Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë i dha leje avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të fluturuar mbi Bullgari, raporton Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, vendimi u mor pas kërkesës së Maqedonisë së Veriut – vendit që aktualisht ushtron detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Arsye e fluturimit është një takim i Këshillit të Ministrave të OSBE-së në Shkup, nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, 2023. Rusia është një nga 57 vendet anëtare të OSBE-së.
Prej se shteti rus ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, shumica e vendeve në Evropë – përfshirë Bullgarinë – kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, duke shprehur solidaritet me Ukrainën.
Ndalesa vlen për të gjithë avionët me licencë të lëshuar nga Federata Ruse. Perëndimi ka sanksionuar po ashtu zyrtarë të lartë rusë, përfshirë Lavrov.
Në njoftimin e lëshuar për mediat, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë tha se ka dhënë leje për fluturimin e një njësie speciale të aviacionit rus – përmes hapësirës ajrore të Republikës së Bullgarisë – për të transportuar një delegacion në një forum ndërkombëtar.
Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për këtë fluturim.
Sipas njoftimit, autorizimi për Lavrovin bie nën përjashtimin e regjimit të sanksioneve të BE-së kundër tij dhe “nuk vlen për anëtarët e delegacionit të tij, të cilët janë gjithashtu të sanksionuar me ligjin aktual të BE-së”.
Më herët, Komisioni Evropian tha se Lavrov mund të udhëtojë në BE dhe në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se është i sanksionuar. Mbi 70 delegacione të vendeve anëtare dhe partnere të OSBE-së pritet të arrijnë në Shkup për takimin e kësaj jave.
Sipas Lavrovit, disa përfaqësues të vendeve perëndimore kanë kërkuar tashmë takime me të gjatë samitit.
“Tashmë ka disa kërkesa për takime – duke përfshirë edhe përfaqësues perëndimorë”, tha Lavrov, raporton Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë.
Në qershor të vitit të kaluar, vizita e Lavrovit në Serbi u anulua, sepse vendet e saj fqinje – Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – ndaluan fluturimin e avionit të tij në hapësirën e tyre ajrore./abcnews.al
Abdixhiku premton: Me ne, Kosova do të anëtarësohet në NATO ...
Milani duhet të sakrifikojë Fonseca-n apo Leao-n?
OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luf...
Komuna synon largimin nga rruga të rreth 1500 qenve endacakë...
Haxhiu: Shah e ping-pong me Deharin, VV-ja do të duhej të di...
Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Pacolli udhëton drejt A...