Google ADS

Bullgaria i përgjigjet Rusisë: Ne vendosim për mbrojtjen tonë së bashku me aleatët e NATO-s

20:38 | 21 Janar 2022
L G

Bullgaria është një shtet sovran dhe prej kohësh kishte bërë zgjedhjen e saj duke u bërë anëtare e NATO-s, tha kryeministri Kiril Petkov në Asamblenë Kombëtare më 21 janar, duke iu përgjigjur thirrjes së Kremlinit që vendi të largohej nga Aleanca.

Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse tha në një konferencë se “Po flasim për tërheqjen e forcave të huaja, pajisjeve dhe armëve dhe hapa të tjerë për t’u kthyer në konfigurimin që nga viti 1997 në territorin e vendeve që nuk ishin anëtarë të NATO-s në datën e caktuar. Këtu përfshihen Bullgaria dhe Rumania”.

Ai tha se si anëtare e NATO-s “ne vendosim vetë se si ta organizojmë mbrojtjen e vendit tonë në koordinim me partnerët tanë. Traktati i Uashingtonit nuk parashikon një kategori të dytë të shteteve anëtare për të cilat mbrojtja kolektive do të zbatohet në mënyrë selektive ose në një masë të kufizuar”, raporton reuters.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të mbetet e përkushtuar ndaj një dialogu konstruktiv për të de-përshkallëzuar tensionet, si dhe të punojë për një Evropë më të sigurt të bazuar në sundimin e ligjit dhe zbatimin e rreptë të angazhimeve ligjore ndërkombëtare”, tha Petkov, transmeton telegrafi.

Partia pro-Kremlinit Vuzrazhdane, grupi më i vogël me 13 deputetë në Asamblenë Kombëtare me 240 vende, tha se vetëm populli bullgar mund të vendosë se cilat trupa do të jenë në territorin bullgar dhe dënoi vendosjen e “bazave amerikane” në territorin bullgar.

Në një deklaratë në faqen zyrtare të kreut të shtetit më 21 janar, presidenti Roumen Radev tha se këmbëngulja e Rusisë për tërheqjen e forcave të NATO-s nga Bullgaria ishte e papranueshme dhe e pakuptimtë.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë tha se territoret kombëtare të vendeve anëtare të NATO-s janë territore të Aleancës. Forcat e armatosura të vendeve anëtare janë gjithashtu forca të armatosura të NATO-s.

Kjo buron nga Traktati i Uashingtonit për themelimin e NATO-s, i cili është ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare, tha ministria.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme