Britania e akuzon Iranin se ia konfiskoi anijen në ujërat e Omanit

13:48 | 21 Korrik 2019
L G

Britania është ankuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se forcat iraniane ia kanë konfiskuar një anije që po transportonte naftë në kohën kur ajo ishte duke lundruar në ujërat territoriale të Omanit, duke shtuar se ky veprim përbën ndërhyrje ilegale.

“Anija ishte duke e ushtruar të drejtën ligjore të kalimit transit në ngushticën ndërkombëtare, sipas ligjeve ndërkombëtare”, thuhet në letrën e misionit britanik në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Në bazë të ligjit ndërkombëtare, e drejta e kalimit transit nuk duhet të pengohet, prandaj veprimi i Iranit përbën ndërhyrje ilegale”, thuhet më tej.

Veprimi i Iranit të premten në rrugën më të rëndësishme ujore në botë për transportimin e naftës është vlerësuar nga shtetet perëndimore si eskalim i tensioneve. Ky incident ndodhi vetëm tre muaj pas një incidenti të ngjashëm, kur Irani dhe Shtetet e Bashkuara ishin afër fillimit të luftës.

Konfiskimi i anijes britanike ndodhi vetëm disa ditë pasi Irani kërcënoi se do të hakmerret për konfiskimin e anijes iraniane në Ngushticën e Gjibraltarit nga autoritetet e Britanisë së Madhe. Kjo anije dyshohet se i ka shkelur sanksionet ndaj Sirisë, sepse ishte duke dërguar naftë në këtë shtet.

Britania e Madhe ka kërkuar nga Irani që ta lirojë anijen “Stena Impero” dhe e ka njoftuar Këshillin e Sigurimit se është duke punuar për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë diplomatike, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme