Çekia në zi për viktimat e të shtënave në universitetin e Pragës

10:16 | 23 Dhjetor 2023
K.B

Flamujt në ndërtesat publike janë ulur në gjysmështizë në Republikën Çeke më 23 dhjetor, teksa në këtë shtet është ditë zie për të nderuar viktimat e të shtënave masive në një universitet të Pragës, ku u vranë 14 persona dhe u plagosën 25 të tjerë.

Qeveria u ka kërkuar çekëve që të mbajnë një minutë heshtje mesditën e 23 dhjetorit dhe kambanat në kishat në mbarë shtetin do të bien po të njëjtën kohë.

Në Pragë, qytetarët kanë nderuar viktimat më 22 dhjetor, duke ndezur qirinj jashtë ndërtesës së Universitetit të Karlit. Studentët, miqtë e viktimave dhe të tjerët u mblodhën për t’i nderuar viktimat, teksa disa prej tyre vendosën edhe kurora lulesh.

Kryeministri çek, Petr Fiala, dhe ambasadori amerikan, Bijan Sabet, ishin në mesin e personave që nderuan viktimat.

“Është e vështirë të gjenden fjalë për të shprehur dënimin tonë në njërën anë, dhe në anën tjetër dhimbjen dhe pikëllimin që e mbarë shoqëria jonë po ndjenë në këto ditë para Krishtlindjes”, tha Fiala.

Rektorja e universitetit, Milena Kralickova, po ashtu mori pjesë në vigjilje. Komuniteti akademik, tha ajo, është “tronditur thellë” nga të shtënat.

Sipas ministrit të Brendshëm, Vit Rakusan, të 14 viktimat e të shtënave të 21 dhjetorit në Fakultetin e Artit, janë identifikuar. Autoritetet nuk kanë publikuar emrat e viktimave, por Instituti i Shkencave të Muzikës, ka konfirmuar se udhëheqësja e institutit, Lenka Hlavkova, është në mesin e të vrarëve.

Në mesin e të vrarëve nuk ka të huaj, por një shtetas i Holandës dhe dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë plagosur.

Policia e Republikës Çeke ka konfirmuar se sulmuesi ka vrarë veten. Petr Matejcek, drejtor i policisë rajonale në Pragë, tha se sulmuesi ka vrarë veten në ballkonin e ndërtesës së universitetit teksa policia po i afrohej. Policia nuk ka publikuar emrin e sulmuesit, por thanë se ai besohet se është çek.

Autoritetet kanë thënë se sulmuesi nuk ka pasur të kaluar kriminale, ndërkaq nuk kanë publikuar as të dhëna për motivimin e mundshëm të sulmit. Hetuesit po ashtu nuk kanë gjetur lidhje me ndonjë ideologji ekstremiste apo grup, dhe besojnë se ai ka vepruar i vetëm.

Pas sulmit – që është sulmi më i rëndë i ndodhur në Çeki – policia kombëtare ka njoftuar se ka rritur sigurinë përreth ndërtesave publike dhe shkollave në mbarë vendin. Ndërkaq, ligjëratat në Universitetin e Karlit janë anuluar.

Drejtori i policisë kombëtare, Martin Vondrasek, ka deklaruar se besojnë se sulmuesi ka vrarë babanë e tij në Hostouns, në veri të Pragës, më herët gjatë ditës para se të sulmonte universitetin. Po ashtu, autoritetet po hetojnë nëse ai ishte përgjegjës për vrasjen e një burri 32 vjeç dhe vajzës së tij 2-muajshe më 15 dhjetor në një park në Pragë.

Sulmuesi raportohet se ka qenë student në Universitetin e Karlit dhe mediat çeke kanë thënë se policia po shikon postimet që ai ka bërë në rrjetet sociale, që dyshohet se janë shkruar nga sulmuesi, për të kuptuar nëse ato lidheshin me sulmin.

Gazeta Hospodarske Noviny, duke cituar një raport policor, ka raportuar se sulmuesi në të kaluarën ishte trajtuar për probleme psikologjike, dhe kishte pasur 12 armë me leje, përfshirë një pushkë gjysmëautomatike, pistoleta e pushkë.

Në raportin policor u tha se sulmuesi arriti në universitet me një paligje të mbushur me municione. Policia tha se ai kishte licencë për tetë armë, përfshirë dy armë të gjata.

Kur u pyet gjatë një konference për media pse sulmuesit i ishte lejuar të kishte numër të madh armësh, zëvendësdrejtori i policisë, Tomas Kubik, tha: “Ne duhet të kuptojmë nëse kjo ishte rezultat i ndonjë problemi në sistem apo ishte gabim njerëzor”./rel

Të ngjashme