Kryeministrja britanike Theresa May propozoi sot një periudhë tranzitore 2-vjetore për largimin zyrtar të Britanisë nga Bashkimi Evropian, më 29 mars 2019.
Gjatë fjalimit që mbajti sot në Firence, të Italisë, zonja May theksoi se të dyja palët ndajnë një “ndjenjë të thellë përgjegjësie” për t’u siguruar që Brexit do të jetë “pa probleme dhe i arsyeshëm”. Kryeministrja britanike u tha udhëheqësve të Bashkimit Evropian se “duam të jemi miku dhe partneri juaj më i fortë, ndërsa BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar begatojnë krah për krah”.
Përpara këtij fjalimi, zonja May u takua për mbi dy orë me kabinetin e saj qeveritar, për të finalizuar pozicionin e Britanisë për këtë çështje.
Ministrat britanikë kanë patur diskutime intensive për aspekte thelbësore, si p.sh. nivelin e pagesave që duhet të bëjë Britania për të shlyer detyrimet e saj financiare ndaj BE-së, statusin e shtetasve të vendeve të BE-së në Britani, etj.
Këto tensione shpërthyen në publik javën e kaluar, kur Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson, paraqiti vizionin e tij për jetën jashtë Bashkimit Evropian. Ai bëri thirrje për një ndarje të prerë me unionin, një qëndrim ky që zhgënjen të moderuarit, të cilët i druhen përkeqësimit të marrëdhënieve të Britanisë me bllokun më të madh tregtar.
Fjalimi i zonjës May i paraprin raundit të katërt të negociatave me Bashkimin Evropian, proces i cili nuk mundet të vazhdojë më tej pa u tejkaluar disa çështje të pazgjidhura. Britania dëshiron megjithatë të diskutojë për marrëdhëniet e së ardhmes, si p.sh. marrëdhëniet tregtare dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Në mediat britanike njoftohej paraprakisht se zonja May do të ofrojë një pagesë prej 24 miliardë dollarësh gjatë periudhës së tranzicionit./voa
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...