Google ADS

Britania tërheq ambasadorin e saj nga Bjellorusia

11:32 | 10 Tetor 2020
Arbresh.info

Britania ka tërhequr ambasadorin e saj nga Bjellorusia, duke iu bashkuar kështu një numri të shteteve evropiane, që kanë tërhequr diplomatët e tyre nga ky vend, pas kundërshtimeve për zgjedhjet presidenciale bjelloruse të mbajtura në muajin gusht.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raad e bëri këtë njoftim në orët e vona të 9 tetorit, duke thënë se ky vendim u mor në shenjë proteste pasi Minsku zyrtar ka dënuar diplomatët nga Polonia dhe Lituania.

Raab tha se ka thirrur ambasadorin që të kthehet në Britani, për “konsultime” lidhur me situatën në Bjellorusi.

Tërheqja e ambasadorit britanik vjen pas vendimit të njëjtë të Bullgarisë, Republikës Çeke, Sllovakisë, Polonisë dhe tri shteteve Baltike.

Bjellorusia nisi të dëbojë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, pasi BE-ja vendosi sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë, të akuzuar se kanë bërë mashtrime zgjedhore dhe kanë abuzuar me të drejtat e njeriut.

Protestat masive në Bjellorusi shpërthyen pasi zyrtarët zgjedhorë shpallën Alyaksandr Lukashenkën fitues të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit.

Liderët opozitarë dhe disa ish-zyrtarë zgjedhorë bjellorusë, megjithatë, thonë se rezultati zgjedhor është manipuluar dhe kanë bërë thirrje për zgjedhje të reja. Por, Lukashenka ka refuzuar që të mbahen zgjedhje të reja.

Disa shtete kanë thënë se e njohin si fituese të zgjedhjeve Svyatlana Tsikhanouskaya, lideren opozitare, e cila pas zgjedhjeve u largua në Lituani./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme