Kryeministri britanik Keir Starmer mbrojti të mërkurën vendimin e qeverisë së tij për të pezulluar eksportin e disa armëve në Izrael, duke thënë se ai ishte i nevojshëm për të respektuar ligjin ndërkombëtar. Izraeli tha se ky veprim do të shërbente vetëm për të forcuar militantët e Hamasit. Analistët thonë se vendimi është kryesisht simbolik, por mund të ketë pasoja më të gjera mes aleatëve evropianë.
Britania pezulloi të hënën rreth 30 nga 350 liçencat për eksportin e armëve në Izrael, pasi arriti në përfundimin se ekzistonte një rrezik i qartë se ato mund të përdoreshin për të kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gazë. Kryeministri Keir Starmer tha të mërkurën se Britania vazhdon të mbështesë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
“Por në lidhje me liçencat, kjo nuk bëhet kundër Izraelit. Është kuadri ligjor për të gjitha liçencat që duhet të mbahen nën mbikqyrje. Ne duhet të respektojmë ligjin ndërkombëtar. Argumentet tona kanë peshë vetëm nëse jemi në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha ai.
Ndalimet e eksportit përfshijnë pajisje të përdorura në helikopterë, avionë luftarakë dhe dronë. Kjo do të ketë pak ndikim në operacionet e ushtrisë izraelite, thotë analisti Yossi Mekelberg i organizatës “Chatham House” për Zërin e Amerikës.
“Shumica e armëve dhe municioneve të Izraelit vijnë nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Ato përbëjnë gati 99% të armëve që dërgohen në Izrael”, thotë ai.
Por simbolika e lëvizjes së Britanisë është më domethënëse, thotë zoti Mekelberg.
“Pezullimi dërgon një mesazh të qartë se mund të jesh mik i Izraelit, mund të mbështesësh Izraelin dhe Britania e Madhe –përfshirë [partinë në pushtet] Laburistët – është mbështetëse e Izraelit, veçanërisht pas 7 tetorit dhe me të drejtë. Por në të njëjtën kohë mund të kundërshtosh me forcë mënyrën se si po e bën Izraeli luftën dhe si i përdor armët”, thotë ai.
Vendimi mund të ketë pasoja më të gjera, thotë analisti Andreas Krieg për Zërin e Amerikës.
“Është hera e parë që një partner dhe aleat shumë i ngushtë i Izraelit nuk i beson qeverisë izraelite kur ata thonë se janë në përputhje me ligjet e konfliktit të armatosur. Vendet e tjera evropiane mund të duan të rishikojnë tani liçencat e tyre për eksportin e armëve në Izrael”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Izraeli thotë se ndjek ligjin ndërkombëtar në Gazë dhe se vë në shënjestër vetëm militantët e Hamasit, të cilët i akuzon se fshihen në shkolla dhe spitale dhe i përdorin civilët si mburoja njerëzore.
Kritikët akuzojnë forcat izraelite për sulme pa dallim në konfliktin që filloi pasi Hamasi vrau 1200 vetë në Izrael më 7 tetor.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 40 mijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i operacionit izraelit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi veprimin e Britanisë për të ndaluar disa eksporte armësh “të turpshëm”. Ai po përballet me protesta brenda vendit ndaj luftës në Gazë dhe ndaj dështimit të tij për të siguruar lirimin e pengjeve, thotë analisti Krieg.
“Lëvizja kundër qeverisë së Netanyahut tani shihet gjithnjë e më pak si lëvizje kundër Izraelit në tërësi, apo publikut izraelit”, thotë analisti Krieg.
Ndërkohë, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, propozoi javën e kaluar sanksionimin e dy ministrave të paidentifikuar të qeverisë izraelite për luftën në Gazë, nën dyshimin për shkelje të të drejtave të njeriut. Vendimet për sanksione në BE duhet të jenë unanime mes anëtarëve. Zoti Borrell tha se kjo nuk ishte arritur./VOA
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale