Google ADS

Çavuşoğlu: Turqia do të punojë me SHBA-në për Libinë

21:42 | 18 Qershor 2020
Arbresh.info

Ministrat turq të jashtëm dhe të mbrojtjes dhe inteligjenca së shpejti do të punojnë me homologët amerikanë në lidhje me Libinë, tha kryediplomati i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, transmeton Anadolu Agecy (AA).

Duke folur në një panel diskutimi online me Komitetin Drejtues Kombëtar Turko-Amerikan me qendër në SHBA, Çavuşoğlu tha se presidenti Recep Tayyip Erdoğan i ka ofruar homologut të tij amerikan Donald Trump që të punojë së bashku lidhur me Libinë dhe presidenti i SHBA-së e ka pranuar atë pozitivisht.

“Ne morëm udhëzime për të punuar së bashku” me homologët amerikanë, gjë që “është e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe të ardhmen e Libisë”, tha ministri turk.

“Ne do të donim të zgjeronim më tej fushat tona të bashkëpunimit”, shtoi ai.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi kryeministri libian Fayez al-Sarraj priti Çavuşoğlun, ministrin e Thesarit dhe Financave Berat Albayrak dhe kreun e Agjencisë së Inteligjencës Kombëtare Hakan Fidan në Tripoli.

Në nëntorin e kaluar, Turqia dhe Libia nënshkruan pakte mbi bashkëpunimin ushtarak dhe kufijtë në Mesdhe.

Sipas marrëveshjes, Turqia ka dërguar këshilltarë për të ndihmuar ushtrinë libiane në luftën kundër milicive të liderit të forcave jolegjitime Khalifa Haftar.

Ushtria libiane kohët e fundit u ka shkaktuar goditje të rënda forcave të Haftarit, duke çliruar qytetet Tripoli dhe Tarhuna, si dhe vende të tjera strategjike, përfshirë bazën ajrore të Al-Watiya.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli 2019, dhe më shumë se një mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e dhunës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme