat energjetike në 50 shtetet amerikane dhe kryeqytetin amerikan, gjeti se një shumicë e madhe, rreth dy të tretat thonë se energjia bërthamore, në një mënyrë ose në një tjetër, do të ndihmojë të zëvendësojë burimet fosile.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se teknologjia bërthamore ende përbën rreziqe të konsiderueshme, të cilat nuk vinë nga burimet energjitike të ndotshme, përfshirë rrezikun e aksidenteve ose sulmeve të qëllimshme si për mbetjet radioaktive ashtu edhe për reaktorët. Ata thonë se ende nuk ka zgjidhje lidhur me pikëpyetjen mbi trajtimin e mbetjeve të rrezikshme bërthamore.
Grupi nuk është kundër përdorimit të energjisë bërthamore, por kërkon shtimin e masave të sigurisë.
“Environmental Working Group” ka thënë se reaktorët e vegjël do të jenë një “fiasko financiare” sepse kostoja e energjisë bërthamore nuk ulet kurrë, me kostot dhe rreziqet që do t’u faturohen blerësve.
Instituti për Ekonominë Energjitike dhe Analizën Financiare, me qendër në Ohajo, analizoi një reaktor bërthamor të vogël modular që po zhvillohet nga firma “NuScale Power” në shtetin Oregon, duke arritur në përfundimin se ai është “shumë i shtrenjtë, shumë i rrezikshëm dhe shumë i pasigurt”.
Kompania “NuScale Power” tha se raporti nuk shqyrton si duhet koston, nuk pasqyron ose ekzaminon me saktësi afatet kohore dhe madje nuk arrin të kuptojë rezultatin.
Zonja Korsnick tha se kur kompanitë provojnë se reaktorët testues mund të ndërtohen brenda buxhetit dhe në kohë, ata do të “shiten shumë kollaj”. Ajo theksoi në shtetin Uajoming (Wyoming), ku komunitetet konkurruan për të marrë projektin e demonstruar nga kompania e zotit Bill Gates. Zonja Korsnick tha se ndjehet shumë optimiste lidhur me mundësitë që paraqet teknologjia bërthamore. Sido që ta shqyrtoni, energjia bëthamore është pjesë kryesore e zgjidhjes së problemit, tha ajo./voa/
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...