Britania dërgon raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

21:35 | 11 Maj 2023
K.B

Britania i ka dërguar Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi që lëshohen nga anijet për ta ndihmuar në luftën me Rusinë, tha të enjten Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace.

Raketat “Storm Shadow”, me rreze veprimi prej 250 kilometrash, përbëjnë dërgesën e parë të llojit të armatimit që Kievi e ka kërkuar prej kohësh nga aleatët e tij perëndimorë.

Zoti Wallace u tha ligjvënësve britanikë se raketat “tani po hyjnë ose vetëm kanë arritur” në Ukrainë, pa e treguar sasinë e dërgesës.

Mediat britanike njoftuan se raketat do t’i japin Ukrainës kapacitetin për të goditur thellë brenda vijave të frontit, përfshirë në Krimenë e pushtuar nga Rusia, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014. Ato gjithashtu njoftuan se Ukraina është zotuar të mos i përdorë raketat për të sulmuar Rusinë.

Zoti Wallace tha se raketat do të përdoren për të luftuar forcat ruse në “territorin sovran ukrainas”. Ai e karakterizoi mbështetjen e Britanisë për Ukrainën si “të përgjegjshme, të koordinuar dhe elastike. Ne thjesht nuk do të rrimë duarkryq ndërsa Rusia vret civilët”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se nuk është ende koha e duhur për kundërofensivën e planifikuar për të rimarrë kontrollin e territorit nga trupat pushtuese ruse.

“Kemi nevojë për pak më shumë kohë”, tha zoti Zelenskiy në një intervistë me mediat britanike të bërë publike të enjten.

Përgatitjet për kundërofensivën përfshijnë trajnimin e forcave ukrainase nga partnerët perëndimorë, si dhe dërgesat e municioneve, tankeve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore për të rritur aftësitë e palës ukrainase.

“Me [ato që kemi] ne mund ta fillojmë kundërofensivën dhe të jemi të suksesshëm,” tha presidenti Zelenskiy.

“Por do të humbisnim shumë njerëz. Mendoj se kjo do të ishte e papranueshme”, tha ai.

Të mërkurën vonë, admirali Bob Bauer, i cili kryeson Komitetin Ushtarak të NATO-s, u tha gazetarëve se Ukraina do të mund të luftojë me armë më të mira, megjithëse ka më pak ushtarë në dispozicion se Rusia.

“Rusëve do t’u duhet të përqendrohen tek numrat, tek një numër më i madh rekrutësh dhe të mobilizuarish, të patrajnuar mirë dhe me materiale të vjetra dhe jo me aq preçizion sa ato më të rejat”, shtoi ai.

Disa materiale në këtë raport u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme