Britania konfirmon 980 viktima të tjera nga COVID-19

23:16 | 10 Prill 2020
Arbresh.info

Mbretëria e Bashkuar sot konfirmoi 980 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19) gjatë 24 orëve të fundit, rritja më e madhe ditore e regjistruar në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha në një konferencë për media se numri i vdekjeve në gjithë vendin nga koronavirusi arriti në 8.958 nga 7.978, sa ishte dje.

“Kjo festë e Pashkëve do të jetë një tjetër provë e vendosmërisë së kombit. Por, pavarësisht se sa joshës mund të jetë moti, sa joshës mund të jetë parku juaj lokal, ne duhet të qëndrojmë në shtëpi”, tha Hanckock.

Ndërkaq, më herët gjatë ditës, zëdhënësi i kryeministrit Boris Johnson, i cili është infektuar me virusin dhe dje u largua nga kujdesi intensiv, tha:

“Kryeministri është përsëri në një dhomë dhe po vazhdon shërimin e tij, që është në një fazë të hershme. Ai vazhdon të jetë në gjendje shumë të mirë shpirtërore”.

“Kryeministri ka qenë në gjendje të bëjë shëtitje të shkurtra, midis periudhave të pushimit, si pjesë e kujdesit që po merr për të ndihmuar shërimin e tij”, tha zëdhënësi.

Para largimit të djeshëm, Johnson i kishte kaluar tri netë në kujdes intensiv, pasi ishte pranuar në spital të dielën e kaluar. Kryeministri rezultoi pozitiv në testin për koronavirusin më 26 mars.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme