Agjencia pretendon, duke u thirrur në burimet anonime në qeverinë britanike, se Britania e Madhe “po bën gjithë çfarë është e nevojshme” në mënyrë që të mund t’i lëshojë raketat “Tomahawk” nga nëndetëset kundër caqeve ushtarake në Siri, përcjell Insajderi.com.
Njëkohësisht, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders ka kumtuar se ekipi për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump është takuar dje pasdite sipas kohës lokale në mënyrë që të diskutojë mbi përgjigjen e SHBA në përdorimin e qartë të armëve kimike nga ana e ushtrisë siriane kundër popullit të vet, transmeton AP.
Sanders ka thënë se zëvendëspresidenti Mike Pence po e kryeson këtë mbledhje.
Ajo ka theksuar se ende nuk është marrë vendimi mbi atë se a do ta sulmojnë forcat amerikane Sirinë, edhe pse presidenti ka kërcënuar në Twitter me shkrepjen e raketave “të bukura, të reja dhe të mençura”.
Sanders ka përmendur se SHBA po e fajëson qeverinë siriane dhe aleatët e saj rus se sulmi shkatërrues është kryer të shtunën në Duma ku, siç pretendojnë aktivistët e drejtave të njeriut dhe shpëtimtarët, janë vrarë së paku 40 persona.