Google ADS

Britania kërkon nga Irani t’u kthehet angazhimeve të marrëveshjes bërthamore

20:47 | 5 Nëntor 2019
Arbresh.info

Qeveria britanike ka kërkuar nga Irani që t’u kthehet angazhimeve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Planit të Përbashkët të Veprimit (JCPoA), raporton Anadolu Agency (AA).

“Veprimet e fundit të Iranit në mënyrë të qartë kundërshtojnë marrëveshjen dhe paraqesin rrezik për sigurinë tonë kombëtare. Ne duam të gjejmë një rrugëdalje përmes dialogut konstruktiv ndërkombëtar, por Irani duhet t’u qëndrojë angazhimeve dhe urgjentisht të kthehet në pajtueshmëri të plotë”, tha Dominic Raab, sekretari i jashtëm britanik.

Komentet e sekretarit të jashtëm britanik pasuan një reagim të ngjashëm nga Bashkimi Evropian (BE), e cila gjithashtu shprehu shqetësim lidhur me paralajmërimin e fundit të Iranit se Teherani do të reduktojë angazhimet ndaj marrëveshjes.

“Ne jemi të shqetësuar nga paralajmërimi i presidentit Hasan Rouhani për reduktimin e mëtejshëm të angazhimeve të Iranit nën JCPoA-në”, tha para gazetarëve Maja Kocijancic, zëdhënëse e BE-së.

Ajo theksoi se BE-ja kërkon nga Irani “të kthejë mbrapsht” të gjitha aktivitetet që janë në kundërshtim me JCPoA-në dhe t’i përmbahet çdo mase të mëtejshme që do të dëmtonte ruajtjen dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bërthamore.

Më herët gjatë ditës, Rouhani tha se vendi i tij do të fillojë me hapin e katërt për të reduktuar angazhimet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

“Deri nesër, do të kalojmë në hapin e katërt dhe natyrisht tashmë po e njoftojmë këtë para botës dhe vendeve tona miqësore”, tha Rouhani.

Presidenti iranian tha se Teherani të mërkurën do të fillojë injeksionin e gazit në centrifugat në provincën iraniane Fordo.

“Aktiviteti ynë i ri do të monitorohet nga IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike)”, tha Rouhani.

Ai po ashtu tha se veprimet e Iranit për reduktimin e angazhimeve janë të kthyeshme nëse vendet nënshkruese respektojnë plotësisht angazhimet e tyre.

Irani filloi të shkurtojë angazhimet ndaj marrëveshjes bërthamore të viti 2015 në një veprim hakmarrës pas vendimit të njëanshëm të SHBA-ve për tërheqjen nga marrëveshja midis Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermania dhe BE-ja.

SHBA që nga ajo kohë ka filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme