Google ADS

Britania: Moldavia duhet të pajiset sipas standardeve të NATO-s

19:16 | 21 Maj 2022
Fjolla Bajraktari

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se Moldavia duhet “të pajiset sipas standardeve të NATO-s”, për të mbrojtur veten kundër agresionit rus.

Në një intervistë për të përditshmen britanike, Telegraph, Truss ka thënë se janë duke u zhvilluar bisedime për ofrimin e ndihmës së shteteve të vogla, duke marrë parasysh ambiciet e presidentit rus, Vladimir Putin, “për të krijuar një Rusi më të madhe”.

Ajo ka thënë se synimi i negociatave është që Ukraina “të jetë e gatshme të mbrojë veten përgjithmonë” dhe kjo gjë vlen edhe për “shtetet më të cenueshme” sikurse Moldavia, e cila nuk është anëtare e NATO-s.

”Aktualisht jemi duke punuar në një komision të përbashkët me Ukrainën dhe Poloninë për avancim të mbrojtjes ukrainase me standarde të NATO-s”, ka thënë Truss për Telegraph.

E pyetur nëse dëshiron të shohë armë perëndimore në Moldavi, ajo ka thënë se dëshiron ta shohë Moldavinë të pajisur sipas standardeve të NATO-s.

“Ky është diskutimi që kemi me aleatët tanë”.

E pyetur nëse këto diskutime po bëhen pasi Rusia përbën kërcënim për Moldavinë, ajo ka thënë: Padyshim, Putin i ka bërë të qarta ambiciet për të krijuar Rusi më të madhe.

Moldavia dhe rajoni i shkëputur Transdniestër ndajnë një kufi prej 1,200 kilometrave me Ukrainën dhe së fundi janë rritur shqetësimet se Rusia mund të pushtojë këtë shtet.

Më herët gjatë këtij muaji, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, është zotuar se do të rrisë ndihmën ushtarake për Moldavinë.

Rajoni Transdniestër, në të cilin gjenden separatistë të mbështetur nga Moska, ka raportuar për disa incidente së fundi, të cilat kanë nxitur akuza se Rusia është duke synuar të destabilizojë Moldavinë dhe ta përfshijë në luftën që ka nisur kundër Ukrainës.

Rusia ende ka rreth 1,500 ushtarë në Transdniestër, të cilët besohet se ruajnë depo të madhe të armëve të periudhës sovjetike./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme