Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan të mërkurën se ekziston një lidhje e mundshme mes dy vaksinave kundër COVID-19-s dhe një efekti të rrallë anësor në zemër që përjetojnë meshkujt, kryesisht ata në moshë të re.
Agjencia federale e shëndetit publik tha se më shumë se 1,200 persona që kanë marrë vaksinën e Pfizerit apo Modernës zhvilluan miokardi, apo inflamacion të muskujve të zemrës. Efektet ishin më të spikatura tek meshkujt sesa femrat dhe ato u vunë re më shumë pas marrjes së dozës së dytë.
CDC-ja tha se efektet anësore, të cilat përfshijnë lodhje dhe dhimbje gjoksi, kanë qenë të lehta dhe se shumica dërrmuese e atyre që u diagnostikuan me miokardi janë shëruar plotësisht. Agjencia arriti në përfundimin se pavarësisht një “lidhjeje të mundshme” mes dy vaksinave dhe miokardisë, përfitimet nga marrja e vaksinave janë shumë më të mëdha se rreziqet.
Të dyja vaksinat, si ajo e Pfizerit dhe ajo e Modernës, që merren me dy doza, janë prodhuar me një metodë që shfrytëzon acidin ribonukleik (ARN).
Një zyrtar i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave tha se pas njoftimit të rezultateve, agjencia rregullatore do të shtonte një paralajmërim për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata që vaksinohen mbi rrezikun e mundshëm për efekte anësore.
Ndërkohë të enjten Shtëpia e Bardhë do të dërgojë në Brazil 3 milionë doza të vaksinës kundër të COVID-it të kompanisë Johnson & Johnson, e cila merret me një dozë të vetme. Dërgesa, e cila do të mbërrijë në qytetin Campinas pranë San Paulos, është pjesë e zotimit të Presidentit Joe Biden për t’u dhuruar 80 milionë doza, vendeve të tjera deri në fund të muajit.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se “ekipet shkencore dhe autoritetet ligjore e rregullatore” të të dy vendeve bashkëpunuan për arritjen e një marrëveshjeje mbi këtë çështje.
Prej fillimit të pandemisë në Brazil janë shënuar mbi 507 mijë të vdekur si pasojë e COVID-19-s, duke e renditur të dytin në botë për nga numri i personave që kanë humbur jetën, pas Shteteve të Bashkuara, që ka regjistruar mbi 602 mijë vdekje. /VOA/
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...