Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar largimin e familjarëve të punonjësve në ambasadën në Kiev dhe thanë se të gjithë qytetarët amerikanë duhet ta konsiderojnë largimin nga Ukraina për shkak të kërcënimit të veprimit ushtarak nga Rusia.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) më 23 janar u tha familjarëve të stafit në ambasadën në Kiev se ata duhet të largohen, ndërkaq punonjësit jothelbësorë të ambasadës mund të largohen vullnetarisht dhe Qeveria do të paguajë shpenzimet e udhëtimit. Këto urdhra u lëshuan “për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga veprimi ushtarak rus”, tha Departamenti përmes një deklarate.
DASH po ashtu shtoi se Qeveria amerikane “nuk do të jetë në gjendje të evakuojë” shtetasit amerikanë në Ukrainë, prandaj ata duhet të planifikojnë me kujdes dhe ta shqyrtojnë mundësinë që të përdorin opsione komerciale për t’u larguar nga shteti, tha një zyrtar i Departamentit gjatë një konference virtuale me gazetarë.
“Këto janë masa paraprake, të kujdesshme, që në asnjë mënyrë nuk minojnë mbështetjen apo angazhimin tonë për Ukrainën”, tha ky zyrtar.
Ky zyrtar i lartë i DASH-it nuk pranoi që të jepte një vlerësim se sa amerikanë jetojnë në Ukrainë, por theksoi se Ambasada amerikane “do të vazhdojë të operojë në mënyrë të pandërprerë për të mbështetur Ukrainën në këtë moment kritik”.
Kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufirit të Ukrainës në rajonin e Krimesë të okupuar nga Moska dhe në territorin në lindje të Ukrainës që kontrollohet nga Rusia, “janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen me pak paralajmërim”, u tha në deklaratë. “Protestat, të cilat disa herë janë shndërruar në protesta të dhunshme, ndodhin rregullisht në gjithë Ukrainën, përfshirë edhe në Kiev”.
Në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit u theksuan raportet e fundit që thonë se Rusia po planifikon një aksion të rëndësishëm ushtarak ndaj Ukrainës, por zyrtari që foli me gazetarët, nuk përmendi ndonjë ngjarje specifike që i ka paraprirë këtij njoftimi.
I pyetur nëse urdhri për largimin e familjarëve të stafit të ambasadës nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara mendonin se Kievi mund të jetë në rrezik, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit u përgjigj se SHBA-ja po përpiqej që të vepronte me maturi. Ky zyrtar tha se Rusia mund të sulmojë në çdo moment, por SHBA-ja nuk e di nëse presidenti rus, Vladimir Putin ka vendosur për një gjë të tillë.
“Ne nuk po themi se e dimë se [një pushtim] do të ndodhë. Askush nga ne nuk e di se çfarë do të vendosë presidenti Putin. Dhe në të njëjtën kohë që ne po bëjmë këtë planifikim dhe po ndërmarrim masa të kujdesshme, ne vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar për zgjidhjen e situatës në rrugë diplomatike”, tha zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.
Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar shtetet e aleancës ushtarake, NATO për përshkallëzimin e tensioneve në lidhje me Ukrainën edhe pasi kryediplomatët e SHBA-së dhe Rusisë u pajtuan më 21 janar që të vazhdojnë të punojnë për uljen e tensioneve.
Kremlini mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën, por po kërkon kushte dhe garanci se NATO nuk do të zgjerohet në drejtim të lindjes, veçanërisht në Ukrainë.
Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu ka paralajmëruar amerikanët që të mos udhëtojnë për në Ukrainë. SHBA-ja veçse kishte një paralajmërim të tillë për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit, por masat e reja kanë bërë që ky paralajmërim të jetë më i fuqishëm.
DASH-i po ashtu ka paralajmëruar amerikanët që të mos udhëtojnë për në Rusi për shkak të rritjes së tensioneve. Amerikanët mund të përballen “me ngacmime” dhe Ambasada amerikane në Moskë do të kishte “aftësi të limituara” për t’i ndihmuar ata, u tha në deklaratë. Qytetarët amerikanë veçanërisht duhet të shmangin udhëtimin në rajonin kufitar midis Rusisë dhe Ukrainës, u tha në deklaratë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 23 janar hodhi poshtë thirrjet për vendosjen e sanksioneve parandaluese ndaj Rusisë, duke thënë se një veprim i tillë do të minonte aftësinë e Perëndimit për të penguar Moskën nga çdo agresion i mëtejmë i mundshëm kundër Ukrainës.
Veprimet që SHBA-ja po ndërmerr tani, përfshirë edhe ndërtimin e unitetit së bashku me Evropën dhe kërcënimin se Rusia do të përballet me pasoja masive në rast të pushtimit, sipas sekretarit Blinken janë të dizajnuara që të pengojnë Putinin që të “ndërmarrë veprime agresive, edhe pse ne në të njëjtën kohë ndjekim rrugën e diplomacisë”.
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...