Google ADS

Britania e Madhe për herë të parë ka borxh publik mbi 2.6 trilionë dollarë

14:34 | 21 Gusht 2020
Arbresh.info

Gjashtë milionë britanikë kanë ngecur pas me faturat shtëpiake për shkak të pandemisë së COVID-19.

Borxhi publik i Britanisë së Madhe ka shkuar mbi 2 trilionë funta (2.6 trilionë dollarë) për herë të parë në historinë e saj, bëri të ditur sot agjencia zyrtare britanike për statistika.

Zyra për Statistika Kombëtare (ONS) tha se borxhi publik u rrit në 227.6 miliardë funta në fund të korrikut në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Huamarrja arriti një rekord prej 150.5 miliardë funta këtë vit, për të cilin ONS tha se ishte 128.4 miliardë dollarë më shumë sesa midis prillit dhe korrikut të vitit të kaluar.

Kancelari britanik, Rishi Sunak tha se: “Kjo krizë i ka vendosur financat publike nën një tendosje të konsiderueshme pasi kemi përjetuar një goditje në ekonominë tonë dhe kemi ndërmarrë veprime për të mbështetur miliona vende pune, biznese dhe mjete për jetesë. Pa këtë mbështetje gjërat do të ishin shumë më keq”.

Sunak nënvizoi se shifrat e publikuara ishin një “rikujtim i ashpër” se Britania “duhet të kthejë financat tona publike në një gjendje të qëndrueshme me kalimin e kohës”, duke thënë se kjo do të kërkojë “vendime të vështira”.

“Gjithashtu kjo është arsyeja pse ne ndërmarrim tani veprime për të mbështetur rritjen dhe vendet e punës që paguajnë për shërbimet tona publike, duke ndihmuar bizneset të rihapen me siguri dhe përmes planit tonë për punë, mbrojtjen, mbështetjen dhe krijimin e vendeve të punës për të siguruar që askush të mos mbetet pa shpresë”.

Ndërkohë, një studim i shoqatës së bamirësisë “Citizens Advice” zbuloi se 6 milionë britanikë, një në nëntë persona, kishin ngecur prapa me faturat shtëpiake për shkak të pandemisë së COVID-19.

Studimi zbuloi gjithashtu se një në pesë punëtorë thelbësorë, puna e të cilëve ishte duartrokitur gjerësisht gjatë pandemisë, kishte ngecur pas me faturat shtëpiake si dhe një në katër persona që ishin prindër ose kujdestarë.

Nga 6 milionë, 10 për qind nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë ushqimin dhe 20 për qind kanë shitur pronat për t’u ballafaquar./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme